Një studim i publikuar në revistën shkencore Journal of Internal Medicine ka zbuluar se konsumimi i rregullt i çajit lidhet me rrezik rreth 11 për qind më të ulët për sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut, krahasuar me personat që nuk pinë çaj, ka shkruar SciTechDaily.
Studimi përfshiu 485.934 të rritur në Kinë, të cilët u monitoruan për rreth nëntë vjet. Gjatë kësaj periudhe u regjistruan raste të sëmundjeve kardiovaskulare, goditjeve në tru dhe çrregullimeve të qarkullimit të gjakut.
Sa çaje duhet të pimë dhe cili lloj është më i përshtatshëm?
Sipas rezultateve, te personat që pinin çaj çdo javë, rreziku më i ulët u vu re te ata që konsumonin rreth 6-8 filxhanë në ditë. Çaji i zi tregoi lidhje më të qëndrueshme me rrezikun më të ulët sesa çaji i gjelbër, ndërsa çaji me fortësi mesatare u shoqërua me rezultatet më të favorshme.
Megjithatë, këto rezultate nuk nënkuptojnë se të gjithë duhet të pinë kaq shumë çaj. Studimi tregon një lidhje statistikore, por nuk provon se çaji është drejtpërdrejt përgjegjës për uljen e rrezikut.
Kujdes me çajin tepër të nxehtë
Një tjetër gjetje e studimit ishte se konsumimi i çajit shumë të nxehtë, pothuajse përvëlues, lidhej me rrezik më të lartë për sëmundjet vaskulare.
Studiuesit theksuan gjithashtu rëndësinë e stilit të jetesës. Kombinimi i konsumimit të rregullt të çajit, mospirjes së duhanit dhe aktivitetit të lartë fizik u shoqërua me rrezikun më të ulët.