Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ish-inspektori i policisë që gënjeu për vdekjen e bashkëshortes në Barbados

Rebekah Arter

Një ish-hetues i Policisë Metropolitane të Londrës, i cili ishte hetuar për shfrytëzim seksual të viktimave të cenueshme, të cilat kishte për detyrë t’i mbronte, më vonë dha deklarata të rreme për vdekjen e bashkëshortes së tij në një dhomë hoteli në Barbados. Këtë e ka zbuluar emisioni hulumtues Panorama i BBC-së

Warren Arter u njoh për herë të parë me bashkëshorten e tij, Rebekah, pasi ajo kishte denoncuar në polici dhunën në familje. Në atë kohë, ai ishte hetues policie në Londër. Por më vonë, Arter e dhunoi atë për më shumë se një dekadë. Vdekja e Rebekahs, dy vjet më parë, nuk është hetuar asnjëherë siç duhet.

Emisioni hulumtues i BBC-së Panorama ka zbuluar dështime të autoriteteve në Barbados për ruajtjen e provave dhe marrjen në pyetje të punonjësve të hotelit lidhur me sjelljen e dyshimtë të Arterit, para dhe pas vdekjes së Rebekahs në moshën 47-vjeçare.

Pavarësisht kërkesës së familjes së saj për ndihmë, Policia Metropolitane e Londrës nuk dërgoi hetues në ishullin e Karaibeve. Në një përgjigje për BBC-në, policia tha se kishte marrë këtë vendim pasi nuk ishte paraqitur asnjë pretendim për kryerjen e një vepre penale.

Familjarët e Rebekahs, të cilët kanë folur publikisht për herë të parë, i kanë thënë emisionit Panorama se policia e Londrës e la atë pa mbrojtje. Shkaku i vdekjes së saj ende nuk dihet. Në Mbretërinë e Bashkuar, mjeku ligjor nuk ka arritur në një përfundim të qartë për rrethanat e vdekjes.

BBC-ja ka biseduar edhe me punonjës të hotelit, të cilët ishin thirrur në dhomën e çiftit në qershor të vitit 2024, pasi Arter kishte telefonuar recepsionin duke thënë se bashkëshortja e tij ishte rrëzuar dhe nuk ndihej mirë.

Dëshmitë e punonjësve të hotelit, burimet nga policia dhe komunikimet e çrregullta të Arterit pas vdekjes së Rebekahs zbulojnë disa fakte shqetësuese:

Arter dha versione të ndryshme për atë që kishte ndodhur. Ai u tha punonjësve të hotelit dhe familjarëve të Rebekahs se ajo ishte mbytur, ishte rrëzuar dhe kishte goditur kokën, ose se ai ishte zgjuar dhe e kishte gjetur të vdekur.

Provat nuk u siguruan në kohë, nuk u kryen analiza të rëndësishme mjeko-ligjore, ndërsa organet e Rebekahs u prenë në mënyrë të pashpjegueshme nga një patolog në Barbados.

Katër ditë pas vdekjes së saj, një drejtues i lartë i Policisë Metropolitane, pjesë e strukturës drejtuese të quajtur Gold Command, u informua për rastin dhe për akuzat ndaj Arterit. Megjithatë, kjo nuk çoi në dërgimin e hetuesve në ishullin e Karaibeve.

Arter, 54 vjeç, i dha fund jetës në burgun HMP Wandsworth, disa ditë pasi ishte kthyer nga Barbadosi dhe ishte arrestuar nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë ndaj një gruaje tjetër.

Versione kontradiktore

Në vitin 2006, Rebekah po përpiqej të largohej nga një marrëdhënie abuzive, kur Arter, atëherë hetues policie, mori në shqyrtim rastin e saj. Më pas, ai nisi një lidhje me të dhe, pak kohë më vonë, u vendos në shtëpinë e saj.

Tre vjet më vonë, Arter u emërua në krye të një njësie në juglindje të Londrës, e cila hetonte rastet e përdhunimeve.

Më vonë, ai u pezullua nga detyra dhe u hetua nga Zyra e Pavarur për Sjelljen e Policisë (IOPC), lidhur me sjelljen e tij ndaj tetë grave që e kishin akuzuar për abuzim. Megjithatë, ai nuk u dënua asnjëherë.

Gjatë shtatë vjetëve të pezullimit, Arter vazhdoi të merrte pagën e plotë si inspektor policie. Ai u përjashtua nga policia në vitin 2023, për shkak të shkeljeve që lidhen me drogën.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, ai e kishte nënshtruar Rebekahn ndaj dhunës seksuale dhe fizike, kontrollit të vazhdueshëm dhe përdorimit të drogës pa dijeninë e saj. BBC-ja raporton se ka siguruar edhe pamje filmike që dëshmojnë këto abuzime.

Panorama ka biseduar me disa punonjës që ishin në detyrë natën kur Rebekah vdiq, në hotelin luksoz O2 Beach Club në Barbados. Të gjithë thonë se sjellja e Arterit atë natë ishte e dyshimtë.

Dy prej tyre hynë në dhomën e çiftit pasi Arter kishte telefonuar dhe kishte njoftuar se bashkëshortja e tij nuk ndihej mirë. Sipas tyre, që në momentin e parë ishte e qartë se Rebekah kishte vdekur.

Andrew, një punonjës i sigurimit, thotë se iu desh ta ndalonte Arterin të shkonte në një festë që po mbahej në një rrugë aty pranë, para se të mbërrinin shërbimet e emergjencës.

“Po e pyesja pse duhej të largohej, kur kishte një problem shumë më serioz përpara”, tregon ai.

Sipas Andrewt, Arter iu përgjigj se kishte nevojë të qetësonte mendjen.

Më pas, Arter filloi të qante në mënyrë të shtirur dhe të kryente reanimim kardiopulmonar (CPR), edhe pse buzët e Rebekahs ishin bërë blu. Andrew thotë se Arter vazhdonte ta ndryshonte versionin e ngjarjes.

Fillimisht, ai i tha se Rebekah ishte rrëzuar pranë një komodineje, por trupi i saj ndodhej në një pjesë tjetër të dhomës, pranë kuzhinës. Kur mbërriti policia, Andrew thotë se e dëgjoi Arterin t’u tregonte policëve se e kishte gjetur bashkëshorten në atë gjendje.

Sipas punonjësit të sigurimit, Rebekah nuk kishte shenja të dukshme të ndonjë goditjeje në kokë, megjithëse kishte njolla gjaku në shtrat, në mur dhe në pjesën e dhomës së ndenjjes.

Arter kishte filmuar dhomën dhe ua kishte dërguar videon familjarëve dhe miqve në Mbretërinë e Bashkuar.

“Nga pamja e parë duket si çokollatë, por është gjak”, dëgjohet duke thënë ai në video.

Andrew thotë se e kishte këshilluar Arterin të telefononte familjarët në Britani. Më pas, e dëgjoi duke u thënë atyre se Rebekah nuk ishte ndier mirë.

“Ai po përpiqej të gjente një version të ngjarjes që të dukej i besueshëm, por asnjëri prej tyre nuk kishte kuptim”, thotë Andrew.

Punonjësi i sigurimit thotë se ua tregoi policëve në Barbados atë që kishte parë dhe dha edhe një deklaratë me shkrim, por nuk u mor asnjëherë zyrtarisht në pyetje.

Panorama ka siguruar disa nga mesazhet e Arterit dhe ka biseduar me miqtë dhe familjarët e Rebekahs, të cilët ai i kishte kontaktuar menjëherë pas vdekjes së saj.

Nga këto komunikime rezulton se Arter kishte dhënë edhe shpjegime të tjera për vdekjen e saj. Ai kishte thënë se Rebekah ishte “mbytur” ose se dikush mund t'ia kishte hedhur drogën në pije.

Këto versione bien ndesh me atë që tregon Lacey, nusja e djalit të Rebekahs. Ajo thotë se Arter i kishte treguar se të dy kishin fjetur për 18 orë dhe se, kur ishte zgjuar, e kishte gjetur bashkëshorten të vdekur.

“Ai gënjente hapur. Madje, harronte edhe çfarë u kishte thënë njerëzve të tjerë”, thotë Lacey.

Nën ndikim të alkoolit

Policia në Barbados e ndaloi për pak kohë Arterin, por më pas e liroi.

Njëri nga policët që kishte hyrë në dhomën e hotelit atë natë refuzoi t’i jepte Panoramas informacione pa pagesë. Ai ende kishte në telefon një fotografi të trupit të pajetë të Rebekahs.

Policia në Barbados nuk iu përgjigj kërkesës së BBC-së për koment.

Edhe punonjës të tjerë të hotelit i kanë thënë BBC-së se kishin vënë re sjelljen shqetësuese të Arterit ndaj Rebekahs gjatë qëndrimit të tyre.

Kenneth, mbikëqyrës i sigurimit, thotë se Arter sillej në mënyrë kontrolluese dhe nuk e lejonte Rebekahs të bënte asgjë e vetme. Sipas tij, ajo dukej shpesh nën ndikimin e alkoolit ose substancave të tjera.

Një tjetër punonjëse, e cila punonte në recepsion, thotë se stafi dyshonte se Arter i jepte Rebekahs drogë pa dijeninë e saj.

Panorama ka siguruar edhe një video të filmuar nga Arter me telefonin e tij, kur Rebekah ishte ende gjallë. Në pamje, ajo duket qartë nën ndikimin e substancave. Ajo ka veshur të njëjtat rroba me të cilat shfaqet edhe në fotografitë e bëra pas vdekjes.

Në orët e para të mëngjesit, pas vdekjes së Rebekahs, gjatë ndërrimit të natës së punonjëses së recepsionit, Arter iu afrua sportelit dhe e pyeti se kur kishte bërë bashkëshortja e tij për herë të fundit masazh në qendrën e spa-së të hotelit.

Punonjësja thotë se pyetja iu duk e pazakontë dhe krijoi përshtypjen se Arter po përpiqej të përputhte rrëfimin e tij me atë që mund të dëshmonin të tjerët.

Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar, djali i Rebekahs, Elliot, dhe bashkëshortja e tij, Lacey, po shqetësoheshin gjithnjë e më shumë pas vizitës në shtëpinë ku ajo kishte jetuar me Arterin.

Brenda shtëpisë, ata thonë se gjetën lloje të ndryshme droge dhe kamera të fshehta të sigurisë, të cilat Arter i kishte instaluar pa u vënë re nëpër banesë.

Ata zbuluan gjithashtu fotografi ku Rebekah shihej e zhveshur dhe me shenja mavijosjeje në trup, në poza gjatë akteve seksuale, të cilat dukeshin se ishin bërë pa pëlqimin e saj.

Katër ditë pas vdekjes së Rebekahs, Elliot dhe Lacey shkuan në stacionin policor të Bexleyheathit, në të njëjtin vend ku Arter dikur kishte drejtuar hetimet për rastet e përdhunimit. Ata donin të raportonin vdekjen e saj dhe t’i shprehnin policisë shqetësimet për përfshirjen e mundshme të tij në këtë rast.

“Punonjësit në sportel na thanë: ‘Epo, kjo ka ndodhur në Barbados, është çështje e policisë atje’, dhe fillimisht u përpoqën ta shmangnin këtë çështje”, tregon Elliot.

“Sapo përmenda emrin e Warrenit, gjithçka u bë kaotike. Disa inspektorë erdhën menjëherë te sporteli”, thotë Lacey.

Megjithatë, sipas saj, vëmendja e policisë nuk ishte aq shumë te vdekja e Rebekahs, sa te vetë Arteri.

Atë mbrëmje, një polic informoi një drejtues të lartë të Policisë Metropolitane, pjesë e strukturës Gold Command, e cila vendos se si duhet të reagojë policia në raste të tilla. Pavarësisht kësaj, në Barbados nuk u dërguan hetues nga Britania.

Forcat policore në Mbretërinë e Bashkuar mund të kërkohen të ndihmojnë në hetimin e vdekjes së një shtetasi britanik jashtë vendit. Kjo zakonisht ndodh me kërkesë të policisë vendore të vendit ku ka ndodhur vdekja.

Sipas udhëzimeve të Ministrisë së Jashtme britanike, përfshirja e policisë britanike është më e arsyeshme kur familjarët kërkojnë ndihmë dhe ekzistojnë shqetësime të besueshme për rrethanat e vdekjes, siç ishte rasti me Rebekahn.

Policia Metropolitane i tha BBC-së se kishte bërë përpjekje të menjëhershme për të siguruar informacione dhe për të vlerësuar nëse duhej të dërgonte hetues në Barbados. Megjithatë, vendosi se një gjë e tillë nuk ishte e përshtatshme, pasi nuk ishte ngritur asnjë akuzë për kryerjen e një vepre penale.

Në një hetim të mëvonshëm gjyqësor në Mbretërinë e Bashkuar, u konstatua se një patolog në Barbados i kishte prerë organet e Rebekahs në copa të vogla, pa ndonjë arsye të qartë.

Sipas një patologu britanik, i cili e ekzaminoi trupin e saj pasi u kthye në vendlindje, kjo procedurë nuk kishte asnjë qëllim mjekësor dhe kishte shkatërruar prova të rëndësishme për hetimin.

Hetimi gjyqësor konstatoi gjithashtu se nuk ishin kryer analiza të rëndësishme toksikologjike dhe histologjike, të cilat do të mund të zbulonin shenja të sëmundjeve, lëndimeve apo ndryshimeve të tjera në organizëm.

Mjeku ligjor, Andrew Harris, tha se këto mangësi ngrinin dyshime për mundësinë e “fshehjes së qëllimshme të provave ose pengimit të hetimeve të mëtejshme”.

Ai shtoi se njollat e gjakut në çarçafët e shtratit mund të ishin shkaktuar nga të vjellat, por nuk pranoi përfundimin e autoriteteve në Barbados se Rebekah kishte vdekur nga pneumoniti aspirativ, një inflamacion i mushkërive që mund të shkaktohet nga futja e përmbajtjes së stomakut në rrugët e frymëmarrjes.

Për këtë arsye, mjeku ligjor nuk arriti të përcaktonte shkakun e vdekjes dhe dha një vendim të hapur, që nënkupton se rrethanat e vdekjes mbeten të paqarta.

Ai arriti në përfundimin se vdekja e Rebekahs ka të ngjarë të ketë lidhje me përdorimin e substancave dehëse, por nuk përjashtoi mundësinë që ajo të ishte vrarë në mënyrë të paligjshme.

Megjithatë, hetimi gjyqësor nuk shqyrtoi akuzat për shfrytëzim seksual të disa grave të tjera nga Arter, rastet e të cilave ai i kishte hetuar gjatë kohës kur punonte si polic, pasi kjo çështje nuk konsiderohej pjesë e hetimit për vdekjen e Rebekahs.

Policia në Barbados kishte deklaruar më herët se në trupin e saj nuk ishin gjetur shenja dhune dhe se nuk kishte asgjë që të tregonte se vdekja kishte ndodhur në rrethana të dyshimta. Sipas policisë, nuk ishin urdhëruar analiza toksikologjike, pasi besohej se Rebekah kishte vdekur nga shkaqe natyrore.

Një javë pas vdekjes së Rebekah Arter u kthye në Mbretërinë e Bashkuar. Ai u arrestua në aeroportin Heathrow, nën dyshimin për vepra penale seksuale ndaj një gruaje tjetër. Edhe rastin e saj ai e kishte hetuar në vitin 2010, kur ishte pjesë e policisë.

Tri ditë më vonë, ai u gjet i vdekur në burgun Wandsworth.

Në një përgjigje për BBC-në, komandanti i Policisë Metropolitane, Simon Messinger, tha:

“Mendimet tona janë me familjen e Rebekah Arter, e cila me të drejtë ka shumë pyetje lidhur me rrethanat e vdekjes së saj.

U bëjmë thirrje të gjitha viktimave që kanë përjetuar përdhunim apo vepra të tjera penale seksuale, pavarësisht se sa kohë ka kaluar nga ngjarja, të na kontaktojnë”.

Elliot thotë se dy fëmijët e tij të vegjël nuk do të kenë kurrë mundësi ta njohin gjyshen e tyre.

“Vajza dhe djali im nuk do të kenë asnjë kujtim për të”, thotë ai.

“Edhe për pjesën tjetër të jetës sime, nuk do ta di kurrë se si ka vdekur nëna ime”.