Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Salihu: Deklarimi i pasurisë formalitet, nuk shpalos aferat korruptive

Bekim Salihu nga Instituti GAP e ka cilësuar vetëm formalitet çështjen e deklarimit të pasurisë nga zyrtarët publikë. Në “Interaktiv” të KTV-së ai ka thënë se tash e 20 vjet të këtij procesi, nuk është shpalosur përmes tij asnjë afërë korruptive apo natyrë korurptive.

“Deklarim rutinor, formalitet tanimë i bërë i përvitshëm. Ajo që vlen të ceket është se prej 2006-s kur ka nisur deklarimi e deri tash, 20 vjet, s’ka asnjë rast që ka rezultuar dikush të jetë i dyshuar apo i dënuar si rezultat i deklarimit të pasurisë. Pra gjatë këtyre dy dekadave, ka pasur dënime të shqiptuara për mosdeklarim ose deklarim të pjesshëm, por jo për shkak të deklarimit të pasurisë. Pra që lë të kuptohet se aferat korruptive apo natyra korruptive nuk mund të shpaloset apo dokumentohet nëpërmjet deklarimit të pasurisë”, ka thënë ai.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas tij, Agjencia për parandalimin e korrupsionit nuk e ka dhënë efektin e vet në këtë sferë. Madje sipas tij, këtu kanë dështuar edhe instancat tjera, në hetim, krahasim apo verifikim dhe hetim të pasurisë.

Një fenomen që sipas Salihut ka qenë i pranishëm në deklarimet e publikuara të premten, është se edhe kur bashkëshortët janë të dy zyrtarë publikë që duhet të deklarojnë pasurinë, ka pasur raste kur deklarimet s’i kanë pasur të njëjta.

Fenomen tjetër, sipas tij, ka qenë fakti se ka shumë pasuri të përfituar pas vitit 2015.

“Ka raste kur edhe zyrtarët brenda 5-6 viteve kanë deklaruar blerje të banesave, shtëpive e pronave, dhe veturave. Shtrohet pyetja e natyrshme se si ka mundur të vijë këtu. S’po them që qëndron korrupsioni, por mund të ketë bazë për dyshime”, ka thënë ai.

Edhe pronat me çmime të lira për metra katrorë, sipas Salihut, nuk qëndrojnë me realitetin.

Tutje ai ka thënë se një numër i madh i zyrtarëve publikë ka bashkëshortë në sektor publik. E kjo sipas tij, tregon për nepotizëm që ka funksionuar masivisht.

Për deklarimin e kryeministrit Albin Kurti, që tha se në llogari bankare i ka rreth 16 euro, Salihu ka thënë se ai “po përpiqet të krijojë një imazh që e ndan fatin me popullin, por nuk e di nëse populli e ndan fatin me kryeministrin”.

“Sepse t’i kesh 24 mijë euro të hyra vjetore e të mos arrish të kursesh asgjë nga to, që të mbash veten dhe familjen, dhe tani shtrohet pyetja si e mban familjen një person me tre fëmijë dhe pagë përgjysmë. Nëse ai ka dashur ta çojë mesazhin se e ndan fatin me popullin pyetja është a e ndan populli fatin me të. Mbi 70 mijë euro të hyra familjare e të mos kursesh asgjë nga paga nënkupton që jeta në Kosovë është e shtrenjtë. Nëse ai ka vështirësi të kursejë shtrohet pyetja sa mund të kursejnë qytetarët”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kurti me këtë deklarim “po përpiqet të çojë mesazh që nuk do jetë aristokrate”,

“Por nëse ai ka vështirë të kursejë me 23 mijë euro, shtrohet pyetja se si mund t’ia dalin qytetarët me pagë 500-600 euro mujore”, ka thënë Salihu.

Ai ka thënë se as deklarimi i pasurisë nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, për çmim rreth 500 euro për metër katrorë nuk është shifër që paraqet vlerën reale të objektit.