Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka organizuar tryezë diskutimi me temën “Performanca institucionale dhe perceptimi qytetar për sistemin e drejtësisë”, ku është prezantuar edicioni i dhjetë i raportit RoLPIK, i cili pasqyron perceptimin e qytetarëve për funksionimin, pavarësinë dhe besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë në Kosovë.
Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Njomza Arifi, gjatë fjalës së saj tha se perceptimi i qytetarëve për pavarësinë e sistemit të drejtësisë vazhdon të mbetet jo i kënaqshëm, duke theksuar se ndikimi politik, politikat e ulëta ndëshkimore dhe mitmarrja janë ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
“Sikurse në edicionin e kaluar, edhe sivjet perceptimi i qytetarëve në raport me pavarësinë e sistemit të drejtësisë vazhdon të mos jetë i kënaqshëm. Politikat e ulëta ndëshkimore, ndikimi politik janë disa nga elementet të cilat qytetarët konsiderojnë që janë duke cenuar ose vazhdojnë ta cenojnë funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë ... gjysma e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar që nuk kanë parë përmirësim të dukshëm në funksionimin e sistemit në pesë vjetët e fundit. Kurse, kur janë pyetur për reformat në drejtësi, ata kanë preferuar që fokusi më i madh të jetë në forcimin e institucioneve ekzistuese sesa në krijimin e institucioneve të reja”, tha Arifi.
Ndërkaq, prezantimin e edicionit të dhjetë të raportit RoLPIK e bëri menaxheri i projekteve në GLPS, Liridon Salihi, i cili prezantoi gjetjet kryesore të hulumtimit dhe perceptimin e qytetarëve për institucionet e drejtësisë.
Salihi bëri të ditur se një prej çështjeve kryesore të trajtuara në raport është ndikimi i politikës në institucionet e drejtësisë, duke theksuar se rreth 60 për qind e qytetarëve të anketuar vlerësojnë se këto institucione ndikohen nga politika.
“Çështja kryesore që trajton raporti është se sa e shohin qytetarët ndikimin e politikës në institucionet e drejtësisë. Pra, si e perceptojnë këtë qytetarët dhe çfarë tregojnë të dhënat që kemi publikuar dhe i kemi nxjerrë nga anketa me qytetarët. Rezulton se rreth 60 për qind e qytetarëve të Republikës së Kosovës vlerësojnë që institucionet e drejtësisë ndikohen nga politika. Sa u përket institucioneve që kanë më së shumti ndikim nga politika, gjykatat vazhdojnë të prijnë me 35.1 për qind, pastaj prokuroritë me 34 për qind dhe policia në vendin e tretë me 17.7 për qind”, deklaroi Salihi.
Ai foli edhe për perceptimin e qytetarëve lidhur me praninë e korrupsionit dhe ryshfetit në institucionet e drejtësisë, duke thënë se pothuajse gjysma e të anketuarve e konsiderojnë këtë dukuri të pranishme.
“Sa i përket çështjes së ryshfetit ose korrupsionit në institucionet e drejtësisë, rreth 48 për qind e qytetarëve kanë deklaruar se kjo dukuri është prezente në institucionet e drejtësisë, duke i renditur gjykatat dhe prokuroritë si institucionet ku është më së shumti e pranishme një dukuri e tillë. Ndërsa, në raport me efektivitetin në luftimin e korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, policia vazhdon të renditet si institucioni që ka vlerësimin më pozitiv në raport me institucionet e tjera të drejtësisë. Njëkohësisht, paraqet institucionin me të cilin qytetarët janë më të kënaqur në raport me prokurorinë dhe gjykatat”, tha ai.
Sipas Salihit, raporti evidenton gjithashtu gatishmërinë e qytetarëve për të bashkëpunuar me institucionet e drejtësisë dhe për të raportuar rastet e korrupsionit apo veprat e tjera penale.
“Sa i përket raportimit, meqenëse është edhe obligim ligjor raportimi i veprave penale, këtë vit kemi rreth 70 për qind të qytetarëve që deklarojnë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të raportojnë raste të korrupsionit ose vepra të tjera penale në këto institucione. Si institucionin e parë ku do të raportonin, ata kanë zgjedhur Policinë e Kosovës, me 87.4 për qind”, u shpreh Salihi.
Duke folur për përvojat e qytetarëve me sistemin gjyqësor, ai bëri të ditur se vetëm një pjesë e vogël e të anketuarve janë të përfshirë në procedura gjyqësore, ndërsa më pak se një e katërta kanë pranuar shërbime nga gjykatat gjatë pesë viteve të fundit.
“Duke qenë se kemi një numër të madh të rasteve në gjykata, ne kemi pyetur edhe qytetarët se sa prej tyre janë palë në këto procedura dhe rezulton se vetëm diku rreth 5 për qind e qytetarëve të anketuar janë palë në një procedurë. Pjesa më e madhe e tyre janë palë e dëmtuar ose në cilësinë e paditësit. Ata që kanë pranuar shërbime nga gjykata në pesë vitet e fundit janë vetëm 23.3 për qind, ndërsa mesatarja e vlerësimit të këtyre shërbimeve që u ofruan nga institucionet e drejtësisë është 3.5. Pra, në një varg prej 1 deri në 5, mesatarja ka qenë 3.5, bazuar në përgjigjet që kanë dhënë qytetarët sa i përket kënaqshmërisë me shërbimet që i morën nga gjyqësori”, theksoi ai.
Një tjetër gjetje e rëndësishme e raportit lidhet me mungesën e përmirësimit të dukshëm të sistemit të drejtësisë gjatë pesë viteve të fundit. Sipas Salihit, rreth gjysma e qytetarëve nuk vërejnë ndryshime pozitive, ndërsa ata që kanë perceptim më pozitiv e lidhin përmirësimin kryesisht me transparencën dhe llogaridhënien.
“Sumica e qytetarëve, diku rreth 50 për qind e tyre, vlerësojnë se nuk ka pasur përmirësim në sistemin e drejtësisë gjatë pesë vjetëve të fundit. Ky është opinioni publik, ndërsa pjesa tjetër, rreth 36 për qind, vlerësojnë se ka pasur përmirësim në sistemin e drejtësisë dhe këtë përmirësim më së shumti e kanë parë te llogaridhënia dhe transparenca e sistemit”, deklaroi Salihi.
Në raport me pavarësinë institucionale dhe mënyrën e marrjes së vendimeve gjyqësore, Salihi tha se qytetarët kanë më shumë besim në pavarësinë e Policisë së Kosovës, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre vazhdojnë të kenë dyshime për ndikimet në vendimet e gjykatave.
“Sa i përket pavarësisë së institucioneve, qytetarët vlerësojnë se policia është institucioni që mund t’i kryejë detyrat e veta në mënyrë më të pavarur. Kurse, sa i përket pyetjes se në çka bazohen gjyqtarët kur i nxjerrin vendimet e tyre për çështjet që i gjykojnë, rezulton se vetëm 43.9 për qind vlerësojnë se vendimet e gjykatave nxirren në bazë të provave dhe kornizës ligjore. Ndërsa, pjesa tjetër, pra rreth 50 për qind e qytetarëve, ende vlerësojnë se vendimet gjyqësore varen nga ndikimet, qoftë brenda apo edhe jashtë sistemit të drejtësisë”, u shpreh ai.
Raporti ka trajtuar edhe perceptimin e qytetarëve për nivelin e sigurisë në vend, në një periudhë kur janë shënuar raste të shumta të dhunës dhe vrasjeve, përfshirë edhe vrasjet e grave. Salihi bëri të ditur se, në shkallën nga aspak të sigurt deri te plotësisht të sigurt, mesatarja e përgjigjeve të qytetarëve ishte 3.38.
“Sa i përket nivelit të sigurisë në vend, duke qenë se zhvillimet e fundit, vrasjet, sidomos vrasjet e grave, në këtë periudhë kemi pasur diku tetë vrasje të grave, qytetarët janë pyetur se si ndihen sa i përket kësaj çështjeje. Në mes të vlerave aspak të sigurt dhe plotësisht të sigurt, mesatarja e përgjigjeve të tyre ka qenë 3.38”, tha Salihi.
Ai shtoi se perceptimi qytetar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore tregon se politikat ndëshkimore në këto raste kanë nevojë të rishikohen.
“Rastet e dhunës në familje vazhdojnë të shihen nga qytetarët me perceptimin se dënimet për këto raste janë në nivel mesatar. Pra, sërish ka nevojë për rishikimin e politikës ndëshkimore sa u përket rasteve të dhunës në familje dhe atyre të dhunës me bazë gjinore, sipas perceptimit qytetar”, theksoi ai.
Salihi u ndal edhe te perceptimi i qytetarëve për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, duke vënë në pah se besimi në këtë mekanizëm vazhdon të mbetet sfidë.
“Përveç rënies së besimit, apo thënë ndryshe, perceptimit se ka ndikim politik dhe korrupsion brenda institucioneve të drejtësisë, përmes amendamentit kushtetues ne kemi krijuar edhe Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë. Ndonëse ky ishte një mekanizëm nga i cili pritej të ishte më profesional dhe më transparent, në vlerësimin e qytetarëve vazhdon të bjerë besimi në raport me këtë mekanizëm. Pra, nëse e marrim edhe mesataren nga viti i kaluar, nuk do të thotë që kemi rënie të besimit të qytetarëve sa i përket Dhomave të Specializuara në Hagë, se ky institucion mund të ofrojë vendime të drejta dhe të pavarura”, përfundoi Salihi.
Pas prezantimit të të gjeturave të raportit, aktiviteti do të vazhdojë me një panel diskutimi, ku pritet të trajtohen më tej sfidat e sistemit të drejtësisë, performanca institucionale dhe perceptimi i qytetarëve për pavarësinë dhe besueshmërinë e tij.