Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Tranzici-on” si udhëtim i papërfunduar përvojash personale

Ekspozita "Tranzici-on"

Ekspozita është ndarë në dy nivele të cilat ofrojnë përjetime të ndryshme vizuale. Në katin e sipërm, pikturat janë vendosur si suvenirë, duke krijuar përshtypjen e një koleksioni kujtimesh të ruajtura ndër vite

Trupi, kujtesa dhe emocionet nuk qëndrojnë në forma të pandryshueshme, por transformohen dhe ndërthuren vazhdimisht. Emërues i tyre i përbashkët është tranzicioni. Edhe loja me titullin e ekspozitës “Tranzici-on” është paralajmërim i një gjendjeje të papërfunduar. Tina Sylejmani, nëpër një udhëtim të tillë përvojash personale, luan me format, kujtesën, teksa ndërlidh të kaluarën, të tashmen, por edhe vizionin për të ardhmen

Pikturat e Tina Sulejmanit janë vendosur në ish-objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë si fragmente të një udhëtimi që ka nisur para më shumë se një dekade dhe që ende nuk ka përfunduar. Të krijuara në periudha të ndryshme, ato ndërthurin përjetime personale, kujtime dhe vizione për të ardhmen. Ekspozita dëshmon edhe për kalimet e artistes nëpër faza të ndryshme krijuese. Këtij procesi i referohet edhe titulli i ekspozitës personale “Tranzici-on”, e hapur të martën mbrëma, kuruar nga Arben Elshani.

Ekspozita është ndarë në dy nivele të cilat ofrojnë përjetime të ndryshme vizuale. Në katin e sipërm, pikturat janë vendosur si suvenire, duke krijuar përshtypjen e një koleksioni kujtimesh të ruajtura ndër vite. Edhe në muret e asaj që njihej edhe si Qendra për Praktika Rrëfyese, ato i japin ngrohtësi hapësirës së zbehtë dhe të ftohtë të ish-objektit të bibliotekës. Punimet me forma gjeometrike, kompozimet abstrakte dhe ndërthurjet e ngjyrave, nga ato shumëngjyrëshe deri te pikturat bardhezi, krijojnë atmosferë më të qetë, ku veprat komunikojnë përmes formës dhe estetikës.

Krejt tjetër është përjetimi në katin e poshtëm. Në hapësirën e errët, dritat fluoreshente i bëjnë ngjyrat të reflektojnë ndryshe, ndërsa muzika ambientale –  një lloj psybienti i ashpër – dhe mundësia e ndërveprimit të publikut me artin i japin ekspozitës një karakter më rebel. Përmes sprejve, vizitorët janë ftuar të lënë gjurmët e tyre në një kornizë me përmasa të mëdha, duke krijuar vepër kolektive që bëhet pjesë e kolazhit të punimeve të artistes. 

Në konceptin kuratorial, Arben Elshani e trajton identitetin si rrjedhë të vazhdueshme, ku trupi, kujtesa dhe emocionet nuk qëndrojnë në forma të pandryshueshme, por transformohen dhe ndërthuren vazhdimisht. 

Sipas tij, secila pikturë bart një përvojë personale të artistes, të cilën ajo e ka përpunuar në cikle të ndryshme krijuese.

“Vetë titulli ‘Tranzici-on’ nënkupton kalimin nëpër faza dhe përjetime të ndryshme. Secila pikturë e artistes pasqyron një përvojë personale, të cilën ajo e ka përjetuar dhe e ka shtjelluar në cikle të ndryshme artistike, të prezantuara në këtë ekspozitë”, ka shpjeguar Elshani.

Në tekstin kuratorial, ai e përshkruan trupin si hapësirë ku copëzat e vetvetes bashkohen dhe ndahen, në një lëvizje të vazhdueshme mes kujtimeve dhe intuitës. 

Kjo qasje shfaqet në ndërthurjen e strukturave gjeometrike me shpërthimet spontane të ngjyrave. Shtresat e vajit dhe akrilikut mbi pëlhurë, si dhe përdorimi i ngjyrave fluoreshente, krijojnë një dialog midis veprave me tema të ndryshme. 

Hapësira e sipërme, e ndriçuar, dhe ajo e poshtme, ku ngjyrat marrin karakter tjetër nën dritat fluoreshente, e zhvendosin shikuesin nga një mënyrë perceptimi në tjetrën. 

Elshani ka treguar se këto hapësira janë menduar për të krijuar përjetime të ndryshme, në përputhje me ndjeshmërinë që artistja ka bartur në veprat e saj.

“Në tërësi, kjo ekspozitë është një pasqyrim i përjetimeve të vetë artistes, të cilat ajo i ka bartur në pëlhurë për t’ia prezantuar publikut”, ka thënë kuratori.

Për autoren e veprave, Tina Sulejmani, ekspozita është përmbledhje e punës së saj shumëvjeçare, por edhe një mënyrë për të vënë në raport të kaluarën, të tashmen dhe atë që synon të zhvillojë në të ardhmen.

“E gjithë ekspozita përbëhet nga punimet e mia ndër vite, duke filluar nga ato të krijuara para trembëdhjetë vjetësh. Ka qenë një proces që ka ndërlidhur të kaluarën time, të tashmen, por edhe vizionin për të ardhmen”, ka thënë ajo.

Për të, tranzicioni është një proces i hapur, që nuk përfundon me një etapë të caktuar të jetës apo të krijimtarisë. Ka thënë se titulli i shkon për shtati edhe tranzionit të vetë objektit. 

“Më është dukur një titull mjaft i kapshëm edhe për njerëzit e tjerë, në mënyrë që secili të mund ta shpjegojë nga këndvështrimi i vet se çfarë mund të nënkuptojë fjala ‘tranzicion’. Mendoj se do të ketë edhe vazhdimësi, pasi tranzicioni është një proces që ende vazhdon. Edhe vizionet e mia vazhdojnë, ëndrrat e mia vazhdojnë dhe, bashkë me to, edhe krijimtaria ime”, ka thënë Sulejmani.

Krejt tjetër është përjetimi në katin e poshtëm. Në hapësirën e errët, dritat fluoreshente i bëjnë ngjyrat të reflektojnë ndryshe, ndërsa muzika ambientalem, një lloj psybienti gërvishtës, dhe mundësia e ndërveprimit të publikut me artin i japin ekspozitës një karakter më rebel

Përzgjedhja e punimeve është bërë nga disa faza të krijimtarisë së saj, përfshirë edhe periudhat kur artistja është përqendruar në format gjeometrike. 

Sulejmani ka shpjeguar se këto forma përfaqësojnë një pjesë të kërkimit të saj artistik, ndërsa në punimet e tjera, ngjyra është bërë mjet më i lirë i shprehjes dhe përpunimit të përjetimeve personale.

“Kam kaluar nëpër disa faza të ndryshme krijuese. Në disa prej tyre kam zgjedhur të punoj me forma gjeometrike, ndërsa në të tjera jam ndier më e lirë për ta shprehur veten përmes ngjyrave dhe për ta shëruar veten përmes pikturës”, ka treguar ajo.

Artistja ka shpjeguar se në punimet e saj ndërthuren disa qasje artistike. 

“Nuk janë vetëm dy stile, por më shumë. Zakonisht punoj me artin figurativ, surrealizmin dhe realizmin magjik. Këto rryma ndërlidhen me njëra-tjetrën dhe përpiqem të marr elemente nga secila, duke i ndërthurur në punimet e mia”, ka thënë Sulejmani.

Kuratori Zeni Ballazhi e ka vlerësuar veçanërisht mënyrën se si veprat dhe hapësira ndërveprojnë për të krijuar një atmosferë të ndryshme nga ajo që mund të pritet në hyrje të ndërtesës. 

“Kjo ekspozitë ka disa veçori të dallueshme. Përveç veprave, e veçanta qëndron edhe te hapësira ku është vendosur ekspozita. Siç mund ta shihni, ajo është organizuar në formën e një shtëpie, me dhoma të ndryshme, dhe këto piktura i japin asaj një atmosferë mjaft të ngrohtë. Ngjyrat dhe mënyra e vendosjes së punimeve krijojnë një ambient më të ngrohtë sesa mund ta imagjinojmë kur hyjmë nga hapësira e jashtme. Është arritur që hapësirat të shfrytëzohen në maksimum”, ka thënë Ballazhi.

Sipas tij, prezantimi i veprave dallon nga format më tradicionale të ekspozimit. 

“Vlerësimi i një ekspozite lidhet, natyrisht, edhe me veprat e artistit. Në këtë rast, punimet janë prezantuar mjaft mirë dhe kanë një veçanti që dallon nga ajo që jemi mësuar të shohim deri më tani, sidomos nga aspekti tradicional. Në to vërehet edhe elementi i kohës, i cili shprehet përmes ngjyrave dhe mënyrës së veçantë të prezantimit”, ka thënë më tej Ballazhi. 

Në konceptin e Elshanit, “Tranzici-on” është ftesë për ta parë ekzistencën si proces të pandërprerë transformimi.