Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LIVE: Kuvendi shqyrton Projektbuxhetin për vitin 2027

VV-ja e mbështet Projektbuxhetin e 2027-s: Përkthim i programit qeverisës

1 min. më parë / 19 nën 2026 16:14
Enver Haliti

Lëvizja Vetëvendosje (VV) e ka mbështetur Projektbuxhetin për vitin 2027. 

Deputeti i kësaj partie Enver Haliti, ka thënë se buxheti është përkthim i programit qeverisës dhe i premtimeve e prioriteteve në vendime. 

“Ky buxhet ndërtohet mbi kapacitetin e të hyrave të rregullta, ai nuk mbështetet në fondet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe nuk planifikon financim përmes klauzolës së investimeve”, ka thënë Haliti, duke shtuar se kjo paraqet një ndryshim të rëndësishëm në strukturën e financimit të investimeve kapitale. 

Ai ka thënë se për vitin 2027 janë planifikuar mbi 1 miliard e 70 milionë euro investime kapitale. 
Haliti ka thënë se përtej shumave duhet që deputetë të ketë kujdes për realizmin e tyre në terren. 

Ai u ka kërkuar organizatave buxhetore që të punojnë për realizim të tyre.  

Kurti për buxhetin e vitit 2027: Synon ta çojë Kosovën në fazë të re të transformimit ekonomik

2 min. më parë / 19 nën 2026 16:12
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027 para deputetëve të Kosovës. Ai ka thënë se buxheti i paraparë është 4.27 miliardë euro, rreth 200 milionë euro më i madh sesa buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë më i madh se buxheti i vitit 2026. 

Projektbuxheti që ka kaluar në Qeveri, është duke u shqyrtuar në lexim të parë në Kuvend. 

Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij është transformuar struktura e të hyrave buxhetore. Ka thënë se 60 për qind të hyrave janë të siguruara nga Administrata Tatimore e Kosovës, e 40 për qind nga Dogana, që është e kundërta nga mandatet e kaluara. 

Ka treguar se në buxhet parashihen 908 milionë euro financime për komuna, që është niveli më i lartë i financimit komunal. Po ashtu ka thënë se do të rritet mbështetja financiare për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë dënuar në shkallë të parë në Dhomat e Specializuara në Hagë. 

Ai ka thënë se edhe vitin e ardhshëm më 1 janar parashihet paga e 13 për punonjësit e sektorit publik, e nga korriku do të rritet koeficienti i pagave në 120 euro. 

“Buxheti për paga do të jetë 1 miliard e 85 euro, që nëse pjesëtohet me 85 mijë punonjës publik, është mesatarisht 1000 euro bruto”, tha Kurti. 

Ai ka thënë se shtesat për fëmijë do të rriten në 4 faza me nga 25 për qind. Do të rriten çdo vit nga 25 për qind nga vlera sa është sot. 

“Familja me dy fëmijë që merr tash 60 euro, do të marrë nga janari i vitit të ardhshëm 75 euro, e familja me katër fëmijë që merr 180 euro nga janari do të marrë 225 euro”, tha Kurti. 

Ai ka thënë se investimet kapitale për herë të parë do të kenë buxhet mbi 1 miliard euro. Ka përmendur ndërtimin e Unazës së Jashtme të Prishtinës, segmentin Duhël-Banullë, autoudhën Dukagjinit. Po ashtu ka përmendur ndërtimin e digave të reja e gjithashtu linjë të veçantë buxhetore për ndërtimin e infrastrukturës për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. 

Ka thënë se parashihet themelimi i një kompanie kombëtare ajrore. Ndërsa po ashtu edhe investime tjera në turizëm.  

“Ky buxhet synon ta çojë Kosovën përpara nga një fazë e rritjes ekonomike, në një fazë të re të transformimit ekonomik”, tha Kurti.