Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kuvendi e miraton në parim Projektbuxhetin e 2027-s

Kuvendi i Kosoves

Foto: Driton Paçarada

Planifikimi buxhetor i qeverisë për vitin e ardhshëm është trajtuar në Kuvendin e Kosovës. Pas miratimit paraprak në Ekzekutiv e në Komisionin Parlamentar, deputetët e anëtarët e qeverisë në seancën e së enjtes kanë ballafaquar vlerësimet e tyre për këtë projektbuxhet deri në mesnatë, kur edhe e kanë miratuar në parim

Është miratuar në parim Projektbuxheti për vitin 2027.

Në seancën e Kuvendit, deputetët nisën pasditen e së enjtes shqyrtimin e buxhetit që do të jetë 4.27 miliardë, apo 300 milionë më shumë se sa buxheti fillestar i sivjetmë. Diskutimi zgjati deri në mesnatë, kur edhe u miratua me 61 vota për. Pati edhe momente ndërprerjeje të diskutimeve shkaku i ndërprerjes së energjisë elektrike, ndërsa për energjinë vazhdoi diskutimi edhe pas mesnatës.

Diskutimet nisën pasditen e së enjtes, për shqyrtimin e buxhetit që do të jetë 4.27 miliardë, apo 300 milionë më shumë se sa buxheti fillestar i sivjetmë. Diskutimi zgjati edhe pasi hyri e premtja, dhe pati momente ndërprerjeje shkaku i ndërprerjes së energjisë elektrike.

Gjatë prezantimit të dokumentit, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se synon ta çojë Kosovën në fazë të re të transformimit ekonomik. Ai ka folur kapitull për kapitull.

Te pagat dhe mirëqenia e punonjësve publikë, ai ka thënë se Buxheti i vitit 2027 vazhdon politikën e rritjes së të ardhurave.

“Sikurse edhe këtë vit, është paraparë pagesa e pagës së 13-të. Krahas saj, nga 1 korriku i vitit 2027, koeficienti i pagave do të rritet në 120 euro. Pra, në gjysmën e parë të vitit, punonjësit publikë do të përfitojnë pagën e 13-të, ndërsa në gjysmën e dytë do të fillojë zbatimi i rritjes së koeficientit, që nënkupton rritje të pagës për të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit”, ka thënë ai.

Buxheti për paga është 1 miliard e 85 milionë euro. Sipas kryeministrit, i shpërndarë në rreth 85 mijë punonjës publikë, ky nivel i financimit reflekton pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh, apo më shumë se 1 mijë euro bruto në muaj mesatarisht për punonjës.

Promovimi nga pushteti

Kurti ka folur edhe për mbështetje më të madhe për familjet dhe fëmijët.

“Një tjetër zotim që po e përkthejmë në masa konkrete buxhetore është dyfishimi i shtesave për fëmijët gjatë këtij mandati. Për këtë qëllim, kemi paraparë një rritje graduale në katër faza, me nga 25% për çdo vit, krahasuar me shumën aktuale. Faza e parë fillon më 1 janar 2027, kur shtesat për fëmijë do të rriten për 25%. E njëjta rritje do të vazhdojë në janar të vitit 2028, janar 2029 dhe janar 2030, kur do të përmbyllet procesi i dyfishimit të tyre”, ka thënë ai. “Për ta konkretizuar: një familje me dy fëmijë, që aktualisht i merr 60 euro në muaj, nga 1 janari 2027 do të përfitojë 75 euro. Ndërsa një familje me katër fëmijë, që aktualisht merr 180 euro, do të përfitojë 225 euro në muaj”.

Në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, ai ka thënë se është bërë një riorganizim i prioriteteve – është përgjysmuar buxheti për shpenzimet e udhëtime zyrtare jashtë vendit dhe mjetet e kursyera janë orientuar drejt financimit të barnave esenciale për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Ndërkaq, tek ka folur për kapitullin e katërt, ai ka thënë se Buxheti i vitit 2027 do të shënojë një nivel të ri të investimeve kapitale. 

“Për herë të parë, mbi 1 miliard euro do të ndahen vetëm për këtë kategori”, ka thënë kryeministri. “Në këtë kuadër, kemi paraparë fillimin e punëve përgatitore për projekte të rëndësishme rrugore, përfshirë Unazën e Jashtme të Prishtinës, segmentin Duhël–Banullë, që do të lidhë dy autostradat, Autoudhën e Dukagjinit, si dhe një numër të madh rrugësh të tjera nacionale dhe rajonale, të cilat do të ndërtohen, zgjerohen apo rehabilitohen. Përtej infrastrukturës rrugore, investimet do të përqendrohen edhe në sigurinë ujore dhe mbrojtjen e mjedisit. Kemi paraparë nisjen e punëve për ndërtimin e digave të reja, pasi të jenë kryer dizajnet dhe projektet, diga të cilat mundësojnë ruajtjen e rezervave ujore dhe menaxhimin më të mirë të ujit”.

Ai ka folur edhe për buxhetin në aviacion, turizmin dhe zhvillimin ekonomik.

Kritika e opozitës

Por, me tjetër sy është parë nga opozitarët Projektbuxheti.

Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Mustafa, tek është ndalur te projeksionet për projekte kapitale, ka thënë se buxheti nuk mjafton nëse projektet nuk përfundojnë.

“Po flitet me pompozitet, po flitet për vlera të mëdha, mirëpo problemi kryesor i ekonomisë në Kosovë nuk është sa para planifikon Qeveria, por çfarë rezultati po ofron me ato para. Po prodhojmë pak, po importojmë shumë. Qytetarët po përballen me kosto të papërballueshme të jetesës. Nuk zutë në gojë pensionistët, që planifikuat ndonjë rritje të pensioneve”, ka thënë Mustafa, dhe ka vazhduar kritikat për shkallë të ulët të realizimit të projekteve kapitale, duke e vënë fokusin tek autostrada Prishtinë-Gjilan. “Në buxhetin e vitit 2026 vlera totale e kësaj autostradë ka qenë 182 milionë euro ndërsa në buxhetin për vitin 2027 vlera e tërësishme e projektit është 95.8 milionë euro... Autostrada nuk po kryhet, një stadium që 10 vjet nuk po kryhet, keni paraparë qarkore që nuk është rendi që kryhet, Kamenica po zbrazet. A ndieni kryeministër ndonjë përgjegjësi ndaj atij rajoni që ju ka mbështetur me votë? Nëse kishit pasur ndonjë ministër nga ai rajon, ju kish njoftuar për problemet atje”.

E, kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka thënë se buxheti 4.27 miliardë euro i vitit 2027 është 7 për qind më i madh se buxheti i vitit 2026, por aq thotë se ka qenë edhe inflacioni.

Ai ka theksuar se është e vështirë të bëhet një debat i sinqertë për buxhetin, kur buxheti i vitit 2027 premton kryesisht paga më të larta, shtesa për fëmijë e ndihmë. 

Abdixhiku në seancën e Kuvendit ka thënë se është i vetëdijshëm se njerëzit presin çdo ndihmë shtesë dhe se në rrethanat e tanishme kjo është shpresa e vetme e tyre. Ai ka thënë se këto ndihma janë edhe burimi i problemeve të qytetarëve.

“Ndiej domosdoshmërinë të them të vërtetën edhe kur nuk na pëlqen e nuk është popullore. Dua të flas për qytetarët e Kosovës me të vërtetën e vetme edhe nëse nuk u pëlqen. Kjo e vërtetë thotë qartë se me shtet social, me ndihma, pa investime, s’kemi për të pasur kurrë jetë të mirë në Kosovë. Do të vazhdojmë të mbesim të fundit në Evropë në ekonomi, shëndetësi, arsim, teknologji, e me standard të jetës. Vitet kalojnë, e do të na rriten çmimet e do të kemi nevojë më tepër për ndihma. E ato ndihma do të vazhdojnë të rrisin çmimet, sepse këtë punë dinë me bë, ta rrisin konsumin”, ka thënë Abdixhiku. 

Ai ka thënë se LDK-ja ka synim që të rritet koeficienti për paga në 150 euro, por edhe ka synime shumëfishë më të mëdha për investime kapitale. Ai ka thënë se mund të bëhen dyja edhe ndihma edhe investime. 

Abdixhiku ka theksuar se duhen të ndërtohen kapacitete të reja për prodhim të energjisë, e duhet të ndërtohen rrugë. Po kështu, ka thënë se duhet të ketë mësim tërëditor në të gjitha shkollat e Kosovës dhe duhen investime në sektorin e teknologjisë

“Me këtë trend do të duhen 80 vjet për ta arritur mesataren e Bashkimit Evropian”, tha Abdixhiku. 

Ai ka thënë se Kosova, duke u mbështetur në ligj, mund të gjenerojë deri 3 miliardë euro kredi jashtëzakonisht të buta duke e rritur borxhin publik e me to të investojë. Po ashtu ka thënë se 3 miliardë euro nga Fondi Pensional janë investuar në vende tjera, e mund të investohen në Kosovë. 

“Po ngecim në cikël që na mban në të njëjtin vend”, ka thënë Abdixhiku.

Polemika për buxhetin

Gjatë shqyrtimit në lexim të parë të projektbuxhetit, janë bërë edhe polemika mes deputetëve opozitarë e anëtarëve të kabinetit qeveritar.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj kritikave të opozitës për politikat sociale dhe ekonomike të Qeverisë, duke thënë se gjatë mandatit të tyre janë krijuar kushte për punësim, krahas mbështetjes financiare për kategori të ndryshme të qytetarëve.

Murati tha se Qeveria është përqendruar në mbështetjen e fëmijëve dhe pensionistëve, ndërsa për personat e aftë për punë ka krijuar mundësi punësimi. Replikën në këtë pikë e bëri ndaj Abdixhikut.
Ai deklaroi se numri i të punësuarve është rritur për 100 mijë gjatë mandatit të tyre, nga 350 mijë në 450 mijë, duke shtuar se krahas rritjes së punësimit janë rritur edhe pagat.

“U tha që qytetarët nuk duhet mbështetur, por krijuar kushte për punësim. Ne kemi bërë të dyja. Fokusi ka qenë që mbështetje të japim për ato grupe të shoqërisë të cilat nuk marrin pjesë në tregun e punës, për grupmoshat 0-16 dhe pensionistët. Për ata që janë të aftë për punë, kemi krijuar kushte për punësim. Kur e kemi marrë mandatin kanë qenë 350 mijë të punësuar. Aktualisht janë 450 mijë sosh. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në asnjë qeverisje më parë”, ka thënë Murati. “Krahas shtimit të punës, kemi pasur edhe rritjen e pagave, ka pasur sfida, shpesh. Po përmendet inflacioni. Meqenëse Kosova valutën euro nuk e ka që e shtyp vetë, e kemi adoptuar euron, ne jemi të hapur apo ekspozuar edhe ndaj inflacionit”.

Për inflacionin kritika ka dhënë edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu.

Ajo ka thënë se buxheti i prezantuar nga Qeveria nuk është zhvillimor, por është konsumues dhe pa zhvillim të mjaftueshëm ekonomik. 

Haxhiu ka theksuar se në buxhet nuk është paraparë se sa ka rritje të importit, gjë që sipas saj, do t’i rriste të hyrat. 

“Inflacioni zyrtar në këtë Projektligj për vitin 2027 është 7.8 për qind, pra kemi zvogëlim real të buxhetit. Aty ku duhet të ketë zhvillim dhe duhet të investohet ju si Qeveri ngecni”, është shprehur deputetja e Aleancës.

Kritika ka dhënë edhe kolegia e saj, Time Kadrijaj. Ajo ka kërkuar nga kryeministri Kurti përgjigje se pse nuk ka ndarë buxhet për hekurudhën Prishtinë-Durrës, duke deklaruar se hekurudhat ishte thënë nga Kurti se do të jenë prioritet.

“Kryeministër keni thënë që hekurudhat janë prioritet, por çka u bë me hekurudhën Durrës-Prishtinë, të cilën nuk e keni përfshirë në buxhet”, ka thënë ajo.

Kadrijaj ka adresuar edhe kritika të tjera.

“Sot në Kosovë nuk po jetohet, por po mbijetohet. Pyetja jonë është ku po shkojnë këto pare dhe çfarë rezultate po japin? Kemi mbi 1 miliard euro për investime kapitale, por problemi është te realizimi i tyre. Kemi projekte që nisin e nuk përfundojnë, rast i kemi autostradat që po zvarriten dhe me vite nuk po kryhen dhe buxheti që po ndahet për to është shumë i vogël sa që nuk po dihet kur do të përfundojnë”, ka thënë ajo.

E, duke iu drejtuar kryeministrit Kurti, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, kërkoi llogaridhënie për premtimet e dhëna ndër vite, duke përmendur ndërtimin e 160 çerdheve, 4 mijë banesave për familjet e reja, modernizimin e hekurudhave dhe përfundimin e projekteve infrastrukturore.

Ai theksoi se, pas disa vjetësh në qeverisje, qytetarët presin rezultate konkrete dhe jo përsëritje të premtimeve.

“Ky buxhet është ndërtuar më shumë për të administruar dhe ushqyer varfërinë sesa për të bërë qytetarin financiarisht të pavarur. Ne duam punësim, paga dinjitoze, banim të përballueshëm, biznese që ndihmojnë dhe zhvillojnë fermerët dhe që ato të janë fitimprurëse”, ka thënë Lushtaku.

Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se buxheti për arsimin është zvogëluar. 

Ajo ka reaguar pasi që kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria e ka prioritet arsimin. Por Lushaku-Sadriu ka deklaruar se s’mund të jetë prioritet një fushë, për të cilën, sipas saj, buxheti është zvogëluar. 

“Nëse kryeministri thotë që arsimi është prioritet, po i them që e ka zvogëluar buxhetin e arsimit. Buxheti në vitin 2027 parashikohet rritja, por granti për arsim zvogëlohet”, ka thënë ajo.

E, ndryshe nga opozitarët, ligjvënësit e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë mbështetur Projektbuxhetin.

Deputeti i kësaj partie, Enver Haliti, ka thënë se buxheti është përkthim i programit qeverisës dhe i premtimeve e prioriteteve në vendime. 

“Ky buxhet ndërtohet mbi kapacitetin e të hyrave të rregullta, ai nuk mbështetet në fondet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe nuk planifikon financim përmes klauzolës së investimeve”, ka thënë Haliti, duke shtuar se kjo paraqet një ndryshim të rëndësishëm në strukturën e financimit të investimeve kapitale. 

Paraprakisht, në këtë seancë, deputetët kanë miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare, derisa diskutime të shumta janë zhvilluar mes deputetëve dhe kryeministrit Albin Kurti edhe sa u përket planit të rritjes, energjisë, lojërave mesdhetare e ligjit për fertilizim.