Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sot seancë e jashtëzakonshme për projektligjin për Specialen

Dhjetë ligje në një seancë

Foto: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Sot nga ora 9 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës.

Pikë e parë e rendit të ditës është Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ndërkaq, Komisioni për Legjislacion do të mblidhet sot në orën 08:00 për të shqyrtuar këtë projektligj.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka deklaruar se pret që gjatë së hënës të votohet në dy lexime ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara. Pas mbledhjes së kryesisë së PDK-së bashkë me grupin parlamentar, të dielën, në deklarimin për shtyp Hamza nuk ka treguar nëse janë dakorduar me Vetëvendosjen që të tejkalohen procedurat e parapara me rregullore të Kuvendit dhe projektligji të votohet të hënën në të dyja leximet. 

Në anën tjetër Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka ndryshuar orën e mbajtjes së protestës të hënën (5 tetor). Protesta e caktuar më parë për në orën 12:00, do të mbahet në orën 9:00, para Kuvendit të Kosovës, pikërisht kur fillon seanca e Kuvendit.

Po ashtu organizata “Jo në emrin tim” ka qëndruar gjatë natës par para dyerve të Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq nga ora 8 e mëngjesit të së hënës ata kanë bërë thirrje që të gjithë qytetarët të bashkohen në sheshin “Skënderbeu”.

Agjenda e plotë e seancës së sotme:

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar,

 Shqyrtimi i Projektligjit nr.11/L-002 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.11/L-014 për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 1. të Marrëveshjes Financiare në mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2021,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.11/L-015 për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 1. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2022, 

Shqyrtimi i Projektligjit nr.11/L-016 për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027,

Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë,

Zgjedhja e Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë,

Zgjedhja e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës,

Përzgjedhja e dy (2) anëtarëve joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-006 për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-017 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-007 për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-008 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 08/L-249,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-009 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës,

Shqyrtimi në i parë i Projektligjit nr.11/L-010 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-011 për Akademinë e Drejtësisë,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-003 për Energjinë,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-004 për Energjinë Elektrike,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-005 për Inovacion dhe Ndërmarrësi,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-012 për pagesat e vonuara në transaksionet tregtare,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-013 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-018 për Menaxhimin e Resurseve Ujore.

Protestuesit kalojnë natën para Kuvendit

1 min. më parë / 5 tet 2026 08:04
protesta

Një numër qytetarësh kanë protestuar që nga mbrëmja e së dielës para hyrjes së Kuvendit të Kosovës, në kuadër të protestës së organizuar nga iniciativa “Jo në emrin tim”, me kërkesën që deputetët të votojnë ndryshimet ligjore për Dhomat e Specializuara.

Iniciativa u ka bërë thirrje qytetarëve që të mblidhen sërish të hënën në orën 08:00 para Kuvendit, në kohën kur pritet të shqyrtohet projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Para seancës plenare, në orën 08:00, pritet të mblidhet Komisioni për Legjislacion, i cili do ta shqyrtojë këtë projektligj.

Ndërkaq, në orën 09:00 pritet të nisë seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku shqyrtimi i parë i projektligjit është pika e parë e rendit të ditës.

Po ashtu, në orën 09:00, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka paralajmëruar protestë para Kuvendit, me kërkesën që deputetët të votojnë ndryshimet ligjore.