Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se po i përcjell me shqetësim zhvillimet rreth plotësim-ndryshimit në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
OVL-UÇK ka thënë se është e papranueshme kjo zvarritje dhe ka paralajmëruar protesta gjithëpopullore.
“Qeveria dhe shumica parlamentare duhet ta kenë të qartë se përgjegjësia e tyre është të veprojnë dhe të mos lejojnë që vonesat të bëhen pengesë për përfundimin e këtij procesi. Po ashtu, OVL e UÇK-së rithekson se është e papranueshme dhe e pandershme që një çështje kaq e ndjeshme të shfrytëzohet për të krijuar ndasi politike apo për të thelluar përçarjet mes subjekteve politike. Pavarësisht deklarimeve publike për vullnet politik, nëse ky proces vazhdon të zvarritet dhe nuk përfundon së shpejti, OVL e UÇK-së paralajmëron se do t'i kundërvihet kësaj qasjeje përmes organizimit të protestave gjithëpopullore”, thuhet në reagim. “Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kërkon që plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratohen me procedurë të përshpejtuar, brenda afatit më të shkurtër që lejojnë procedurat parlamentare dhe institucionale”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se javën e ardhshme pritet të pranohet drafti i parë nga grupi punues për strategjinë shtetërore lidhur me procesin e Apelit në Hagë, si dhe drafti i parë i Ligjit për Specialen nga ekspertët.
Duke komentuar Ligjin për Specialen, i cili ka ardhur në Kuvend, Kurti ka thënë se ai është hartuar si rezultat i pakënaqësisë lidhur me aktgjykimin, duke shtuar se që nga fillimi kishin shprehur rezervat e tyre për të.
“Nga pakënaqësia lidhur me aktgjykimin erdhi edhe shkrimi i shpejtë i atij ligji, për të cilin patëm shprehur rezervat tona. Nuk dyshoj në qëllimin e mirë, por nuk mjafton vetëm qëllimi i mirë, duhet të kemi edhe sukses. Për këtë na duhet një ligj që nuk kthehet mbrapsht dhe bëhet praktik në realitet. Ne presim që javën e ardhshme grupi punues ta sjellë draftin e parë. Aty janë të angazhuar të gjithë dhe ne e presim strategjinë javën e ardhshme. Presim gjithashtu që ky ekip me ekspertë ta sjellë javën e ardhshme draftin e ri të ligjit për Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.
Është shtyrë të enjten seanca ku pritej të rishqyrtohej Ligji për Specialen. Seanca e cila ishte vazhdim i asaj të së premtes, është shtyrë për një kohë të pacaktuar.
Ligji është miratuar në dy lexime në Kuvend, por me kërkesë të sponsorizuesit, Partisë Demokratike (PDK), presidentja Justina Shiroka Pula nuk e ka nënshkruar dhe e ka kthyer në Kuvend. E, pikërisht PDK-ja është bërë sërish “pishman” dhe ka kërkuar që të rrëzohet vetoja e presidentes, dhe ligji të miratohet siç është deh pasi të hyjë në fuqi të bëhet amendamentimi i tij.