Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova e Shqipëria synojnë zgjerim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe edukimit ushtarak

Ferdinant Dimo dhe Bashkim Jashari

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneralmajor Ferdinant Dimo.

Në njoftimin e FSK-së thuhet se të dy gjeneralët riafirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve ushtarake, duke vlerësuar se bashkëpunimi në fushën e arsimimit dhe edukimit ushtarak përbën një dimension të rëndësishëm në zhvillimin profesional dhe institucional të të dy forcave.

Përveç bashkëpunimit në fushën e arsimimit dhe edukimit ushtarak, thuhet se është diskutuar edhe për bashkëpunimin në shkëmbimin e përvojave profesionale, si dhe mundësitë për zgjerimin dhe avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Gjenerallejtënant Jashari vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy forcave, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit të aktiviteteve në fushën e edukimit dhe trajnimit ushtarak, si dhe të shkëmbimit të përvojave, në funksion të zhvillimit të mëtejmë të njohurive dhe aftësive profesionale të personelit ushtarak”, thuhet në njoftim.