Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Justina Shiroka-Pula presidente e re e Kosovës

Me 81 vota për Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur presidenten e re. Justina Shiroka Pula është zgjedhur presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit. Votimi përfundoi tre minuta pas mesnatës, ndërsa numërimi përfundoi rreth 15 minuta pas mesnatës. Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ishte propozim i momentit të fundit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Propozimi u pranua nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe kundërkandidate u propozua Eliza Hoxha, deputete e PDK-së. Seanca e jashtëzakonshme, me dy pika të rendit të ditës, nisi rreth 35 minuta para mesnatës, që ishte afati i fundit për zgjedhjen e presidentit. Fillimisht u votuan ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa më pas nisi një votim “flash” për presidenten. Votimi përfundoi në ora 00:03, ndërsa rezultati i kumtuar u bë në ora 00:14. Shiroka-Pula u zgjodh me 81 vota për. Ajo mbajti betimin si presidente.

Hamza: Nëse Specialja nuk e respekton Kuvendin, shkojmë një hap tutje

4 j. më parë / 6 tet 2026 12:50
Bedri Hamza,

Photo: Driton Paçarada

Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se nëse Gjykata Speciale nuk i respekton vendimet e Kuvendit të Kosovës, atëherë duhet të ketë shfuqizim të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në një deklaratë për media, Hamza është pyetur për komentet se ligji i propozuar nga PDK-ja nuk i ndihmon fare të dënuarit nga Specialja.

“Unë e them që çdo ligj që aprovohet në procedurë të rregullt në Kuvend, është i obliguar të zbatohet. Nëse ka ndonjë institucion, në këtë rast edhe gjykatat brenda Dhomave të Specializuara, duke e përfshirë Gjykatën Kushtetuese që injoron Kuvendin e Kosovës, një ligj të aprovuar në Kuvend, jam i bindur se Kuvendi duhet të shkojë edhe një hap tutje e kjo nënkupton edhe shfuqizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Specialja është krijuar me marrëveshje ndërkombëtare të Kosovës me Bashkimin Evropian. 

PDK-ja ka propozuar ndryshime të ligjit. Bazuar në të, gjykata duhet të trajtojë vetëm krimet e supozuara që ndërlidhen me heqjen e organeve dhe që pretendohet se kanë ndodhur pas lufte, nga 1 korriku i vitit 1999 deri më 31 dhjetor të vitit 2000.

Haziri: Nëse nuk votohet Ligji, do t'ju ndjekim në fushata e tubime

4 j. më parë / 6 tet 2026 12:48
Çlirim Haziri

Photo: Driton Paçarada

Çlirim Haziri nga platforma “Jo në emrin tim” ka paralajmëruar se protesta nuk do të ndalet nëse nuk zgjidhet sot çështja e presidentit me ç’rast vendi do të shkonte në zgjedhje.

Haziri me të nisur protesta në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, ka thënë se nuk do të lejojnë që të ketë fushatë e as tubime të zakonshme po që se uk arrihet marrëveshje për presidentin. 

“Sot është dita e fundit, është ora e fundit, prandaj sot nga ky shesh ju drejtohem deputetëve që janë aty brenda, kanë mbetur edhe pak orë, po ju lutemi të bëheni bashkë e të gjeni forcën të jeni njerëz para se të jeni numra partie. Mos e shkelni gjakun e Zahir Pajazitit, mos e shkelni gjakun e Fehmi Lladrovcit, Luan Haradinajt, familjes Jashari, mos e shkelni gjakun e dëshmorëve por votojeni atë ligj. Nëse ju sot e zgjidhni heshtjen, nëse ju sot e dërgoni vendin në zgjedhje vetëm për ta lënë të pambrojtur UÇK-në, atëherë dijeni se kjo protestë nuk përfundon sot, nëse e rrëzoni këtë ligj ne do t’ju ndjekim këmba-këmbës. Nuk do të ketë fushatë e as tubime për ju. Kjo masë do t’ju ndjek si hije”, ka thënë Haziri. 

Ai më tej ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, për dhunë ndaj protestuesve nëpërmjet Policisë.

“Dita e djeshme zbuloi fytyrën e vërtetë të këtij pushteti, dje ra edhe perdja e fundit. Rinia e këtij vendi hodhi fishekzjarrë në shenjë proteste, por mori përgjigje shkopin e pushtetit. Me urdhër të Albin Kurtit e Xhelal Sveclës dje u gjakosën sheshet e Prishtinës, u rrahën qytetarët, u goditën familjarët e dëshmorëve, por më e dhimbshmja, u rrahën pamëshirshëm veteranët e UÇK-së. U gjakosën luftëtarët e lirisë, sepse dolën në këtë shesh dhe thanë UÇK. Dje Albini e Xhelali kthyen forcat e rendit në një mjet qorr, në një shkop gome për të mbrojtur pazaret e tyre me gjakun e UÇK-së. Por sot unë dua t’iu drejtohem atyre policëve shqiptarë që dje u detyruan të ngrenë dorë mbi çlirimtarët: Ne kemi marrë vesh se çfarë presioni po ju bën kjo qeveri”, ka thënë ai.

E përfaqësues të tjerë të kësaj platforme kanë thënë se do të protestojnë para Kuvendit derisa të thirret seanca për kalimin e Projektligjit në lexim të dytë. 

Kuvendi pritet të mblidhet sot

4 j. më parë / 6 tet 2026 12:46 Nga: Rrezon Gashi
Kuvendi i Kosoves

Photo: Driton Paçarada

Tekst i përditësuar – Kuvendi pritet të mblidhet sot gjatë ditës por ende nuk dihet se në çfarë kohe. 

KOHA ka marrë vesh që deputetët janë ftuar për seancë fillimisht në orën 14:00, por më vonë u është thënë që është shtyrë. 

Nga Kuvendi ende nuk ka njoftim për mbajtjen e seancës. 

Sot është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit. Nëse deri në mesnatë nuk zgjidhet presidenti vendi shkon në zgjedhje.

Hamza: S’ka takim për presidentin pa u miratuar në lexim të dytë Ligji për Specialen

4 j. më parë / 6 tet 2026 12:44
hamza

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se nuk do të ketë takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pa u miratuar në lexim të dytë Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Këtë deklarim ai e ka bërë pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së.

Tutje ka thënë se nëse ky ligj ka kaluar në lexim të parë, mund të kalojë edhe në të dytin.

“Takim s’do të ketë derisa ligji të aprovohet në lexim të dytë. Për ne si PDK, për Kosovën, për të ardhmen, ligji është domsodoshmëri”, ka thënë ai.

Tutje ka shtuar se janë të hapur për çështjen e presidentit, pasi të kalojë në lexim të dytë Ligji për Specialen.

Sipas Hamzës, mund të ketë president me marrëveshje, por që i ka atributet dhe karakteristikat për ta përfaqësuar vendin në mënyrën më të mirë të duhur.

Abdixhiku: Po të dëgjohej vizioni ynë, sot do të kishim president dhe stabilitet balancues

4 j. më parë / 6 tet 2026 12:27
lumir abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka thënë se po të dëgjohej vizioni i tyre, sot Kosova do të kishte president dhe stabilitet balancues.

E ka thënë këtë në një shkrim në Facebook në ditën kur mbyllet afati kushtetues për të zgjedhur presidentin e ri.

E vetë Abdixhiku ka pasur marrëveshje me Vetëvendosjen për ta votuar Bekim Sejdiun për president, por se gjashtë deputetë të partisë së tij dolën kundër dhe kjo çoi në tërheqjen e Sejdiut.

“Të jesh LDK do të thotë ta mbash kokën lart dhe ta dish rrugën tënde. Rrugën e Ibrahim Rugovës. Të Kosovës së lirë, të pavarur e në miqësi të përhershme me Amerikën. UÇK-ja është edhe gjaku ynë. Me Amerikën e NATO-n na lidh vetë liria. Asnjë tregtari patriotizmi nuk ia lejojmë ta përvetësojë historinë që e bëmë bashkë. Kemi rrënjë të forta. Etiketimet nuk na e ndryshojnë bindjen. Kërcënimet nuk na e përcaktojnë qëndrimin. Na keni ngatërruar me mercenarët. LDK-ja e di kujt i jep llogari; Kosovës dhe njerëzve të saj. Atyre që janë dhe të tjerëve që s’janë që të jemi ne. Përballë tyre kemi përgjegjësi. Përballë shantazhit veç forcohemi. LDK-ja e di edhe të mbarën për vendin. Po të ishte dëgjuar vizioni ynë, sot do të kishim President dhe stabilitet balancues. Kosova do të kishte angazhim institucional për mbrojtjen e së vërtetës së luftës tonë në botë. Nuk u dëgjua. U luftua me çdo mjet! Ja ku mbetëm sot. Pa institucione, pa mundësi mbrojtjeje, pa kohezion minimal në vend. Ç’ështja është, kujt i shërbyen, në të vërtetë?” ka shkruar ai.

PDK-ja kërkon seancë urgjente për miratimin e Ligjit për Specialen

4 j. më parë / 6 tet 2026 12:14
bedri hamza

Photo: Driton Paçarada

Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media, pas mbledhjes së Kryesisë i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, që të thërrasë me urgjencë seancën plenare për përmbylljen e miratimit të ligjit të Speciales.

Sipas PDK-së, sot, institucionet dhe përfaqësuesit politikë kanë përgjegjësi të veprojnë pa vonesë. Thekson se ky moment kërkon vendimmarrje në interes të shtetit dhe përmbushje të detyrimeve ndaj përpjekjeve të popullit për liri.

“PDK e ka iniciuar këtë ligj pas takimeve dhe konsultimeve me të gjitha partitë politike shqiptare, me bindjen se mbrojtja e UÇK-së dhe e çlirimtarëve është përgjegjësi e përbashkët shtetërore. Ky ligj është më  i madh se secila parti: ai lidhet drejtpërdrejt me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës. Prandaj, miratimi i tij kërkon unitet politik dhe përgjegjësi ndaj vendit”, thuhet në komunikatë.

PDK-ja ka theksuar se prioriteti i menjëhershëm është përmbyllja e miratimit të ligjit në dy lexime. 

“Kuvendi duhet ta përfundojë këtë proces pa zvarritje të mëtejshme dhe t’i japë përgjigje kërkesës së qytetarëve për mbrojtje të denjë të çlirimtarëve. PDK rithekson se nuk ka asnjë pengesë ligjore apo procedurale për miratimin e këtij ligji. Pengesë nuk paraqet as opinioni i vetë Qeverisë. Nuk ka as arsye politike që ky proces të mbetet i papërfunduar: nëse ka pasur vota të mjaftueshme për miratimin në lexim të parë, i njëjti vullnet duhet të dëshmohet edhe në lexim të dytë”, ka deklaruar tutje PDK-ja.

Sipas kësaj partie, kjo kauzë kombëtare nuk duhet të shndërrohet në pazar politik apo të përdoret për kushtëzime partiake. 

PDK-ja i ka vlerësuar të dhunshme veprimet e Policisë në protestën e së hënës.

“Gjithashtu, PDK dënon ashpër dhunën joproporcionale të ushtruar nga Policia e Kosovës ndaj protestuesve. Ushtrimi i dhunës jashtë standardeve të ndërhyrjes policore është i dënueshëm dhe krejtësisht i papranueshëm. PDK kërkon nga Qeveria, Kryeministri dhe Ministria e Punëve të Brendshme të ndalin menjëherë  veprimet e tyre jashtë rolit dhe kompetencave të tyre kushtetuese e ligjore dhe të mos e nxisin apo përdorin Policinë për ta shtypur me dhunë protestën dhe kërkesën e drejtë të qytetarëve. Asnjë urdhër politik nuk mund ta justifikojë përdorimin e forcës joproporcionale që mbrëmë ka lënë të lënduar shumë qytetarë. PDK shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për secilin qytetar të lënduar gjatë protestës në këtë kauzë kombëtare”, thuhet në komunikatë.

PDK-ja ka njoftuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe do t’i adresojë në Inspektoratin Policor të Kosovës të gjitha rastet e evidentuara, siç thonë ata, të dhunës dhe tejkalimit të autorizimeve. 

Kastrati për përshkallëzim të protestës: Duhet dorëhequr Sveçla e drejtori i Policisë

4 j. më parë / 6 tet 2026 12:10
Kadri Kastrati

Kadri Kastrati (Foto: KTV)

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ka thënë se protestuesit të hënën janë rrahur pa pasur rrezik ndaj policëve dhe se për këtë duhet të japin dorëheqje ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë Gazmend Hoxha. 

Ai ka thënë se për përshkallëzimin e fajëson Policinë, por ka shtuar se gjithashtu nuk e arsyeton asnjë veprim të dhunshëm të protestuesve. 

Kastrati ka thënë se sheshi ka qenë i qetë dhe se veprimet e Policisë arsyetohen vetëm tek Kuvendi, për të liruar hyrje-daljet nga ndërtesa.

“Sjellja e policëve, që t’i rrahin ata protestues që janë ulur, ka pasur edhe invalidë të luftës aty, unë kisha kërkuar dhe kisha rekomanduar Policinë që të dalë me një sqarim, a është rast individual, apo është qëndrim i Policisë së Kosovës, nëse është qëndrim i Policisë së Kosovës është jashtëzakonisht e turpshme dhe duhet të japin dorëheqje prej ministrit të Punëve të Brendshme dhe drejtorit të Policisë”, ka thënë Kastrati në një intervistë në KTV. 

Sipas tij Policia e ka provokuar situatën gjatë protestës.  

VIDEO:

IPK-ja nis hetim preliminar për veprimet policore gjatë protestës

4 j. më parë / 6 tet 2026 11:52
Inspektorati Policor i Kosovës IPK

Foto: Ilustrim

Photo: Driton Paçarada

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka iniciuar hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës.

Përmes një komunikate për media IPK në kuadër të mandatit ligjor dhe sipas detyrës zyrtare, ka monitoruar angazhimet, veprimet dhe reagimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbajtur të hënën në mbrëmje në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Për realizimin e këtij monitorimi, IPK ka bërë të ditur se  ka aktivizuar planin operativ dhe ka angazhuar zyrtarët e saj të cilët kanë përcjellë nga afër mënyrën e menaxhimit të protestës, ndërveprimin e zyrtarëve policorë me protestuesit, përdorimin e forcës, si dhe përdorimin e pajisjeve dhe mjeteve të tjera të autorizuara.

“Në ndërkohë, hetuesit e IPK-së kanë pranuar një ankesë, e përcjellë përmes Policisë së Kosovës, në të cilën një qytetar pretendon për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës. Bazuar në të dhënat e siguruara gjatë monitorimit, pamjet e publikuara në media dhe burime të tjera relevante, si dhe në kuadër të autorizimeve ligjore, IPK ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës”, thuhet në njoftim.

IPK-ja ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të mandatit ligjor për të sqaruar rrethanat dhe bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren.

E Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur se ka autorizuar Inspektoratin Policor të Kosovës të ndërmarrin veprime paraprake për trajtim të secilit rast që lidhet me veprimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës të së hënës. 

“Qëllimi i autorizimit është grumbullimi i informatave dhe provave relevante lidhur me tejkalimin eventual të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës, sa i përket shpërndarjes së protestuesve.  Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve me IPK-në, do të ndërmarr të gjitha masat e nevojshme ligjore me qëllim të ndriçimit të secilit rast ku dyshohet të jetë përdorur forcë përtej nevojës dhe autorizimeve që burojnë nga legjislacioni në fuqi.  Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të gjitha rrethanave të krijuara gjatë zhvillimit të protestave”, ka njoftuar Prokuroria. 

Edhe deputetë të VV-së shkojnë në Kuvend

4 j. më parë / 6 tet 2026 11:47
Kuvendi i Kosoves

Photo: Driton Paçarada

Edhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje janë parë duke hyrë në Kuvend të martën, në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Siç ka raportuar gazetarja e KOHËS Valbona Bytyqi, në ambientet e Kuvendit janë edhe deputetët e Partisë Demokratike dhe ata të Aleancës.

Deputetët e PDK-së para se të shkonin në Kuvend kanë përsëritur kërkesën për miratimin e plotë të ndryshimeve ligjore në Ligjin për Specialen.

Kjo parti më herët mbajti edhe mbledhjen e Kryesisë.

Ende nuk dihet a do të ftohet seancë për sot.

Aleanca fton deputetët në Kuvend: Kosova na thërret

4 j. më parë / 6 tet 2026 11:17
Aleanca

Photo: Driton Paçarada

Besnik Tahiri, deputet i Aleancës, ka ftuar deputetët e të gjitha partive që të shkojnë në Kuvend për të votuar ndryshimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara.

“Jemi në Kuvend kur kanë mbetur edhe 13 orë deri te mundësia e votimit të Ligjit të Dhomave të Specalizuara dhe konstituimit të plotë të vendit. Nga këtu në emër të GP të Aleancës u bëjmë thirrje kolegëve deputetë; ejani menjëherë në Kuvend ta votojmë Ligjin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special, të bashkohemi sot gjithmonë në anën e drejtë të historisë rreth UCK-së, vlerës më të lartë kombëtare. Kosova na thërret”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Kurti s’tregon nëse do të ketë takim me Hamzën: Flasim në Kuvend e Qeveri për këto çështje

4 j. më parë / 6 tet 2026 11:12
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është përgjigjur nëse sot do të ketë takime të reja për çështjen e presidentit dhe nëse do të thirret ndonjë seancë e Kuvendit.

Ai tha se për këto tema flasin nga Kuvendi e Qeveria.

“Flasim prej Kuvendit e Qeverisë për këto çështje”, u përgjigj ai shkurtimisht pas përfundimit të ceremonisë hapëse të Forumit për Shoqëri Civile (CSF 2026), ku mori pjesë.

Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Kosovës./KP

Mësimi sot mbahet sipas orarit të rregullt

4 j. më parë / 6 tet 2026 11:08
nxënës-shkolla

Foto: Ilustrim

Photo: Driton Paçarada

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar nxënësit, prindërit, mësimdhënësit dhe opinionin publik se mësimi sot do të mbahet sipas orarit të rregullt. 

Ministria ka përgënjeshtruar një njoftim që ka qarkulluar në rrjetet sociale, me pretendimin se më 6 tetor 2026 nuk do të zhvillohet procesi mësimor, duke thënë se ai është i rremë dhe nuk është publikuar nga Ministria.

“MASH njofton se nuk është marrë vendim për ndërprerjen e mësimit në këtë datë dhe se procesi mësimor zhvillohet sipas orarit të rregullt. Në materialin në fjalë janë përdorur pa autorizim emri dhe logoja e Ministrisë, duke krijuar përshtypjen e një njoftimi zyrtar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. 

Edhe Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka njoftuar se procesi mësimor do të vijojë rregullisht, sipas orarit të përcaktuar.

“Duke marrë parasysh situatën e tensionuar u bëjmë thirrje nxënësve të kenë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes dhe të shmangin zonat e protestave. Në veçanti, kërkohet që nxënësit të mos afrohen në hapësirat ku mund të ketë ndërhyrje të organeve të rendit apo përdorim të gazit lotsjellës. Çdo ndryshim eventual që prek procesin mësimor do të komunikohet me kohë në koordinim me MASH”, thuhet në njoftim e Drejtorisë se Arsimit të Komunës së Prishtinës. 

33 të lënduar në protestën para Kuvendit, mes tyre policë, protestues e gazetarë - tre të arrestuar

4 j. më parë / 6 tet 2026 11:04
Policia e Kosoves

Photo: Driton Paçarada

Të paktën 20 policë, 12 protestues dhe një gazetar kanë marrë trajtim mjekësor pas lëndimeve që kanë pësuar të hënën gjatë protestës para Kuvendit. 

Policia ka njoftuar se gjatë protestës, tre persona janë arrestuar për mosrespektim të thirrjeve të vazhdueshme policore për qetësi dhe rënies ndesh me ligjin, ku dy prej tyre janë dërguar në mbajtje ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

“Referuar situatës dhe zhvillimeve të ndodhura në protestën e mbrëmshme, ku disa protestues në vazhdimësi kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarrë e mjete të forta, ndaj objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë, Policia e Kosovës, me qëllim të vënies së situatës nën kontroll, mundësimit të lirisë së lëvizjes dhe parandalimit të eskalimit të mëtejme të situatës, është detyruar të veprojë ndaj personave që kanë shfaqur dhunë, duke përdorur mjetet e ligjshme policore, sprejin, gazin lotsjellës si dhe topin e ujit për shpërndarje të turmës”, thuhet në njoftimin policor. 

Më tej është bërë thirrje ndaj protestuesve që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe demokratike, si dhe të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë.

Haxhiu i drejtohet Kushtetueses për kompetencat presidenciale pas skadimit të mandatit

4 j. më parë / 6 tet 2026 10:57
Albulena Haxhiu

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatin gjashtëmujor të saj si ushtruese e detyrës së presidentes, në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e ri sot.

Gjashtë muajt e Haxhiut si u.d. e presidentes përfunduan më 4 tetor. Më 6 tetor përfundon afati kushtetues për të zgjedhur president të ri. Në rast se sot kjo nuk mbërrihet, Kosova shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh. Zgjedhjet shpallen nga presidenti.

Nga kabineti i saj kanë bërë të ditur për KOHËN se dje kanë dorëzuar në Kushtetuese kërkesën për sqarim për kompetencat në fjalë.

“Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur Presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, thuhet në përgjigjen e Presidencës. “Kushtetuta këtë kompetencë ia njeh Presidentit (kush i shpall zgjedhjet). Përcaktimi i autoritetit që mund ta ushtrojë atë në rrethanat e krijuara është një nga çështjet kryesore që ia kemi shtruar Gjykatës. Qëndrimi ynë është se duhet të sigurohet një zgjidhje kushtetuese që mundëson shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda afateve të përcaktuara”.

Hamza: Mungesa e vullnetit politik nga VV-ja për ligjin, kontribut për destabilizim

4 j. më parë / 6 tet 2026 10:20
hamza

Hamza: Mungesa e vullnetit politik nga VV-ja për ligjin, kontribut për destabilizim 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, para mbledhjes së Kryesisë, ka deklaruar se kërkesa e tyre është thirrja e seancës dhe votimi në lexim të dytë i ligjit për Dhomat e Specializuara. 

Ai ka thënë se nuk ka pasur komunikim me Vetëvendosjen, teksa Kosova ka hyrë në ditën e fundit për zgjedhjen e presidentit ose vendi shkon në zgjedhje të reja. PDK-ja ka kërkuar që me urgjencë të miratohen ndryshimet në ligjin për Specialen. Ka thënë se VV-ja me mosmbështetje për lexim të dytë me urgjencë të këtij ligji, po “kontribuon në destabilizim”. 

“Jo, nuk kemi pasur komunikim. Kërkesa jonë është e qartë: të thirret seanca, ligji të votohet në lexim të dytë. Nuk ka asnjë vështirësi, asnjë pengesë. Nëse ka pasur çfarëdo pengese apo çfarëdo dileme, pse ka kaluar në lexim të parë? Po bëjka të kalojnë të gjitha procedurat, dhe sot në fazën finale nuk po kalojka. Janë çështje të ndara. Kemi thënë vazhdimisht se ligji duhet të aprovohet. Nuk i takon një partie. S’është ligji për PDK-në. UCK-ja ka ekzistuar para se të ekzistojë PDK-ja e partitë tjera”, ka thënë ai para mbledhjes së Kryesisë së Partisë.

Hamza i ka bërë ftesë kryeministrit Albin Kurtit, Kuvendit dhe kryeparlamentares Albulena Haxhiu të thërrasin seancë për Ligjin. Sipas tij, kjo çështje nuk lidhet me atë të presidentit.

“Normalisht janë çështje të ndara. Ka koincidu. Vendi ka mundur të ketë presidentin.  Prapë do të kërkonim ligjin. Kërkesa jonë është kjo. Nuk ka pengesa tjetër, përveç mungesës së vullnetit të partisë shumicë në pushtet. Do ta kuptoja sikur të thonin është problematike e nuk mundem dhe nuk bën, derisa ka kaluar në lexim të parë. Por tash është mungesë e vullnetit politik dhe është një kontribut për destabilizimin e vendit dhe çështje që s’po duan ta kryejnë. Presidenti është çështje e ndarë. Le të kryhet ligji, atëherë janë në radhë edhe presidenti e të tjera”, ka shtuar Hamza.

Ai ka thënë se Vetëvendosje po vendos kritere të ndryshme ndaj PDK-së dhe tjera ndaj LDK-së për çështjen e presidentit.

Sipas tij, partia e Kurtit është përgjegjëse për situatën në vend.

Ndërsa deputeti Përparim Gruda ka thënë se do të japin llogari para ligjit, sipas tij, urdhërdhënësit politik dhe ata që kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve. 

“Ata që kanë dhënë urdhër politik dhe ata që kanë ekzekutuar për t’ rrahur qytetarët e Kosovës barbarisht, për t’i rrahur veteranët e UÇK-së, do të japin llogari para ligjit”, ka thënë ai.

Një ditë më parë në Prishtinë protestat me kërkesën për ndryshimin e ligjit të Speciales përshkallëzuan me disa të lënduar.

PDK-ja mbledh Kryesinë në orën 10:00

4 j. më parë / 6 tet 2026 09:46
PDK

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës do të mblidhet në orën 10:00, kanë njoftuar anëtarët e kësaj partie.

Në mesnatë përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Nëse deri në këtë kohë nuk ka epilog për këtë çështje, Kosova do të futet në procesin e katër zgjedhor brenda dy vjetësh.

Ndërkohë, në orën 12:00 platforma “Jo në emrin tim” ka paralajmëruar protestë popullore ku do të kërkohet miratimi i ndryshimeve për Ligjin për Gjykatën Speciale.

Gruda: Ligjit nuk keni ku t’i ikni. S’keni rrugë tjetër, ai do të miratohet

4 j. më parë / 6 tet 2026 09:40
gruda

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, e ka akuzuar LVV-në për siç ka thënë, dhunë brutale policore ndaj protestuesve. 

“Mbrëmë pamë fytyrën e vërtetë të pushtetit të VV-së: dhunë brutale policore në sheshin e Prishtinës ndaj qytetarëve që dolën për të kërkuar miratimin e një ligji për mbrojtjen e UÇK-së. Cili popull i lirë evropian do ta duronte këtë?”, ka shkruar Gruda në një status në Facebook. 

Por ai është shprehur i bindur që ndryshimet në Ligjin për Specialen do të votohen të martën. 

“Shteti ikën nga përgjegjësia për ta mbështetur dhe mbrojtur UÇK-në në gjyq, ndërsa policia ushtron dhunë ndaj qytetarëve që protestojnë për miratimin e ligjit. Por ligjit nuk keni ku t’i ikni. S’keni rrugë tjetër, ai do të miratohet!”, ka shkruar Gruda.

“Jo në emrin tim” thërret protestë për orën 12:00 – “Ligji për UÇK-në duhet të kalojë sot”

4 j. më parë / 6 tet 2026 09:02
Protesta - Kuvend

Photo: Driton Paçarada

Prlatforma “Jo në emrin tim” ka thirrur protestë sot në orën 12:00 me kërkesën për miratim në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen. 

Protesta do të mbahet në sheshin “Skenderbeu”.

“Sot, ora 12:00, Sheshi ‘Skënderbeu’. Protestë popullore. Ligji për UÇK-në duhet të kalojë sot!

Shihemi në shesh!”, thuhet në thirrjen për protestë. 

Ndërkohë që nga ora 9:00 Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka thirrur një protestë tjetër. 

OVL-UÇK u ka bërë thirrje kategorive të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarëve që të mblidhen në sheshin e Prishtinës, duke theksuar se “duhet të jenë të bashkuar dhe me dinjitet”.

Qorrolli: Sot nuk është dita për ta çuar vendin në prapakthim

4 j. më parë / 6 tet 2026 09:01
Vigan Qorrolli

Deputeti dhe kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, ka thënë se sot duhet të votohet presidenti, por edhe Projektligji për Specialen. Përmes një statusi në Facebook ka shkruar se të dyja janë pjesë e të njëjtit detyrim - që vendit t’i japin institucione funksionale.

“Sot nuk është dita për ta çuar shtetin në prapakthim: e votojmë Presidentin dhe e votojmë Projektligjin për Specialen, sepse të dyja janë pjesë e të njëjtit detyrim — t’i japim vendit institucione funksionale dhe vendimmarrje”, ka shkruar ai.

Sipas Qorrollit, shkuarja në zgjedhje e lëndon procesin në Hagë dhe Republikën e Kosovës.

“Do t'i bini pishman nëse veproni me këtë mllef e maraz prej foshnjorakësh politik”, ka shkruar ai.

Sot është dita e fundit e afatit për zgjedhjen e presidentit, afat të cilin e ka caktuar Gjykata Kushtetuese. Të hënën fillimisht në Komisionin për Legjislacion e pastaj edhe në Kuvendin e Kosovës ka kaluar në parim Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen. Por Kuvendi i ka mbyllur punimet pa u proceduar mocioni i PDK-së për procedurën e përshpejtuar të miratimit në lexim të dytë brenda të njëjtës ditë. LVV-ja që i ka dhënë mbështetje projektligjit ka kërkuar që të arrihet dakordimi edhe për zgjedhjen e presidentit, me arsyetimin se kanë mbetur vetëm 24 orë afat për të evituar zgjedhjet e parakohshme, ndërsa PDK-ja këtë çështje e ka vlerësuar më pak urgjente sesa projektligji. 

Surroi: Deputetët kanë mundësinë që sot të votojnë për pakon që përfshin presidentin, Specialen e Këshillin e Evropës

4 j. më parë / 6 tet 2026 08:24
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi e paraqitur ditën e sotme si afat në të cilin deputetët kanë mundësi të arrijnë një marrëveshje për disa çështje të rëndësishme institucionale dhe politike ose ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja parlamentare.

Surroi ka thënë se 120 deputetët e Kuvendit kanë mundësinë të dakordohen për një paketë që do të mundësonte zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe përshpejtimin e procesit të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Njëqind e njëzet deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ditën e sotme për t’u pajtuar për një paketë që mundëson zgjedhjen e Presidentit të vendit, miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, përshpejtimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe qasjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe forcimin e kohezionit shoqëror për sfidat e së ardhmes. Kanë edhe mundësinë që, në mesnatë, ta dërgojnë vendin në zgjedhjet e katërta parlamentare brenda më pak se dy vjet”, ka shkruar ai në Facebook.

Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Nëse deri në mesnatë nuk zgjidhet një president i ri, Kosova do të shkojë në ciklin e katërt zgjedhor brenda dy vjetësh. 

E edhe sot jashtë Kuvendit janë ftuar protesta në kërkim të miratimit në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen. Mbrëmë protestat përshkallëzuan në përplasje me Policinë.