Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti kritikon Qeverinë: 643 mln euro të buxhetit për investime kapitale kanë mbetur të pashpenzuara

Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar nivelin e ulët të realizimit të investimeve kapitale në Kosovë, duke bërë të ditur se në gjashtë muajt e parë të këtij viti është shpenzuar vetëm 37 për qind e buxhetit të planifikuar për këtë kategori.

Sipas Hotit, nga 1.02 miliardë euro të planifikuara për investime kapitale gjatë këtij viti, janë shpenzuar vetëm 377 milionë euro, ndërsa 643 milionë euro kanë mbetur të pashpenzuara.

Ai ka thënë se në shumën e shpenzuar përfshihen edhe 82 milionë euro për pagesa sipas vendimeve gjyqësore, çka nënkupton se investimet kapitale reale arrijnë në vetëm 295 milionë euro.

“Me gjithë tenderët e shumtë me negociim, në gjashtë muajt e parë të këtij viti është shpenzuar vetëm 37% e buxhetit për investime kapitale. Nga 1.02 miliardë euro të planifikuara për këtë vit për investime kapitale, vetëm 377 milionë euro janë shpenzuar. Pjesa e mbetur prej 643 milionë euro nuk ka gjasa të shpenzohet as për së afërmi në muajt e mbetur deri në përmbyllje të vitit. Në shumën e shpenzuar prej 377 milionë euro përfshihen edhe 82 milionë euro për pagesa për vendime gjyqësore, duke i ulur investimet kapitale në 295 milionë euro”, ka shkruar Hoti në Facebook. 

Hoti ka paraqitur edhe të dhënat për realizimin e investimeve sipas ministrive, ku, sipas tij, përqindjet më të ulëta janë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal me 0 për qind, Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare me 1 për qind, Ministrinë e Ekonomisë me 9 për qind dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me 11 për qind.

Ndërkaq, sipas tij, Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë realizuar nga 15 për qind të buxhetit, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Shëndetësisë nga 24 për qind, Ministria e Mbrojtjes 29 për qind, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit 35 për qind.

Sipas deputetit të LDK-së, pjesa e mbetur e buxhetit nuk ka gjasa të shpenzohet as përafërsisht deri në përfundim të vitit.

Ai ka vlerësuar se mosrealizimi i investimeve kapitale po i shkakton dëm ekonomisë, pasi, siç ka thënë, qindra miliona euro që do të duhej të qarkullonin në biznese dhe të përdoreshin për pagat e mijëra punëtorëve po mbeten të pashpenzuara.

“Si rezultat i dështimeve të investimeve kapitale, ekonomisë i mungojnë qindra miliona euro që do të paguheshin për qarkullim të bizneseve dhe paga të mijëra punëtorëve të atyre bizneseve”, ka shkruar tutje Hoti.