Protesta me pjesëmarrjen e mijërave vetave u zhvillua të mërkurën në Prishtinë, tri ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në fjalimin e saj para ndërtesës së Qeverisë ka thënë se protestat do të vazhdojnë çdo ditë derisa të plotësohen kërkesat - shkarkimi i ministres Gërvalla dhe ministrit Sveçla, si dhe ndjekje penale ndaj atyre që kanë neglizhuar rastin e Arlinda Zekajt, që dyshohet se u vra nga ish-kunati i saj
Me pankartat “Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me ju dalë”, “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, mijëra pjesëmarrës kanë protestuar kundër vrasjes së grave. Protesta u zhvillua të mërkurën në Prishtinë, tri ditë pas vrasjes së fundit të një gruaje - Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Protestuesit fillimisht janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, pastaj kanë marshuar drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor, Policisë dhe Qeverisë së Kosovës.
Te Ministria e Drejtësisë ata kanë kërkuar dorëheqjen e ministres Donika Gërvalla dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Më shumë dënohesh nëse e vjedh një çokollatë në market sesa kur dhunon një grua”, ka thënë një prej organizatoreve të protestës.
Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në fjalimin e saj para ndërtesës së Qeverisë ka thënë se protestat do të vazhdojnë çdo ditë derisa të plotësohen kërkesat, e prej kërkesave është shkarkimi i ministres Gërvalla dhe ministrit Sveçla. Po ashtu ndjekje penale ndaj atyre që kanë neglizhuar rastin e Arlinda Zekajt, që dyshohet se u vra nga ish-kunati i saj.
Edhe
“Gjumi s’ka me ju marrë” – paralajmërohet vazhdim i protestave deri në plotësim të kërkesave
“Nëse Arlinda ka qenë dëshmore, siç ka thënë Kurti, atëherë ne jemi ushtare që kemi me ja pru fundin kësaj qeverie. Nuk kemi me lënë kurrë pa lëvizë derisa ky shtet me ia nis me marrë seriozisht jetën e grave e me ja nis me i trajtu si njerëz”, ka deklaruar Sijarina.
Para objektit të qeverisë janë ndezur fishekzjarrë ndërsa dyert janë ngjyrosur me ngjyrë të kuqe. Janë vendosur edhe foto të montuara të ministres Gërvalla me sëpatë në dorë. Thirrjet “dorëheqje, dorëheqje” kanë mbizotëruar.
“Arlinda na ka lënë amanet, e ai amanet është që këta njerëz mos me mujt me bë gjumin rehat”, tha Sijarina. “Këtij shteti, që po get edhe sipas Kurtit na ka shpall luftë, ne kemi me iu kundërvy. Sonte kemi me iu kundërvy. Është lajmërimi i parë që protestat tona përveç që nuk do të ndalen natë e ditë, ato kanë me u përshkallëzu. Nuk mundemi me prit që si zakonisht ky shtet me na gjuajt hi syve. Me na neutralizu e me na shpartallu, që mos me mujt me u bë 2-3 veta bashkë kur lypet me luftu e me çu zërin për gratë. Na ultimatumin e kemi dhënë, kërkesat i kemi treguar. Çfarë presim sot është me nis me i numëru kërkesat e me i dhënë përgjigje secilës. Duam burgime, duam llogari, duam që trupat tonë me u trajtu me dinjitet”, ka thënë Sijarina.
Sijarna ka thënë se do të qëndrojnë e do të vazhdohet të protestohet derisa të plotësohen kërkesat.
“Na kemi kërkuar jo vetëm shkarkime, por ndjekje penale edhe për krim për kryeprokurore, prokurore, për zyrtarë të QPS-së, për kryegjyqtar, gjyqtar, që e kanë çuar Arlindën në varr. Ndërsa Qeverisë, që i tha Arlindës pas vrasjes se nuk ka ditur ku me lyp ndihmë, i themi që atë ministre e ministrin e Brendshëm duheni me i shkarku ose kemi me ju shti me i shkarku. Protesta jonë vazhdon, nesër, pasnesër... e çdo ditë tjetër derisa ose të na vrasin krejtve ose të na burgosin krejtve ose t’i rrëzojmë. Sonte rrimë këtu, e prej këtu ju ftojmë nesër në ora 16:00 në të njëjtin vend e me ardh sa më shumë e më të fortë e më të vendosur. Nuk mundemi me arrit asnjë lloj drejtësie duke i lutur këta qeveritarë”, është shprehur Sijarina.
Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta do të vazhdojë edhe nesër nga ora 16:00.
“Nesër, në orën 16:00, në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, mblidhemi prapë për të kërkuar drejtësinë që Arlinda na e la amanet dhe drejtësi për të gjitha gratë e vrara. Edhe nesër do të dalim rrugëve e do t´i bllokojmë institucionet sepse është momenti i fundit që ky shtet të japë llogari. Dilni nga puna, nga shtëpia e nga klasa e na u bashkoni sërish. Do të vazhdojmë të protestojmë deri kur kërkesat tona të plotësohen. Kërkojmë organizim e solidarizim kombëtar. Për siguri e liri për gratë e gjalla, e drejtësi për gratë e vrara”, ka shkruar “Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist”.
Arlinda Zekaj dhe bashkëshorti i saj ishin në betejë ligjore që nga “ndarja pa letra” në vitin 2025 dhe denoncimi i parë i saj në korrik të 2026 për dhunë në familje. Ndërsa, raportimi i fundit bënë që
Edhe
Sot protestohet në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, thirrje për revoltë kombëtare
bashkëshorti i saj Jeton Sylaj të ndalohet për 48 orë, ndërsa vetë ajo këmbëngul që të kthehet në shtëpinë e përbashkët, në përputhje me vendimin gjyqësor. Ajo kishte refuzuar që të vendoset në strehimore siç i ka propozuar Policia.
Pak minuta pasi kthehet në Vitomiricë të Pejës, e shoqëruar nga Policia e Kosovës, ajo vritet brenda shtëpisë së përbashkët. Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se është vrarë me një mjet të fortë nga kunati i saj, Albert Sylaj, i cili për tri ditë ishte në arrati, para se të arrestohej nga policia. Vrasja ndodhi nëntë ditë pas vendimit gjyqësor që i kishte mundësuar Arlindës kthimin në shtëpi, tri ditë pas ankesës së saj për dështimet institucionale dhe dy ditë pas paralajmërimit të një zyrtari policor për nevojën e masave shtesë të sigurisë.