Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Gjaaamë” lidh kohët prej përballjes me okupim te dhuna ndaj grave

Zake Prelvukaj

“Fillimisht e kishim zgjedhur fjalën ‘klithje’, ndërsa tani është ‘Gjëmë’. ‘Gjëmë’ është një term shumë më i rëndë, një fjalë që bart shumë dhimbje. Kjo vepër, që nga viti 1997, ka reflektuar mbi dhunën ndaj grave dhe vazhdon të jetë aktuale edhe sot. Është e dhimbshme për çdo grua, madje edhe më shumë kur mendon se kjo dhunë ushtrohet nga burra që duhet të jenë mbrojtësit e tyre. Natyrisht, ka edhe burra të mirë, por uroj që raste të tilla të mos përsëriten më”, ka thënë artistja Zake Prelvukaj

Ekspozita e vendos artin përballë realitetit që vazhdon të përsëritet: dhunës ndaj grave brenda hapësirave që do të duhej të ishin më të sigurtat për to. Përmes pikturës, instalacionit dhe thënieve të ekspozuara në mure, Zake Prelvukaj me “Gjaaamë” ka ndërtuar homazh për gratë e vrara, por edhe një thirrje për të mos heshtur përballë dhunës

Një fytyrë e deformuar nga tmerri, me sy të zgurdulluar dhe gojë të hapur në një klithmë që duket sikur nuk përfundon. Ngjyrat e ftohta që përshkojnë portretin përplasen me të kuqen e fortë, e cila derdhet mbi fytyrë dhe sfond, duke krijuar përshtypjen e gjakut që nuk ndalet. Është një imazh i dhunës, i frikës dhe i një dhimbjeje që nuk gjen fjalë për t'u shprehur. Piktura e Zake Prelvukajt, e realizuar më 1997, është njëra prej veprave që në ekspozitën “Gjaaamë”, të hapur të hënën mbrëma në kafe-galerinë “KultPlus” në Prishtinë, merr domethënie tjetër. Klithma që dikur i drejtohej dhunës së ushtruar gjatë luftës, gati tri dekada më vonë, kthehet në reagim ndaj vrasjeve të grave në Kosovën e lirë.

Ekspozita e vendos artin përballë realitetit që vazhdon të përsëritet: dhunës ndaj grave brenda hapësirave që do të duhej të ishin më të sigurtat për to. Përmes pikturës, instalacionit dhe thënieve të ekspozuara në mure, Prelvukaj ka ndërtuar homazh për gratë e vrara, por edhe një thirrje për të mos heshtur përballë dhunës.

Në njërin prej mureve janë vendosur fjalët e Arlinda Zekës, e vrarë më 25 tetor, në moshën 49-vjeçare, në Vitomiricë të Pejës. Fjalitë e saj, të ekspozuara njëra pas tjetrës, tingëllojnë si dëshmi e drejtpërdrejtë e frikës dhe e përballjes me dhunën: “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë!”, “Për ju është rutinë, për mua është jetë!”, “Zoti e di, pse ty të ka zgjedhë të shpëtosh jetë!”, “Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!” dhe “E dhimbshme deri në asht!”.

Të vendosura në të njëjtën hapësirë me thëniet e grave të njohura për qëndrimet e tyre mbi emancipimin dhe të drejtat e grave, fjalët e Arlindës dalin nga kufijtë e një historie personale. Ato bëhen pjesë e rrëfimit më të gjerë për përvojat e grave që kanë jetuar me frikën, dhunën dhe kërcënimin. 

Në të njëjtin mur janë ekspozuar edhe fjalët e shkrimtares nigeriane, Chimamanda Ngozi Adichie: “Burrat kanë frikë se gratë do të qeshin me ta. Gratë kanë frikë se burrat do t'i vrasin”. Kjo fjali e përmbledh në pak fjalë pabarazinë e frikës mes grave dhe burrave. 

Ndërsa shkrimtarja italiane Alda Merini, përmes një tjetër citati, e përshkruan paradoksin e përvojës së grave: “Ne jemi dashur dhe urryer, adhuruar dhe mohuar, puthur dhe vrarë, vetëm sepse jemi gra”. Në të njëjtën hapësirë janë vendosur edhe fjalët e Musine Kokalarit, e cila thotë: “Pa u emancipuar gruaja, nuk mund të ketë shoqëri të lirë e të përparuar; ajo nuk është krijuar për të jetuar nën hije e frikë”.
Më tej, mesazhet e Aysha Taryamit, Selma Hayekut dhe Sevdije Ahmetit e zgjerojnë më tej këtë thirrje, duke e nxjerrë dhunën ndaj grave nga korniza e një çështjeje që shpesh trajtohet si private.
Fjalët e Sevdije Ahmetit thonë: “Dhuna ndaj gruas nuk është çështje private brenda mureve të shtëpisë; ajo është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe përgjegjësi e të gjithë shoqërisë”.
Përballë këtyre mesazheve, në hapësirën e ekspozitës është vendosur edhe një tavolinë me trëndafila të bardhë. E menduar si homazh për gratë e vrara, kjo pjesë e instalacionit krijon një moment. 
Artistja Zake Prelvukaj ka treguar se titulli i ekspozitës ka ndryshuar gjatë procesit të konceptimit. Fillimisht kishte menduar për fjalën “Klithje”, por më pas kishte zgjedhur “Gjaaamë”, si term që, sipas saj, bart peshë më të madhe dhimbjeje.

“Fillimisht e kishim zgjedhur fjalën ‘klithje’, ndërsa tani është ‘Gjëmë’. ‘Gjëmë’ është një term shumë më i rëndë, një fjalë që bart shumë dhimbje. Kjo vepër, që nga viti 1997, ka reflektuar mbi dhunën ndaj grave dhe vazhdon të jetë aktuale edhe sot. Është e dhimbshme për çdo grua, madje edhe më shumë kur mendon se kjo dhunë ushtrohet nga burra që duhet të jenë mbrojtësit e tyre. Natyrisht, ka edhe burra të mirë, por uroj që raste të tilla të mos përsëriten më”, ka thënë Prelvukaj, profesoreshë universitare, njëherësh anëtare korrespodente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Ajo ka treguar se dhimbja e shkaktuar nga këto histori e ka shoqëruar ndër vite dhe se instalacionin e ka konceptuar edhe si homazh për gratë që nuk janë më në jetë.

“Kjo dhimbje më ka mbetur në mendje dhe nuk më largohet nga veshët. Është një ndjenjë që më ka shoqëruar gjatë gjithë këtyre viteve. Ky instalacion është një homazh për gratë që nuk janë më në jetë”, ka thënë artistja.

Për Prelvukajn, fjalët e Arlinda Zekajt përbëjnë thirrjen që duhet të dëgjohet përtej hapësirës së ekspozitës. Ajo ka thënë se historia e saj dhe mënyra se si ka reaguar kanë krijuar një ndjenjë të madhe përgjegjësie për të mos i lënë vetëm gratë që përballen me dhunën.

“Fjalët e Arlinda Zekës janë shumë prekëse, por edhe shumë vetëdijesuese. Janë gjëmë në vesh. Unë nuk e kam dëgjuar fizikisht, por, duke u bazuar në mënyrën se si ka reaguar, na ka ardhur si një barrë shumë e madhe që të kujdesemi për gratë që janë si ajo. Ky reagim le të jetë një reflektim dhe le të shkojë në veshin e atyre që mendojnë se gruaja është një subjekt mbi të cilin mund të ushtrohet pushtet”, ka thënë Prelvukaj.

Duke iu kthyer pikturës së realizuar më 1997, artistja ka vënë në pah ndryshimin e dhimbshëm të kontekstit në të cilin rikthehet sot vepra. 

“Kjo pikturë është realizuar në vitin 1997. Flet për vrasjet, është klithje. Më ka bërë të reagoj në mënyrë kreative, por është një fatkeqësi shumë e madhe që kjo klithmë e kësaj kohe ka qenë për vrasjet ndaj okupatorit serb, tash vjen për klithjet ndaj vrasjeve të njerëzve tanë”, është shprehur artistja e profesoresha universitare e artit vizual. 

Drejtoresha e “KultPlus”, Ardianë Pajaziti, ka treguar se ekspozita është konceptuar si homazh për gratë që ndër vite janë vrarë brenda mureve të shtëpive, kryesisht nga anëtarët e familjeve të tyre. 

“Është një mbrëmje homazh me një ekspozitë për gratë që ndër vite i kemi humbur brenda mureve të shtëpisë, kryesisht nga anëtarët e familjeve të tyre. Kemi punuar në këtë drejtim përmes materialeve që po i shihni në prapavijë. Një pjesë dërrmuese e tyre lidhen me rastin e Arlinda Zekajt, e cila ka dokumentuar dhunën e shumë grave që kanë probleme të ngjashme nëpër familje”, ka thënë Pajaziti.

Ajo ka treguar se krahas dëshmive të grave, në ekspozitë janë përfshirë edhe citate që flasin për qëndresën, emancipimin dhe mosdorëzimin.

“Ka citate nga gra të fuqishme të botës, por kemi përfshirë edhe dy figura shumë të njohura në historinë shqiptare, Musine Kokalari dhe Sevdije Ahmeti. Ka edhe citate që japin kurajë për të mos u dorëzuar, por edhe prej atyre që tregojnë për dhimbjen e grave viktima të këtyre ngjarjeve”, ka thënë ajo.

Pajaziti ka theksuar se përballja me dhunën ndaj grave kërkon edhe përfshirjen e burrave, por se nuk mungon mbështetja e nismave të tilla edhe nga vetë ata. 

“Të drejtat e grave nuk janë të plota pa përfshirjen e burrave. Nuk mendoj se burrat kanë munguar në këtë rast. Me artisten Zake Prelvukaj kemi dashur ta sjellim edhe një herë këtë fuqi përmes artit, në mënyrë që të sensibilizohet shoqëria. Sidomos vajzat dhe gratë, që të jenë më të vetëdijshme, të luftojnë për të drejtat e tyre dhe të mos lejojnë që situatat të arrijnë deri në atë pikë kur mund të jetë tepër vonë dhe kur gjendja nuk mund të përmirësohet më”, ka thënë Pajaziti.

“Gjaaamë” ka lidhur dy kohë nëpërmjet veprës që, ndonëse e krijuar për kontekst tjetër, vazhdon të flasë për dhunën dhe vrasjen.