Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Pijet energjike mund të rrisin rrezikun e problemeve serioze të zemrës te të rinjtë

Pijet energjike

Pijet energjike

Konsumimi i shpeshtë i pijeve energjike mund të përbëjë rrezik për shëndetin e zemrës, sidomos te të rinjtë. Një studim i ri ka zbuluar një lidhje shqetësuese mes këtyre pijeve, të pasura me kafeinë dhe stimulues, dhe problemeve serioze kardiovaskulare, ka shkruar Newser.

Studiuesit analizuan më shumë se 28 mijë raportime në bazën e të dhënave të efekteve anësore të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA). Sipas rezultateve, raportimet për arrest kardiak ishin rreth 11 herë më të shpeshta te personat që kishin përdorur pije energjike dhe suplemente me stimulues, krahasuar me produkte të tjera.

Pothuajse gjysma e rasteve përfshinin persona të moshës 18 deri në 34 vjeç.

Megjithatë, sipas studiuesve këto të dhëna nuk provojnë se pijet energjike janë shkaku i drejtpërdrejtë i problemeve me zemrën. Studimi ende nuk është shqyrtuar nga ekspertë të pavarur dhe raportimet nuk janë të gjitha të verifikuara.

Kardiologët e konsiderojnë këtë një sinjal paralajmërues. Doktori John Higgins, kardiolog sportiv në UTHealth Houston, ka theksuar se pijet energjike nuk duhen konsideruar njësoj si kafeja.

“Ato janë diçka krejt tjetër. Edhe nëse një pije energjike përmban të njëjtën sasi kafeine si një kafe, provat e deritanishme tregojnë se ndikimi i tyre në sistemin kardiovaskular mund të jetë shumë i ndryshëm”, ka shpjeguar ai.

Edhe Sasia e kafes që mund të pini çdo ditë pa rrezikuar shëndetin Lifestyle Sasia e kafes që mund të pini çdo ditë pa rrezikuar shëndetin

Ndërsa autorja kryesore e studimit, doktoresha Pamela Benavidez, u bën thirrje konsumatorëve të tregojnë kujdes me sasinë e kafeinës dhe përbërësve të tjerë stimulues që marrin çdo ditë.

Ekspertët këshillojnë që personat që konsumojnë këto pije të kenë kujdes të veçantë nëse përjetojnë dhimbje gjoksi, të fikët ose rrahje të shpejta të zemrës dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore.