Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Justina Shiroka-Pula presidente e re e Kosovës

Me 81 vota për Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur presidenten e re. Justina Shiroka Pula është zgjedhur presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit. Votimi përfundoi tre minuta pas mesnatës, ndërsa numërimi përfundoi rreth 15 minuta pas mesnatës. Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ishte propozim i momentit të fundit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Propozimi u pranua nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe kundërkandidate u propozua Eliza Hoxha, deputete e PDK-së. Seanca e jashtëzakonshme, me dy pika të rendit të ditës, nisi rreth 35 minuta para mesnatës, që ishte afati i fundit për zgjedhjen e presidentit. Fillimisht u votuan ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa më pas nisi një votim “flash” për presidenten. Votimi përfundoi në ora 00:03, ndërsa rezultati i kumtuar u bë në ora 00:14. Shiroka-Pula u zgjodh me 81 vota për. Ajo mbajti betimin si presidente.

Si u caktua 6 tetori afat i fundit për zgjedhjen e presidentit

4 j. më parë / 6 tet 2026 08:21
Gjykata kushtetuese

Photo: Driton Paçarada

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese në shtator për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, kjo gjykatë ka bërë të ditur se 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit. 

Gjykata ka konstatuar se afati 60 ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, kur u mbajt vazhdimi i seancës konstituive, që nisi më 6 gusht.

“Prandaj, duke marrë për bazë domosdoshmërinë e funksionimit të institucioneve kushtetuese, përkatësisht vazhdimin e funksionimit të institucionit të Presidentit, me mandat dhe pushtet të plotë kushtetues, Gjykata konsideron që Kuvendi deri më 6 tetor 2026 duhet zhvilluar dhe përfunduar procedura për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në njoftim.

Çka ndodhi dje brenda dhe jashtë Kuvendit

4 j. më parë / 6 tet 2026 08:18
protesta

Photo: Driton Paçarada

Një seancë plenare maratonike që nisi me shqyrtimin dhe votimin në parim të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, përfundoi pa miratim të plotë të tij dhe pa një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, për të cilin ka afat vetëm edhe sot deri në mesnatë.

Kuvendi i Kosovës të hënën me shumicë të votave ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Por i ka mbyllur punimet pa u proceduar mocioni i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për procedurën e përshpejtuar të miratimit në lexim të dytë brenda të njëjtës ditë.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) që i ka dhënë mbështetje në parim projektligjit ka kërkuar që të arrihet dakordimi edhe për zgjedhjen e presidentit, me arsyetimin se kanë mbetur vetëm 24 orë afat për të evituar zgjedhjet e parakohshme, ndërsa PDK-ja këtë çështje e ka vlerësuar më pak urgjente sesa projektligji.

Dhe ndërkohë që të dy çështjet kanë mbetur pezull, jashtë objektit të Kuvendit protestuesit nga veprimet paqësore kanë kaluar në veprime të dhunshme dhe janë përleshur me Policinë.

Dymbëdhjetë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas përplasjes mes policisë dhe protestuesve, të hënën mbrëma në Prishtinë. Drejtori i Emergjencës, Naser Syla ka bërë të ditur se prej të lënduarve një është zyrtar policor ndërsa 11 të tjerë janë protestues. Syla ka ththënë se  gjithashtu se gjendja e tyre është stabile dhe pas trajtimit janë lëshuar në shtëpi. Nga të lënduarit, tre janë trajtuar prej plagëve prerëse.

Në orët e mbrëmjes të së hënës, është përshkallëzuar situata në Prishtinë pas protestës para Kuvendit të Kosovës në të cilën protestuesit kanë kërkuar që Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të kalojë edhe në lexim të dytë. 

Në rrugën “Agim Ramadani” në kryeqytet, Njësia Speciale ka dalë me autoblindë dhe me “top” me ujë me synim shpërndarjen e protestuesve. Situatë e tensionuar ka mbretëruar edhe në hapësirat përreth Kuvendit të Kosovës, ku sërish është hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve.

Paraprakisht në rrugën “Agim Ramadani” janë djegur edhe kontejnerë dhe është hedhur gaz lotsjellës, derisa protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të zyrtarëve policorë dhe institucionit të Kuvendit të Kosovës.