Aktori Matt Damon ka zbuluar disa nga rregullat që zbaton gjatë mbrëmjeve me familjen. Për të, shikimi i një filmi duhet të jetë një përvojë që kërkon vëmendje të plotë, njësoj si në kinema.
Aktori, i cili, me bashkëshorten Luciana ka katër vajza, Alexia, 27-vjeçe, Isabelle, 20-vjeçe, Gia, 18-vjeçe dhe Stella, 16- vjeçe, ka treguar se nuk lejon telefona apo biseda gjatë filmit.
“U them fëmijëve se rregullat janë të njëjta si kur shkojmë në kinema: pa telefona dhe pa biseda”, ka thënë ai për revistën People.
Damon përpiqet të krijojë sa më shumë atmosferën e kinemasë edhe në shtëpi. Kjo nuk është gjithmonë e lehtë, pasi ambienti i ndenjjes është i hapur dhe lidhet me kuzhinën dhe hapësirën e ngrënies, ku ka shumë dritë. Megjithatë, familja kujdeset t’i fikë të gjitha dritat për ta bërë dhomën sa më të errët.
Aktori ka thënë se i gëzohet faktit që edhe vajzat e tij e pëlqejnë përvojën e të shkuarit në kinema.
“Ky brez po rikthehet në kinema dhe kjo është diçka e mrekullueshme. Përpiqem t’u tregoj se edhe në shtëpi mund të krijohet e njëjta përvojë. Nëse i kushton të njëjtin respekt, mund të jetë po aq argëtuese”, është shprehur ai.
Përvoja e tij si aktor e bën edhe më të kujdesshëm ndaj shpërqendrimeve gjatë një filmi. Damon thekson se pas çdo skene që shohim në ekran qëndrojnë shumë punë, përkushtim dhe kujdes nga regjisori dhe i gjithë ekipi.
Pikërisht për këtë arsye, ai mendon se filmi meriton vëmendjen e plotë të publikut, pa ndërprerje nga telefoni.
Ndërkohë, Damon dhe bashkëshortja e tij po përpiqen të shijojnë sa më shumë kohën me dy vajzat më të vogla, Gia dhe Stella, pasi dy vajzat më të mëdha tashmë janë larguar nga shtëpia. Alexia është vajza e Lucianës nga një lidhje e mëparshme.
Në një intervistë të mëparshme për People, aktori kishte pranuar se largimi i fëmijëve nga shtëpia e bën edhe më të vetëdijshëm për sa shpejt kalojnë vitet.
“Kur ke dy fëmijë më të rritur që janë larguar nga shtëpia, e kupton sa shpejt kalojnë këto vitet e fundit. Prandaj po përpiqemi të jemi të vetëdijshëm dhe të ruajmë sa më shumë nga këto momente”, kishte thënë ai.
Damon ka treguar gjithashtu se pas të 50-ave ka filluar ta shohë kohën si gjënë më të çmuar në jetë.
“Për mua, koha është bërë burimi më i çmuar që ekziston. Dua të jem i vetëdijshëm se si e shfrytëzoj dhe të sigurohem që po e kaloj pikërisht aty ku dëshiroj”, ka përfunduar aktori.