Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gaz lotsjellës, top uji e të paktën 17 të lënduar – bilanci i protestës së përshkallëzuar

Protesta

Foto: Driton Paçarada

Dymbëdhjetë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas përplasjes mes policisë dhe protestuesve, të hënën mbrëma në Prishtinë. Drejtori i Emergjencës, Naser Syla ka të ditur se prej të lënduarve një është zyrtar policor ndërsa 11 të tjerë janë protestues. Syla ka bërë të ditur gjithashtu se gjendja e tyre është stabile dhe pas trajtimit janë lëshuar në shtëpi. Nga të lënduarit, tre janë trajtuar prej plagëve prerëse.

“Deri më tani në Qendrën Emergjente, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 12 persona, prej tyre një polic. Të gjithë kanë marë trajtimin e duhur dhe gjendja e tyre është stabile. Pas trajtimit të ofruar të gjithë janë lëshuar në shtëpi. Tetë prej të lënduarve janë trajtuar dhe nga ekipa e Klinikës së Oftalmologjisë për shkak të veprimit të lotsjellësit, kurse tre të tjerë plagë prerëse”, ka thënë në një përgjigje për KOHËN, Syla.

Në orët e mbrëmjes të së hënës, është përshkallëzuar situata në Prishtinë pas protestës para Kuvendit të Kosovës në të cilën protestuesit kanë kërkuar që Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të kalojë edhe në lexim të dytë. 

Në rrugën “Agim Ramadani” në kryeqytet, Njësia Speciale ka dalë me autoblindë dhe me “top” me ujë me synim shpërndarjen e protestuesve. Situatë e tensionuar ka mbretëruar edhe në hapësirat përreth Kuvendit të Kosovës, ku sërish është hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve.

Paraprakisht në rrugën “Agim Ramadani” janë djegur edhe kontejnerë dhe është hedhur gaz lotsjellës, derisa protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të zyrtarëve policorë dhe institucionit të Kuvendit të Kosovës.

Çlirim Haziri, një nga organizatorët e protestës ka thënë se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i sulmoi para grave e fëmijëve dhe iku.  

“Ai Xhelali që sot rri ulur në kolltukun që u ngrit mbi gjakun e dëshmorëve, sot na ra, na gjuajti para fëmijëve tanë, para grave tona, para nënave tona e iku me bisht nën shalë. Ashtu siç është si qyqar. Po vazhdojnë të na gjuajnë, e ne do të vazhdojmë të rezistojmë, s’do të ndalemi”, ka thënë Haziri para protestuesve.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka thënë se përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme që u ka bërë protestuesve që të respektohet ligji e të protestohet në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin gaz lotsjellës për të mundësuar daljen e deputetëve nga Kuvendi i Kosovës dhe për ta vënë situatën nën kontroll. Policia ka thënë se janë shkaktuar dëme materiale, por nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave. 

“Edhe përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme nga Policia, për respektim të ligjit, për protestim në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin mjetet e ligjshme policore, gazin lotsjellës, për të mundësuar daljen e personaliteteve nga Kuvendi dhe për të vënë situatën nën kontroll. Si pasojë e hedhjes së gjësendeve të ndryshme, mjeteve piroteknike, fishekzjarrëve, ndezjes së disa kontejnerëve të mbeturinave e zjarreve në rrugë nga protestuesit, janë shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave. Policia e Kosovës, e rithekson se e njeh të drejtën e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe vazhdon të apelojë te të gjithë pjesëmarrësit të protestojnë të qetë, të mos e dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet. Përderisa protesta vazhdon, zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. 

Policia e Kosovës ka publikuar edhe një komunikatë me të dhënat e fundit nga protesta që përshkallëzoi në Prishtinë. Siç thuhet në njoftim, gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësorë si dhe 11 protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore po ashtu.
Siç thuhet tutje në njoftim, Policia e Kosovës ka intervenuar me gaz lotsjellës, përfshirë topin e ujit për të shpërndarë protestuesit me qëllim që të parandalohet eskalimi i mëtejmë i situatës. 

Gjatë ditës, protestuesit kanë ndërmarrë veprime të dhunshme edhe ndaj disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht Farush Rexhepit e Sami Kurteshit. Po ashtu është penguar zyrtari i Qeverisë, Besnik Bislimi, ndërsa dhunë fizike është përdorur ndaj gazetarit Jeton Sopa.  

Partia Demokratike e Kosovës nuk ka reaguar ndaj sjelljes së protestuesve ndaj deputetëve dhe sulmit ndaj Kuvendit, por ka dënuar siç kanë thënë dhunën e policisë ndaj protestuesve. PDK-ja ka kërkuar nga organet shtetërore “ndaljen e çdo veprimi joproporcional që po cenon rëndë të drejtën e qytetarëve për protestë”. 

Musmurati: Deputetët s’po lejohen të dalin nga Kuvendi, presim votimin e Projektligjit në lexim të dytë

3 d. më parë / 5 tet 2026 12:35
Besianë Musmurati

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka thënë se protestuesit po qëndrojnë pranë të gjitha hyrjeve dhe daljeve të Kuvendit, duke mos lejuar deputetët të largohen nga objekti. 

Ajo ka kërkuar që Projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të votohet sa më shpejt edhe në lexim të dytë.

Në një prononcim për KTV-në nga protesta që po mbahet jashtë hapësirave të Kuvendit, Musmurati u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës në sheshin “Skënderbeu”, duke theksuar se procesi nuk ka përfunduar me miratimin e projektligjit në lexim të parë.

“Ju i shihni tanimë se në të gjitha hyrjet dhe daljet e Kuvendit ka qytetarë që po rrinë afër dhe nuk po i lejojnë deputetët të dalin jashtë, sepse dëshirojmë që ligji të kalojë edhe në lexim të dytë...Ende nuk ka përfunduar asgjë. Ka përfunduar vetëm leximi i parë dhe ne nuk do të zmbrapsemi derisa të votohet edhe në leximin e dytë”, u shpreh ajo.

Sipas Musmuratit, kërkesat e protestuesve kanë qenë të njëjta që nga fillimi: miratimi i ligjit dhe sigurimi i fondeve. 

Ajo tha se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e këtyre kërkesave.

Musmurati gjithashtu tha se organizatorët kanë bërë vazhdimisht thirrje për qetësi dhe theksoi se protestuesit nuk kanë qëndrim kundër Policisë së Kosovës.

Haxhiu u bën thirrje protestuesve për qetësi: UÇK-ja nuk mbrohet me dhunë

3 d. më parë / 5 tet 2026 12:12
Haxhiu- kuvend

Photo: Driton Paçarada

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje protestuesve ta ruajnë qetësinë.

Ajo ka thënë se e drejta për protestë është e garantuar me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi, por ka shtuar se UÇK-ja nuk mbrohet përmes dhunës.

“​Nga kjo foltore u bëj thirrje protestuesve ta ruajnë karakterin paqësor të protestës, sepse dhuna e dëmton kauzën që duam ta mbrojmë, atë të UÇK-së dhe atë të çlirimtarëve tanë. Kuvendi e miratoi në parim projektligjin, prandaj u bëj thirrje të gjithëve ta ruajnë qetësinë dhe protesta të vazhdojë në mënyrë paqësore. Edhe grupet parlamentare duhet të bëjnë thirrje të njëjtë. As UÇK-në e as çlirimtarët nuk mund t’i mbrojmë me dhunë. Vlerat e tyre nuk mbrohen me dhunë”, ka thënë ajo.

Mjete piroteknike janë hedhur në oborrin e Kuvendit të Kosovës nga disa protestues që janë duke qëndruar para këtij institucioni. 

Kurti e Hamza takohen sot në orën 12:30 në Kuvend

3 d. më parë / 5 tet 2026 12:08
Kurti - Hamza

Fotot: Arkiv

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti do të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza sot në orën 12:30.

Takimin e ka paralajmëruar Kurti në fjalimin e tij në seancën ku deputetët e miratuan në parim Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Specialen. 

Nga PDK-ja që e ka iniciuar nismën për ndryshim të Ligjit, kanë thënë se presin që ai të miratohet të hënën në të dyja leximet. 

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se pas miratimit të projektligjit, partia e tij është e gatshme për marrëveshje me Vetëvendosjen për zgjedhjen e presidentit, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të reja. 

Afati i fundit për zgjedhje të presidentit është 6 tetori.

Ndërkohë Kurti në fjalën e tij në Kuvend, të hënën ka theksuar nevojën për stabilitet institucional.

“Duhet ligj për Gjykatën në Hagë por edhe president për Kosovën. S’mund të bëhet njëra pa tjetrën. Na duhet një strategji serioze, por për ta zbatuar atë strategji na duhen institucione funksionale. Një ligj për Hagën pa stabilitet institucional, rrezikon të përfundojë në dështim”, ka thënë Kurti. 

Një dritare e Kuvendit thyhet nga fishekzjarrët e hedhur nga protestuesit

3 d. më parë / 5 tet 2026 12:04 Nga: Valbona Bytyqi
Fishekzjarrët

Seanca plenare në të cilën u votua Projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe që po vazhdon me pikat tjera të rendit të ditës, po mbahet nën zhurmën e mjeteve piroteknike që po hedhen nga protestuesit në oborrin e Kuvendit. 

Protesta nuk ka qenë aq e qetë sa në ditët e kaluara, meqë kanë kaluar disa orë prej kur kanë filluar përdorimin e këtyre fishekzjarrëve.

Organizatorët kanë kërkuar që protesta të vazhdojë e qetë. 

Zyrtarët e policisë kanë bërë thirrje që këto mjete të mos hidhen në objektin e Kuvendit, por thirrjet janë injoruar nga të rinjtë që po hedhin fishekzjarrë. 

Ekipi i KOHËS në terren ka bërë të ditur se është thyer një dritare e katit të dytë të objektit të Kuvendit, e cila shfrytëzohet për të kaluar nëpër hapësira e Kuvendit. 

Është bërë thirrje që të ketë kujdes në mënyrë që të mos lëndohet asnjë person.

Një reagim të tillë e ka nxitur ardhja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila është sharë dhe është hedhur me mjete piroteknike dhe është sharë derisa ka hyrë në Kuvend. 

Fishekzjarrët po hedhen nga një grup prej katër-pesë personash.

Votohet në parim Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen

3 d. më parë / 5 tet 2026 11:06
deputete

Është votuar me 91 vota për në lexim të parë Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Specialen. 

Në votim nuk ka marrë pjesë Grupi Parlamentar i LDK-së.

Deputeti Përparim Gruda ka paraqitur propozimet për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Specialen.

Ndër të tjera ka deklaruar se procesi 6-vjeçar në Gjykatën Speciale ka vërtetuar përtej çdo dyshimi se nuk kishte trafikim të organeve, akuzë mbi të cilën u themelua Gjykata Speciale. Ai ka thënë se tashmë Kosovës i është vënë një re tjetër e zezë e të cilën Kuvendi nuk duhet ta lejojë.

Ka deklaruar se nuk prishin asnjë detyrim ndërkombëtar me këtë veprim. 

“Jemi në rregull me të gjitha veprimet ndërkombëtare që ka ndërmarr Kosova dhe jemi në rregull me Kushtetutën”, ka thënë ai. Gruda ka bërë thirrje që të votohet në lexim të parë.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli ka rekomanduar që të miratohet në parim Projektligji në fjalë.

Të dielën nga PDK-ja që e ka iniciuar nismën për ndryshim të Ligjit, kanë thënë se presin që ai të miratohet të hënën në të dyja leximet. 

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se pas miratimit të projektligjit, partia e tij është e gatshme për marrëveshje me Vetëvendosjen për zgjedhjen e presidentit, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të reja.

Afati i fundit për zgjedhje të presidentit është 6 tetori.

Pas miratimit në parim Projektligjit duhet të shqyrtohet në katër komisionet e përhershme të Kuvendit, për t’u rikthyer në seancë për shqyrtim në lexim të dytë. 

Haradinaj: AAK-ja e voton ndryshimin e Ligjit për Specialen, vendimet e saj janë ofendim për popullin

3 d. më parë / 5 tet 2026 11:01
Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar në seancën e Kuvendit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara se vendimet dënuese ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbëjnë, siç u shpreh ai, ofendim për popullin e Kosovës, institucionet dhe drejtësinë.

Ai ka thënë se Aleanca e mbështet këtë ndryshim të Ligjit, duke kërkuar që ai të procedohet me urgjencë dhe të miratohet në të dyja leximet brenda së njëjtës ditë. 

“Ne jemi të ofenduar rëndë. Një vendim dënues për udhëheqësit e UÇK-së është ofendim për popullin e Kosovës, për gjakun tonë, për këtë Parlament e edhe për drejtësinë. Ligjin e sotëm Aleanca e voton dhe i kërkojmë këtij Parlamenti që me mocion ta vendosë në të dyja leximet dhe ta kryejmë sot”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, përgjigjja më e drejtë ndaj vendimeve të Gjykatës Speciale do të ishte anulimi i saj.

“Nderi i shqiptarëve, i ynë, i këtij Kuvendi do të ishte një ligj me një nen dhe anulim i kësaj gjykate. Nuk jemi në faj me këtë ligj, është shumë pak dhe shumë vonë”, është shprehur ai.

Kurti: Ju mbështesim, por bashkë me votën duhet ta merrni edhe përgjegjësinë

3 d. më parë / 5 tet 2026 11:00
Albiin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se lufta e drejtë e popullit ishte luftë çlirimtare. UÇK-ja, sipas Kurtit, ishte shprehja më e lartë në histori që nga Lidhja e Prizrenit.

Ka thënë se lufta ishte përgjigje ndaj gjenocidit të kryer nga Serbia ndaj Kosovës.

Kurti, para deputetëve, ka thënë se për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq.

Ai ka deklaruar se lëvizjet për ndryshimin e ligjit janë të ngutshme dhe të paanalizuara mirë.

“Ka qenë një kohë e shkurtër për të analizuar ligjin, sidomos kur nuk e kemi aktgjykimin e prerë. Këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Specialen janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar sa duhet. Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2015. Atëherë nuk na keni dëgjuar, por sot do të duhej të na konsultoni. Zemërimi i qytetarëve është i drejtë. Ankesat për gjykatën duhet t’u drejtohen atyre që e themeluan e jo ndaj atyre që e kundërshtuan”, ka thënë ai.

Ka thënë se s’do t’i pengojnë por bashkë me këtë votë duhet ta marrin edhe përgjegjësinë politike.

“Ne po ju themi se kjo çështje kërkon më shumë kohë dhe më shumë analizë. Ju po u thoni qytetarëve se e keni zgjidhjen. Ne nuk jemi të bindur se është kështu, por përsëri nuk do t’ju pengojmë. Duhet ta keni parasysh jo vetëm shkakun që ju shtyn të votoni sot, por edhe pasojat që mund t’i prodhojë ky votim nesër. Nuk mjafton vetëm të reagojmë ndaj një padrejtësie, por duhet të sigurohemi që, duke tentuar ta korrigjojmë një gabim, të mos e prodhojmë një tjetër. Megjithëkëto, ne s’po ju pengojmë. Por, bashkë me këtë votë, duhet ta merrni edhe përgjegjësinë politike”, është shprehur Kurti.

Ka shtuar se nuk janë të bindur për dobinë e këtij ligji.

“Duhet ligj për Gjykatën në Hagë por edhe president për Kosovën. S’mund të bëhet njëra pa tjetrën. Na duhet një strategji serioze, por për ta zbatuar atë strategji na duhen institucione funksionale. Një ligj për Hagën pa stabilitet institucional, rrezikon të përfundojë në dështim”, ka thënë. 

Ka falënderuar Hamzën për takimet, derisa ka paralajmëruar takim edhe sot.

LDK-ja s'e voton ndryshimin e Ligjit për Specialen

3 d. më parë / 5 tet 2026 10:50
ldk

Photo: Driton Paçarada

Jehona Lushaku – Sadriu, deputete e LDK-së, ka thënë se lufta e UÇK-së është e shenjtë, por ka thënë se nuk mudn të bëhet pjesë e kësaj nisme.

Ka thënë se asnjë përgjegjësi individuale nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive e as ta zhbëjë karakterin çlirimtar të kësaj lufte.

Ajo ka deklaruar se nuk mund të premtojnë se një votim në Kuvend mund të zhbëjë një aktgjykim apo  ta zëvendësojë betejën juridike.

“Ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk i shfuqizon detyrimet dhe nuk mund ta anashkalojë Kushtetutën. Vet miratimit i këtyre ndryshimeve nuk garanton zbatimin e tyre e as rezultatin që u premtohet qytetarëve sot. Ndryshimet e miratuara nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit kushtetues’, ka thënë ajo.

Ka thënë se për LDK-në rruga e vetme për të ndryshuar një aktgjykim është rruga gjyqësore, rruga e Apelit.

Protestuesit hedhin mjete piroteknike pranë Kuvendit gjatë seancës për Ligjin për Specialen

3 d. më parë / 5 tet 2026 10:41 Nga: Valbona Bytyqi dhe Rrezon Gashi
Petarda

Derisa po mbahet seanca plenare me pikë të parë të rendit të ditës plotësim-ndryshimin e Ligjit për Specialen, protestuesit pranë hapësirave të Kuvendit kanë nisur përdorimin e mjeteve piroteknike. 

Ekipi i KOHËS në terren ka bërë të ditur se krismat e këtyre mjeteve nisën të ndihen më intensivisht gjatë fjalës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci. 

Hedhja e tyre nuk është ndalur as me të marrë fjalën deputeti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, parti që ka iniciuar ndryshimin e këtij ligji.

Hamza: Kjo çështje ka të bëjë me historinë dhe të ardhmen e vendit

3 d. më parë / 5 tet 2026 10:39
bedri hamza

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se kjo çështje ka të bëjë me historinë e vendit dhe të ardhmen e tij.

Ka shtuar se kanë kërkuar e vazhdojnë të besojnë në drejtësi.

Gjykimin e Speciales e ka quajtur proces të rëndë për vendin.

“Janë krijuar dhe është amandamentuar Kushtetuta në bazë të raportit i cili ka bartur në vetvete akuza të tmerrshme. Jam i sigurt që nuk ka asgjë në ato akuza. Ato nuk mund të faktohen as me prova as me fakte. Dhe me ata që Kosova e ka bërë rrugën, me ata që e ka fitu lirinë e pavarësinë, ata e kanë votuar atë gjykatë. Që ka deviju Gjykata nga ajo që është votuar, është shumë e vërtetë”, ka thënë ai.

Ka shtuar se deri tash asnjë nga akuzat nuk është vërtetuar.

Ka thënë se nuk po kërkojnë që të mos gjykohet krimi. Sipas tij secila viktimë duhet ta ketë të drejtën e vet për drejtësi.

“Nuk po kërkojmë ta mbyllim Gjykatën, po kërkojmë llogaridhënie”, ka thënë ai.

Ka shtuar se në kohen kur është organizuar UÇK-ja nuk ka ekzistuar PDK-ja e as Lëvizja Vetëvendosje.

Nagavci: LVV-ja ishte kundër Speciales atëherë, është edhe sot

3 d. më parë / 5 tet 2026 10:35
Arberie Nagavci

Photo: Driton Paçarada

Arbërie Nagavci, deputete nga LVV-ja ka thënë çështja e Gjykatës Speciale do të duhej të zgjidhej në pranverën e vitit 2015. Ka deklaruar se LVV-ja ishte kundër Speciales dhe të njëjtin qëndrim e ka edhe sot. 

“Shumica parlamentare e asaj kohe bëri zgjedhje tjetër duke miratuar ligjin. 11 vjet më vonë reagimi është i vonuar dhe zgjidhjet janë të nxituara. Ne do ta mbështesim këtë përpjekje”, ka thënë ajo. “Apeli duhet të trajnohet me seriozitetin më të madh. Pasojat e këtij procesi kanë shkuar përtej sallës së gjyqit. Ndryshimi i ligjit sot nuk e zhbën këtë dëm. UÇK-ja nuk mund të identifikohet me këtë lloj aktgjykimi”, ka thënë ajo.

LDK-ja s’merr pjesë në votimin për shmangie nga procedura për ndryshim të Ligjit për Specialen

3 d. më parë / 5 tet 2026 10:29
votim

Deputetët e LDK-së nuk kanë marrë pjesë në votimin e propozimit për shmangie të procedurave të rregullta për miratim të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. 

Ndërkohë që në seancën ku po shqyrtohet Projektligjit, përveç deputetëve të Listës Serbe, nuk po merr pjesë as deputeti i partisë së ministrit Nenad Rashiq, Lazar Raduloviq, as Rashiqi e as ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla. 

Nis seanca, Kuvendi shqyrton në parim ndryshimin e Ligjit për Specialen

3 d. më parë / 5 tet 2026 10:13
seanca

Photo: Driton Paçarada

Ka nisur punimet seanca ku do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. 

Në sallë janë deputetët e të gjitha grupeve parlamentare, me përjashtim të deputetëve të Listës Serbe. Deputetët e LDK-së kanë ardhur të fundit në sallë. 

Drafti i plotë Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Specialen

3 d. më parë / 5 tet 2026 10:03
Gjykata Speciale ne Hage

Ky është drafti i plotë i Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. 

Ai ka kaluar në parim në Komisionin për Legjislacion dhe pritet të votohet edhe në seancë plenare. 

Drafti i plotë i Projektligjit:

Kalon më shumë se gjysmë ore prej kur do të duhej të niste seanca

3 d. më parë / 5 tet 2026 09:32
seance

Ka kaluar gjysmë orë që nga koha kur do të duhej të niste seanca e jashtëzakonshme në të cilën pritet të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen.

Seanca ishte thirrur nga ora 9.

Deri tash të pranishëm janë vetëm disa deputetë të PDK-së dhe të Aleancës.

Nga ora 8 në Komisionin për Legjislacion është miratuar në parim Projektligji për ndryshimet e Ligjit për Specialen. 

Komisioni për Legjislacion miraton ndryshimet në Ligjin për Specialen

3 d. më parë / 5 tet 2026 08:37
komisionii

Photo: Driton Paçarada

Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. 

Në mbledhjen e mbajtur të hënën, pak para seancës plenare, ai është votuar unanimisht nga anëtarët e Komisionit që kanë qenë prezent. Për ndryshim të Ligjit kanë votuar 9 deputetë, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Tani ai pritet të shqyrtohet në parim në edhe në seancë plenare.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tek ka arsyetuar kërkesën për ndryshim të Ligjit ka thënë se me të synohet që Gjykatës Speciale t’i merret një pjesë e juridiksionit. 

“E kemi gjetur një zgjidhje që të mos prekim as Kushtetutën, as detyrimet tona ndërkombëtare, krejt çfarë kemi bërë është që përmes ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara që është një ligj i zakonshëm, në i marrim një pjesë të juridiksionit Gjykatës Speciale, ajo është pjesa e krimeve të luftës e cila nuk ka qenë kurrë qellim për Gjykatën Speciale”, është shprehur Gruda. 

Kryetari i Komisionit, Vigan Qorolli ka thënë deputetët e LVV-së do të votojnë pro këtyre ndryshimeve.

“Jemi në një situatë që ne si komision të gjithë njëzëri do ta miratojmë ndryshimin e ligjit. Ne në këtë rend hierarkik kushtetues duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Në emër të deputetëve të LVV-së do ta japim votën pro. Do të ndihmojmë të kalojmë këtë situatë sepse lufta e drejtë e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e historisë tonë. Katër krerët e UÇK-së duhet të prezumohen të pafajshëm sepse janë të pafajshëm. Vota jonë do të jetë pro ndryshimeve”, ka thënë ai.

Besnik Tahiri i Aleancës ka thënë se procesi gjyqësor 6-vjeçar na dëshmoi se ajo për çka është formuar kjo gjykatë është tejkaluar.

“Ajo qe duhet ne si Komision për Legjislacion ta themi është se ndryshimi mbi premisat e standardeve politike janë shumë normale për shkak se ligjet nuk janë libra të shenjtë që nuk ndryshojnë. Ato ndryshojnë me kohë. Institucioni duhet të reflektojë dhe ne sot jemi këtu për t’i bërë këto veprime”, ka thënë ai.

Me thirrjet “Votojeni ligjin”, protestuesit mblidhen para dyerve të Kuvendit

4 d. më parë / 5 tet 2026 08:04
protesta

Photo: Driton Paçarada

(Tekst i përditësuar) - Me thirrjen “Votojeni ligjin” protestuesit janë mbledhur para dyerve të Kuvendit të Kosovës dhe në hyrjen pas objektit.

Protesta është thirrur nga Organizatat e dala nga lufta dhe platforma “Jo në emrin tim”.

Një numër qytetaresh kanë qëndruar tërë natën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë para votimit të ndryshimeve në Ligjin për Specialen.

Në Komisionin për Legjislacion mëngjesin e sotëm është votuar në parim projektligji për ndryshim të Ligjit për Specialen. Në seancën e thirrur kjo pikë është pika e parë e rendit të ditës.


Protestuesit kalojnë natën para Kuvendit

Një numër qytetarësh kanë protestuar që nga mbrëmja e së dielës para hyrjes së Kuvendit të Kosovës, në kuadër të protestës së organizuar nga iniciativa “Jo në emrin tim”, me kërkesën që deputetët të votojnë ndryshimet ligjore për Dhomat e Specializuara.

Iniciativa u ka bërë thirrje qytetarëve që të mblidhen sërish të hënën në orën 08:00 para Kuvendit, në kohën kur pritet të shqyrtohet projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Po ashtu, në orën 09:00, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka paralajmëruar protestë para Kuvendit, me kërkesën që deputetët të votojnë ndryshimet ligjore.