Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Një muaj paraburgim dy të dyshuarve për grabitjet e armatosura në argjendaritë në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë u ka caktuar një muaj paraburgim dy të dyshuarve për grabitje të armatosur në dy argjendari në Gjakovë.

Ata dyshohen për veprat penale “Grabitja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

“Të pandehurit A.U. dhe L.I., në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale të grabitjes, në dy raste të ndara dhe atë më 05.11.2026, rreth orës 17:15, në argjendarinë “Xhintoni”, në rr. “Nënë Tereza” në Gjakovë, të pandehurit, të maskuar dhe të armatosur, pasi kishin planifikuar grabitjen, kishin marrë me qira një veturë VË Passat në Deçan, së cilës i kishin vendosur targa të vjedhura. Pas vëzhgimit të lokalit, A.U., i armatosur me armë automatike, kishte kërcënuar me armë të dëmtuarin N. P. dhe nënën e tij, ndërsa L. I., me çekan, kishte thyer vitrinat dhe kishte marrë stoli ari në vlerë prej 27.000 euro dhe 1.600 euro nga pazari ditor, pas çka ishin larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, edhe në rastin e dytë të dyshuarit kishin vepruar njësoj për sa i përket planit për grabitje porse përveç dëmeve materiale, është plagosur edhe një person i cili kishte tentuar të ndërhyjë gjatë grabitjes.

“Po ashtu, më 16.11.2026, rreth orës 16:56, në argjendarinë “Balt Simoni”, në rr. “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë, të pandehurit, duke vepruar në të njëjtën mënyrë, kishin marrë me qira një veturë VË Golf VII në Pejë, së cilës i kishin vendosur targa të vjedhura. Pas vëzhgimit të lokalit, A.U., me armë automatike, kishte kërcënuar të dëmtuarin M. S. dhe familjarët e tij, ndërsa L. I., me çekan, kishte thyer xhamat dhe kishte marrë stoli ari nga sirtarët. Gjatë grabitjes kishte ndërhyrë i dëmtuari Sh. V., ndaj të cilit A. U. kishte shtënë me armë zjarri, duke e plagosur në këmbën e djathtë”, thuhet mes tjerash.

Dy ditë më parë, dy të dyshuarit u arrestuan për përfshirje në dy grabitjet e armatosura të argjendarive në Gjakovë, të ndodhura më 5 dhe 16 nëntor. Po ashtu gjatë bastisjeve në Deçan janë gjetur dhe sekuestruar para të gatshme, ari, një veturë Golf 7, armë zjarri dhe prova të tjera materiale.