Spinaqi njihet si një nga ushqimet e pasura me hekur, por pak njerëz e dinë se trupi nuk e përthith lehtësisht këtë mineral prej tij, sidomos kur konsumohet i pagatuar, ka shkruar BBC.
Mungesa e hekurit është një nga problemet më të përhapura ushqyese në botë dhe prek veçanërisht gratë dhe fëmijët. Ky mineral është thelbësor për prodhimin e hemoglobinës, proteinës që transporton oksigjenin në organizëm.
Lodhja, dobësia dhe vështirësitë në frymëmarrje mund të jenë shenja të mungesës së hekurit.
Sipas ekspertes së metabolizmit, Susan Fairweather-Tait, mënyra më e mirë për të parandaluar aneminë është një ushqyerje e ekuilibruar dhe e pasur me hekur.
Edhe pse mishi është burim i mirë i këtij minerali, ekzistojnë shumë ushqime bimore që mund të ndihmojnë në plotësimin e nevojave ditore.
Edhe
Pesë pije që mund të ndihmojnë në kontrollin e sheqerit në gjak
Pesë mënyra për të përthithur më shumë hekur
1. Zieni disa perime, ndërsa të tjerat gatuajini në avull
Jo të gjitha perimet duhet të përgatiten në të njëjtën mënyrë.
Spinaqi, rrepa dhe perime të tjera me gjethe të gjelbra me përmbajtje të lartë oksalatesh përmbajnë substanca që pengojnë përthithjen e hekurit. Zierja ndihmon në largimin e një pjese të këtyre përbërësve, duke e bërë hekurin më të qasshmshëm për organizmin.
Ndërsa perime si lakra e sallata e gjelbër mund të konsumohen të freskëta ose të gatuara në avull, për të ruajtur më mirë vitaminën C, e cila ndihmon përthithjen e hekurit.
2. Kombinojeni ushqimin me vitaminë C
Vitamina C ndihmon organizmin të përthithë më mirë hekurin që vjen nga ushqimet bimore.
Ekspertja e shkencave ushqyese në King’s College London, Yemisi Latunde-Dada, e cilëson vitaminën C si një përforcues shumë të rëndësishëm të përthithjes së hekurit.
Prandaj, provoni të shtoni lëng limoni në sallata dhe gatime ose të konsumoni një gotë të vogël lëng portokalli para mëngjesit.
3. Zgjidhni ushqimet e fermentuara
Fermentimi është një tjetër mënyrë për të ndihmuar trupin të përthithë më shumë hekur.
Ky proces ul sasinë e acidit fitik, një përbërës që gjendet natyrshëm në drithëra, arra dhe fara dhe që mund të pengojë përthithjen e hekurit.
Një zgjedhje e mirë është buka me maja natyrale, e njohur si sourdough, e cila mund të jetë alternativë më e përshtatshme se buka e zakonshme.
Edhe
30 mënyra për të konsumuar më shume fibra
4. Mos u mbështetni vetëm te ushqimet e pasuruara me hekur
Shumë produkte, si buka dhe drithërat e mëngjesit, pasurohen me hekur gjatë procesit të prodhimit.
Megjithatë, jo të gjitha format e hekurit të përdorura në këto produkte përthithen lehtësisht nga organizmi.
Ekspertja Susan Fairweather-Tait thekson se trupi nuk e përthith mirë hekurin nga shumë prej produkteve të pasuruara.
Në vend që të mbështeteni vetëm te to, përfshini rregullisht në ushqyerje qiqrat, brokolin, farat e lulediellit, arrat, farat dhe djathin tofu.
Për shembull, 100 gramë fara luledielli përmbajnë rreth 6.4 miligramë hekur, ndërsa 100 gramë qiqra rreth 2 miligramë.
5. Kujdes me kafenë dhe çajin gjatë vakteve
Edhe pijet që konsumojmë mund të ndikojnë në përthithjen e hekurit.
Kafja dhe çaji përmbajnë tanine dhe polifenole, përbërës që mund të pengojnë organizmin të përthithë hekurin nga ushqimi.
Prandaj, nëse konsumoni një mëngjes të pasur me hekur, këshillohet që çajin ose kafenë ta pini të paktën dy orë më vonë.
Për sa hekur ka nevojë organizmi çdo ditë?
Sipas rekomandimeve të Shërbimit Shëndetësor Britanik (NHS), nevojat ditore ndryshojnë sipas moshës dhe gjinisë, burrat mbi 19 vjeç: 8.7 miligramë, gratë nga 19 deri në 49 vjeç: 14.8 miligramë, si dhe gratë mbi 50 vjeç: 8.7 miligramë.
Gratë me menstruacione të shumta mund të kenë nevoja edhe më të larta.
Edhe
Pesë mënyra për të marrë magnez pa pasur nevojë për suplemente
Ekspertët këshillojnë që ushqimet e pasura me hekur të konsumohen në sasi të moderuara gjatë gjithë ditës, në vend që të merren të gjitha në një vakt. Organizmi e rregullon vetë përthithjen dhe mund të përthithë më pak hekur kur merr sasi shumë të mëdha njëherësh.
Nëse dyshoni se keni mungesë hekuri, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun dhe të bëni analizat përkatëse. Edhe suplementet e hekurit duhet të përdoren vetëm pas këshillës mjekësore, pasi marrja e tepërt mund të jetë e dëmshme.