Me 81 vota për Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur presidenten e re. Justina Shiroka Pula është zgjedhur presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit. Votimi përfundoi tre minuta pas mesnatës, ndërsa numërimi përfundoi rreth 15 minuta pas mesnatës. Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ishte propozim i momentit të fundit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Propozimi u pranua nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe kundërkandidate u propozua Eliza Hoxha, deputete e PDK-së. Seanca e jashtëzakonshme, me dy pika të rendit të ditës, nisi rreth 35 minuta para mesnatës, që ishte afati i fundit për zgjedhjen e presidentit. Fillimisht u votuan ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa më pas nisi një votim “flash” për presidenten. Votimi përfundoi në ora 00:03, ndërsa rezultati i kumtuar u bë në ora 00:14. Shiroka-Pula u zgjodh me 81 vota për. Ajo mbajti betimin si presidente.
Policia: Protesta përfundoi qetë e pa incidente serioze
Policia e Kosovës ka dalë me njoftimin e fundit në lidhje me protestën e filluar që nga mëngjesi në sheshin e Prishtinës nën thirrjet për t’u votuar edhe në leximin e dytë ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale.
Policia në njoftim ka thënë se protesta ka përfunduar qetë e pa incidente, përjashtuar hedhjen e mjeteve piroteknike dhe fishekzjarreve nga disa protestues.
“Protesta ka përfunduar kryesisht e qetë pa incidente serioze, përjashtuar hedhjen e mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve nga disa protestues. Policia e Kosovës, falënderon qytetarët për bashkëpunim e protestim të qetë dhe respektim të udhëzimeve policore, të cilat kontribuuan në mbarëvajtjen e protestës dhe qetësisë publike”, thuhet në njoftimin e fundit të Policisë së Kosovës.
Më herët, KOHA njoftoi për një protestues të lënduar të cilit iu dha ndihma e parë nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Ish-kryetari i Kushtetueses: Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës është në përputhje me Kushtetutën
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë për KosovaPress se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës si presidente është në përputhje me Kushtetutën, ani pse e njëjta u zgjodh disa minuta pas afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas tij, me rëndësi është që procesi ka nisur me kohë, ndërkaq numërimi dhe shpallja e rezultatit nuk përbën çështje kushtetuese.
Ai tha se legjislatura e njëmbëdhjetë nuk konsiderohet e shpërndarë, por fuqiplotë dhe pa asnjë të metë kushtetuese.
“Me rëndësi është që procesi ka nisur me kohë. Procesi i numërimit dhe i shpalljes së rezultatit, edhe nëse zgjat disa minuta përtej afatit, nuk përbën çështje kushtetuese... Kuvendi është fuqiplotë dhe pa asnjë të metë kushtetuese”, tha Hasani.
Hamza: Ditë e vlefshme, kaloi ligji dhe vendi do të ketë stabilitet institucional
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka quajtur ditë të vlefshme të martën pas miratimit të ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale dhe zgjedhjes së presidentes së vendit.
Ai në konferencë për media ka përsëritur se me ndryshimet në ligj nuk synojnë pengimin e drejtësisë.
“Është ditë tepër e vlefshme sepse sot Kuvendi kaloi ligjin për Dhomat e Specializuara. Ne nuk dëshirojmë ta pengojmë drejtësinë. Dëshirojmë të vendosim drejtësi. Dëshirojmë që luftës së popullit, UCK-së, t’i garantojmë drejtësi. Me pasë mbikëqyrje, transparencë e llogaridhënie”.
Hamza ka shtuar se PDK-ja i garanton bashkëpunim presidentes Justina Shiroka-Pula.
“Është mirë që Kuvendi e zgjodhi presidente Justina Shiroka-Pulën, personalitet të njohur n ë jetën akademike dhe politike dhe është reprezentuese e denjë për pozitën e presidentes. I garantoj bashkëpunim në emër të PDK-së për ta përkrahur në punët e presidentes. Është mirë që vendi do të ketë stabilitet institucional”.
Osmani uron Shiroka-Pulën: Mund të llogarisë në mbështetjen time të përhershme
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kishte shpresuar që një grua ta pasojë atë në postin e presidentit dhe është e lumtur që kjo ka ndodhur.
Ajo e ka uruar Justina Shiroka-Pulën që ka marrë postin e presidentes dhe ka thënë se ajo mund të llogarisë në mbështetjen e saj të përhershme.
Në pyetjen pse nuk votuan Lidhja Demokratike e Kosovës, ajo tha se kandidat i kësaj partie ishte Bekim Sejdiu dhe se Shiroka-Pula nuk doli nga një marrëveshje me LDK-në.
“Kemi pasur pozicion politik të partisë sonë ta votojmë vetëm kandidatin tonë. Kemi respektuar institucionin, si institucionalist që jemi. Dëshirojmë vetëm suksese për Republikën e Kosovës. Tash e tutje është mirë që do të kemi stabilitet institucional, rolin tonë do ta luajmë si opozitë ashtu siç kemi paralajmëruar”, tha Osmani nga holli i Kuvendit.
Shiroka-Pula: Do të jem presidente e gjithë qytetarëve
Në fjalimin e saj pas zgjedhjet presidente, Justina Shiroka-Pula, ka thënë se do të jetë presidente e gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ajo ka thënë se e pranon me nder të madh e përgjegjësi postin e presidentes.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan. Do të jem presidente e gjithë qytetarëve”, tha Shiroka-Pula. “Do të punojë për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona. Kosova duhet të ecë përpara si shtet demokratik, sigurt me orientim të qartë euroatlantik e me miqësi të fortë me aleatët tanë. Do ta mbrojë Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, njerëzit e saj dhe besoj së bashku mund të ndërtojmë të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës”.
Justina Shiroka-Pula lexon betimin si presidente
20 minuta pas orës 24, ka arritur në Kuvendin e Kosovës, presidentja e re e vendit Justina Shiroka-Pula.
Ajo ka lexuar betimin si presidente derisa është intonuar më pastaj edhe himni i Kosovës.
Kosova bëhet me presidente
Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës.
Votimi në Kuvend ka zgjatur deri në 3 minuta pas afatit kushtetues.
Shiroka-Pula ka marrë 81 vota.
Mbyllet votimi për presidenten me 3 minuta vonesë
Ka kaluar afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese si 6 tetori.
Deputetët kanë vazhduar të votojnë për presidentin edhe pas orës 00:00, saktësisht deri në orën 00:03.
Justina Shiroka-Pula dhe Eliza Hoxha janë propozimet për presidente.
Miratimi i ndryshimeve të Ligjit për Specialen – Deputetët e duartrokasin, protestuesit e brohorasin
Miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale deputetët dhe kabineti qeveritar e kanë duatrokitur ndërsa edhe jashtë protestuesit e kanë brohoritur në shenjë gëzimi.
Kuvendi ka miratuar projektligjin për ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale.
88 vota votuan për.
Aktualisht po zhvillohet pika e dytë e rendit të ditës, ajo e votimit për presidentin.
Kandidate e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe e pranuar nga PDK-ja është Justina Shiroka-Pula ndërsa kundërkandidate, Eliza Hoxha.
Nis votimi për presidentin
Pas miratimit të ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale, deputetët kanë nisur procesin për votimin e presidentit.
Kandidatet e propozuara janë Justina Shiroka-Pula dhe Eliza Hoxha.
Propozimet kanë kaluar për shqyrtim në Komisionin për Legjislacion.
Kuvendi miraton ndryshimet në Ligjin për Specialen
Kuvendi ka miratuar projektligjin për ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale.
88 vota votuan për.
Ndryshimet kryesore janë:
Dënimi maksimal të kufizohet në 15 vjet burgim.
Të lejohet ankesa në Gjykatën Supreme të Kosovës ndaj vendimeve të Speciales.
Dënimet të mund të vuhen në Kosovë, në vend që të vuhet domosdoshmërisht jashtë vendit.
Presidenti i Kosovës të ketë mundësi të japë amnisti për persona të dënuar nga Dhomat e Specializuara.
LDK-ja i bashkohet seancës
Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i janë bashkuar seancës ku po votohet në lexim të dytë për ndryshimin e Ligjit për Specialen.
Në këtë seancë do të votohet edhe për presidentin.
Shmangen procedurat, projektligji për Specialen miratohet në komisionet përkatëse
Me shumicë votash deputetët kanë votuar për shmangie të procedurave në votimin në lexim të dytë të projektligjit për ndryshimet e Ligjit për Specialen. 89 deputetë votuan pro pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosjes për shmangie të procedurave.
E, komisionet përkatëse unanimisht e kanë miratuar projektligjin.
Pas votimit të këtij projektligji, deputetët do të votojnë për presidentin.
Kanë mbetur rreth gjysmë ore deri te përfundimi i afatit për zgjedhjen e presidentit.
Deputetët nisin të mblidhen për seancë
Deputetët e partive politike kanë nisur të hyjnë në sallën e seancave plenare të Kuvendit.
Kjo pasi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se pranon propozimin e kryeministrit Albin Kurti që Justina Shiroka-Pula të jetë kandidate për presidente. E PDK-ja propozoi që kundërkandidate të jetë Eliza Hoxha, duke theksuar se këta emra janë të vetmit të pranueshëm për të.
Në pikë të parë do të jetë votimi i projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Specialen, e pas tij votimi i presidentit.
PDK-ja pranon Shiroka-Pulën për presidente, propozon Eliza Hoxhën kundërkandidate
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se e pranojnë kandidaten e propozuar nga kryeminsitri Albin Kurti, Justina Shiroka-Pulën për presidente, ndërsa si kundër-kandidate ka thënë se e propozojnë Eliza Hoxhën.
“E dimë janë orët e fundit nuk është dashur të ndodhë kjo. Është dashur të ndodhë shumë më herë, para shumë ditëve. Është dashur të ketë seriozitet për këtë çështje, e seriozitet për vendin se ku ndodhet dhe për situatën ku duam ta çojmë vendin. Për PDK-në ne nga kjo konferencë shkojmë në sallë të Kuvendit e presim me votu Ligjin për Dhomat e Specalizuara e me përfundu këtë çështje...Edhe pse s'kemi pasur mundësinë të bisedojmë me znj. Shiroka Pula, por për Partinë Demokratike është emër i pranueshëm për presidente. Përveç kësaj, me qëllim të zhvillohen procedurat e plotësohen kushtet, PDK-ja e propozon si kundërkandidate edhe znj. Eliza Hoxha", tha Hamza.
Hamza theksoi se kandidati do të duhet të ishte me marrëveshje në tavolinë, teksa deklaroi se PDK-ja nuk pranon kandidatë tjerë "pos dy kandidateve që i thamë". 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.
Policia tregon se një protestuesi i përkeqësua gjendja dhe iu dha ndihmë
Policia e Kosovës u ka bërë qytetarëve që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe t’i respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë.
Në një njoftim të Policisë, është thënë se kohë pas kohe nga persona të caktuar ka pasur hedhje të mjeteve piroteknike.
Po ashtu ka njoftuar se gjatë protestimit, një personi i është përkeqësuar gjendja dhe zyrtarët policorë i kanë ofruar ndihmë.
“Në orët e mbrëmjes, protestuesit nga sheshi “Ibrahim Rugova” janë zhvendosur në sheshin “Skënderbeu”, për të vazhduar me protestë, ku kohë pas kohe nga persona të caktuar ka pasur hedhje të mjeteve piroteknike dhe fishekzjarre. Gjatë protestimit, një personi i cili gjendej në masë, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, të cilin zyrtarët policorë janë futur në masë për ti ofruar ndihmë mjekësore, të cilit i kanë mundësuar tërheqjen nga masa në bashkëpunim me qytetarë, për ta dërguar brenda kordonit të sigurisë, ku edhe i është dhënë ndihma e parë nga ekipi mjekësor. Policia e Kosovës, falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe njëherit vazhdon të ju bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë, që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe demokratike, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë në interes të sigurisë së përgjithshme. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e mandatit të saj ligjor dhe po monitoron situatën e zhvillimet në terren, forma e protestimit të qetë ndihmon dhe kontribuon në mbarëvajtjen e protestës, rendit dhe qetësisë publike, duke mos rrezikuar jetën dhe pronën publike e private”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Kush është Justina Shiroka-Pula, presidentja e Kosovës?
Akademikja Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Kosovës.
Deri tash ajo ka qenë kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).
Në biografinë e publikuar në faqen e ASHAK-ut thuhet se Shiroka-Pula u lind më 1953 në Prishtinë. Shkollën fillore (1968) dhe të mesmen (1972) i kreu në Prishtinë. Diplomoi me sukses në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, në vitin 1976. Studimet pasuniversitare, në fushën e Teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik, i vijoi në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Zagrebit, ku u diplomua në vitin 1984. Sipas biografisë Shiroka-Pula u doktorua në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës (1977), duke mbrojtur tezën e doktoratës me titull ”Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Pas diplomimit, ajo punoi për një kohë të shkurtër në Bankën Popullore të Kosovës. Në vitin 1978, nisi karrierën e gjatë akademike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës si asistente për lëndën “Kërkimet Operacionale”. Kaloi nëpër të gjitha rrethet e avancimit akademik, duke u zgjedhur Profesore Ordinare në vitin 2004. Gjatë karrierës ka shërbyer si Shefe e Departamentit të Menaxhmentit dhe Informatikës, anëtare e Senatit të UP-së dhe anëtare e Bordit Drejtues të UP-së. Ka kryer studime dhe trajnime post-doktorale jashtë vendit, duke përfshirë Universitetin e Lincit në Austri dhe Universitetin e Arizonës në SHBA.
Shiroka-Pula ka mbajtur edhe pozita të larta publike. Ka shërbyer si Ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës gjatë viteve 2008–2011, si dhe ishte deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e PDK-së gjatë viteve 2011–2014.
Kurti propozon Justina Pulën për presidente
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë sërish në një konferencë për media dhe ka ndërruar propozimin për postin e presidentit.
Kurti ka propozuar kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka-Pulën, për këtë pozitë dhe ka ftuar Partinë Demokratike të Kosovës të vijnë dhe ta votojnë. Ai përsëriti se janë të gatshëm që paraprakisht të votojnë për ndryshimet në Ligjin për Specialen, edhe në lexim të dytë, nëse Hamza zotohet se do të marrin pjesë me votë në seancë edhe për presidentin.
Kryeministri ka theksuar se Shiroka-Pula ka qenë ministre e PDK-së në Qeverinë Thaçi 1 dhe e ka ftuar Hamzën që ta bindë atë për këtë post.
“Po ja votojmë paraprakisht projektligjin për Specialen, jo më pas. Përpara. Seanca të mbahet me dy pika. Pika e parë leximi i dytë i projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Specialen e mandej votimi për presidente, profesoreshën Justina Shiroka Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ish-ministre në Qeverinë Thaçi 1”, tha Kurti.
I pyetur nëse është kontaktuar Justina Shiroka Pula, Kurti ka thënë që Hamza duhet ta kontaktojë dhe ta bindë.
"Ka qenë ministre e PDK-së, le ta bindë z. Hamza unë jam dakord", tha Kurti.
Edhe para kësaj konference, Kurti deklaroi se janë të gatshëm që së pari të votohet në lexim të dytë për ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale, në rast se PDK-ja zotohet se do të marrë pjesë në votimin për president.
Por, emrat e propozuar më parë nga Kurti ishin Glauk Konjufca e Feride Rushiti - emra të cilët i kishte propozuar edhe para zgjedhjeve të cilët ishin mbajtur më 7 qershor.
Pas Kurtit, në konferencë doli kryetari i PDK-së, Bedri Hamza dhe e refuzoi propozimin.
Hamza i quajti joserioze propozimet e Kurtit, ndërsa theksoi se të dy emrat e propozuar nga Kurti për president janë politik. Sipas Hamzës edhe Feride Rushiti është Vetëvendosje porse nuk e di ka edhe librezë të këtij subjekti politik.
Haziri: UÇK nuk është mall tregu, durimi po soset
Çlirim Haziri, një nga organizatorët e protestave ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se durimi po soset.
Ai ka thënë se “çështjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ligjet e lirisë s’guxojnë të shndërrohen në monedhë këmbimi”.
“Çdo përpjekje për të kushtëzuar apo vonuar vendimet jetike për UÇK-në, përbën papërgjegjësi historike. Të vendosesh në peshore sakrificën e një populli përballë emrave të përveçëm apo interesave partiake është pengmarrje e historisë sonë. Le ta dëgjojnë mirë këtë shesh në këto orë të vona të mbrëmjes. Mesazhi ynë është i prerë e i qartë. UÇK nuk është mall tregu e nuk bën pjesë në asnjë pazar politik”, ka thënë Haziri në fjalimin e tij para turmës së protestuesve që janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë.
Ai u ka bërë thirrje protestuesve të mos hedhin mjete piroteknike në drejtim të policisë.
Sot është dita e fundit për zgjedhjen e presidentit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në propozimin e fundit ka ofruar mbajtjen e një seance me dy pika të rendit të ditës: votimin në lexim të dytë të ndryshimeve të Ligjit për Specialen dhe zgjedhjen e presidentit. Ai ka propozuar Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin, si kandidatura për postin e presidentit. Oferta është refuzuar nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Protestuesit gjuajnë mjete piroteknike në drejtim të Qeverisë, lëndohet një protestues
Protestuesit kanë nisur të hedhin mjete piroteknike në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Organizatorët e protestës kanë bërë thirrje te protestuesit të mos e gjuajnë asnjë mjet piroteknik në drejtim të policisë.
Një numër i mjeteve piroteknike kanë rënë në afërsi të policisë.
“Policia është e jona. Ne kemi dal për të protestuar, jo me u përlesh me policinë. Forca jonë është zëri ynë”, ka thënë Çlirim Haziri.
Një protestues është lënduar dhe nga policët është dërguar në autoambulancë.