Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kurti kërkon llogari nga dy ministri për vrasjen e Arlindës, QIKA dorëheqjen e Gërvallës

Albin Kurti

Përgjegjësinë politike që kryeministri Albin Kurti nuk ia ka kërkuar ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, e ka kërkuar organizata QIKA, e cila ka bërë thirrje për dorëheqjen e saj. Kurti, ndërkaq, u ka dhënë afat prej disaorësh Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Brendshme për të raportuar se ku dështuan institucionet

Kryeministri Albin Kurti ua ka rikujtuar dy dikastereve qeveritare afatin që kanë në dispozicion për të raportuar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt.

Gjatë një ngjarjeje në Qendrën Klinike Universitare, të martën, Kurti ka theksuar nevojën për përgjegjësi të institucioneve lidhur me rastin e Zekajt, por edhe raste të tjera të dhunës në familje. 

"Në këtë frymë, Ministria e Punëve të Brendshme edhe Ministria e Drejtësisë i kanë edhe 54 orë që të ma sjellin raportin për të ndriçuar këtë rast deri në fund edhe ku kanë dështuar secila prej hallkave të zinxhirit institucional, por edhe çka po ndodh me të gjitha rastet e ngjashme, sepse ju e dini që ka shumë raste anembanë Kosovës, ku gra të caktuara të cilët janë viktima të dhunës vazhdojnë të jenë nën rrezikun e kërcënuesve të vjetër e të rinj", ka thënë Kurti gjatë mesditës të së martës.

49-vjeçarja dyshohet se është vrarë me sëpatë të dielën në Vitomiricë të Pejës, e i dyshuar për këtë rast është kunati i saj Albert Slyaj i cili gjendet në arrati.

Tri ditë para se të vritej, Zekaj ka lajmëruar institucionet se jeta e saj ndodhej në rrezik. 

Edhe Me hedhjen e tymuesve kërkohet dorëheqja e Gërvallës Arbëri Me hedhjen e tymuesve kërkohet dorëheqja e Gërvallës

Kryeministri Kurti është shprehur se rasti i saj dëshmon nevojën për reforma në institucionet e drejtësisë.

"Arlinda Zekaj është dëshmore e betejës për drejtësi në Republikën e Kosovës, në kushtet kur neve si shtet e shoqëri duhet ta drejtojmë drejtësinë e kjo mund të çojë shumë kollaj e fort shpejt hetime hetuesve, aktakuza prokurorëve dhe gjykime gjykatësve", ka thënë Kurti.

Për organizatën QIKA, përgjegjësia për rastin nuk kufizohet vetëm te hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët. 

Përmes një aksioni para objektit të Ministrisë së Drejtësisë, QIKA ka kërkuar dorëheqjen e ministres Donika Gërvalla.

Ndër thirrjet e aktivisteve ishin: “Arlinda nuk e kishte gabuar adresën, shteti e braktisi” dhe “Arlinda e bëri atë që duhej, ti Donikë s’e bone, dorëhiqu”.

Edhe Kurti: MD-ja dhe MPB-ja kanë edhe 54 orë për raportin në  rastin e Arlinda Zekajt Arbëri Kurti: MD-ja dhe MPB-ja kanë edhe 54 orë për raportin në rastin e Arlinda Zekajt

Shkas është bërë edhe deklarata e ministres, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të hënën, e thirrur për rastin e vrasjes së Zekajt. Ajo ka thënë se viktima u është drejtuar institucioneve të drejtësisë, por jo Qeverisë.

QIKA e ka cilësuar këtë deklaratë si fajësim të viktimës.

“Ka trokitur në dyert e institucioneve që kishin për detyrë ta mbronin, por shteti e braktisi. Deklaratat skandaloze, relativizimi i përgjegjësisë dhe fajësimi i viktimave nuk mund të kalojnë në heshtje. Donika Gërvalla duhet të marrë përgjegjësi politike dhe të japë dorëheqje”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

E në seancën e mbajtur të hënën, Kuvendi ka miratuar një rezolutë përmes së cilës parashihet themelimi i një komisioni parlamentar për hetimin e vrasjes së Zekajt.

Rezoluta përfshin edhe krijimin e një linje falas këshillimi për çiftet dhe familjet që përballen me vështirësi, ofrimin e shërbimeve të specializuara për parandalimin e sjelljes së dhunshme dhe përsëritjes së saj, si dhe këshillimin psikologjik e edukimin për parandalimin e dhunës në adoleshencën e hershme.

Edhe Tahiri i PDK-së: Gërvalla duhej të japë dorëheqje, të mbajë përgjegjësi morale Arbëri Tahiri i PDK-së: Gërvalla duhej të japë dorëheqje, të mbajë përgjegjësi morale

Ndërsa të martën, tri lëndë penale që ndërlidhen me rastin e Zekajt janë ricaktuar nga Prokuroria e Pejës në Prokurorinë e Prishtinës.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, vendimet janë marrë duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë të çështjeve, pasojat e rënda dhe nevojën për trajtim efikas, objektiv dhe të paanshëm të lëndëve.