Një bimë tropikale, e përdorur prej mijëra vjetësh në mjekësinë tradicionale indiane, mund të ndihmojë në uljen e dëshirës për sheqer dhe konsumimin e ëmbëlsirave. Ajo quhet gymnema sylvestre, ndërsa në gjuhën indiane njihet si gurmar, që përkthehet “shkatërruesja e sheqerit”, ka shkruar The New York Post.
Studimet e fundit sugjerojnë se ekstrakti i kësaj bime mund të zvogëlojë dëshirën për çokollatë dhe produkte të tjera të ëmbla. Në një studim të vogël, pjesëmarrësit konsumuan 21 për qind më pak çokollatë vetëm 15 minuta pasi morën një mente që përmbante 4 miligramë ekstrakt të bimës.
Efekti ishte edhe më i dukshëm te personat që kishin dëshirë të madhe për ëmbëlsira, të cilët raportuan se çokollata u dukej më pak e shijshme dhe nuk kishin të njëjtën dëshirë për të konsumuar më shumë.
Një studim tjetër, i zhvilluar për dy javë, ka treguar rezultate të ngjashme. Personat që kishin prirje për të konsumuar shumë sheqer dhe përdorën disa mente me ekstraktin e bimës gjatë ditës, raportuan ulje të dëshirës për ushqime të ëmbla.
Sekreti qëndron te përbërësit aktivë të saj, të njohur si acide gjimnemike. Këto substanca ndikojnë te receptorët e shijes në gjuhë, duke dobësuar perceptimin e shijes së ëmbël.
Kur ekstrakti merret para konsumimit të ushqimeve me sheqer, ai mund ta bëjë çokollatën, karamelet dhe ëmbëlsirat më pak tërheqëse. Në këtë mënyrë, mund të ndihmojë në kontrollin e dëshirës për sheqer dhe të sasisë së ushqimit të konsumuar.
Përveç ndikimit në dëshirën për ëmbëlsira, studiuesit po shqyrtojnë edhe efektet e kësaj bime në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak.
Disa studime sugjerojnë se acidet gjimnemike mund të pengojnë përthithjen e sheqerit në zorrë, duke ndihmuar në uljen e glukozës në gjak pas vakteve.
Ekzistojnë gjithashtu të dhëna paraprake se ekstrakti mund të ndikojë në prodhimin e insulinës nga pankreasi dhe të ndihmojë në funksionimin e qelizave që prodhojnë këtë hormon.
Megjithatë, provat shkencore nuk janë ende të mjaftueshme që kjo bimë të rekomandohet si trajtim i pavarur për diabetin.
Disa kërkime kanë sugjeruar se gymnema sylvestre mund të ketë ndikim pozitiv edhe në nivelin e yndyrave në gjak.
Në një studim me persona me mbipeshë të moderuar, përdorimi i ekstraktit u shoqërua me ulje prej 20 për qind të triglicerideve, ulje prej 19 për qind të yndyrës së dëmshme në gjak (LDL), si dhe rritje prej 22 për qind të yndyrave të shëndetshme (HDL).
Këto rezultate janë premtuese, por nevojiten studime më të mëdha për të konfirmuar përfitimet.
Edhe pse është një bimë natyrale, kjo nuk do të thotë se është pa rreziqe. Ekstrakti i saj mund të ulë nivelin e sheqerit në gjak dhe, nëse kombinohet me ilaçet për diabetin, mund të shkaktojë hipoglicemi (ulje të tepruar të sheqerit në gjak).
Prandaj, personat që vuajnë nga diabeti ose përdorin ilaçe për kontrollin e glukozës duhet të konsultohen me mjekun përpara se ta përdorin.