Ministri i Financave Hekuran Murati ka reaguar sot ndaj kritikave të opozitës për politikat sociale dhe ekonomike të Qeverisë, duke thënë se gjatë mandatit të tyre janë krijuar kushte për punësim, krahas mbështetjes financiare për kategori të ndryshme të qytetarëve.
Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për buxhetin 2027 në Kuvendin e Kosovës, ministri Murati tha se Qeveria është përqendruar në mbështetjen e fëmijëve dhe pensionistëve, ndërsa për personat e aftë për punë ka krijuar mundësi punësimi.
Ai deklaroi se numri i të punësuarve është rritur për 100 mijë gjatë mandatit të tyre, nga 350 mijë në 450 mijë, duke shtuar se krahas rritjes së punësimit janë rritur edhe pagat.
“U tha që qytetarët nuk duhet mbështetur, por krijuar kushte për punësim, ne kemi bërë të dyja. Fokusi ka qenë që mbështetje të japim për ato grupe të shoqërisë të cilat nuk marrin pjesë në tregun e punës, për grup moshat 0-16 dhe pensionistët. Për ata që janë të aftë për punë, kemi krijuar kushte për punësim. Kur e kemi marrë mandatin ka qenë 350 mijë të punësuar. Aktualisht janë 450 mijë sosh. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në asnjë qeverisje më parë. Krahas shtimit të punës, kemi pasur edhe rritjen e pagave, ka pasur sfida, shpesh po përmendet inflacioni, meqenëse Kosova valutën euro nuk e ka që e shtyp vetë, e kemi adoptuar euron, ne jemi të hapur apo ekspozuar edhe ndaj inflacionit”, tha Murati.