Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përgjigjet e munguara të QKUK-së

KOHA

KOHA nuk e ka obligim t’u përgjigjet postimeve në Facebook, megjithatë në rastin e atij të QKUK-së (23.09.2026), redaksia e konfirmon edhe njëherë faktin që QKUK-ja dhe Shërbimi Mikrobiologjik i saj nuk kanë treguar nëse ka pasur ndonjëherë një kërkesë zyrtare nga ky shërbim drejtuar QKUK-së që t’i sigurohet infrastruktura e nevojshme për kryerjen e analizës “Paneli Gastrointestinal”.

Pyetja është bërë pas një sinjalizimi nga pacientë që për analizën në fjalë janë rekomanduar të shkojnë në një laborator privat, meqë u është thënë që nuk bëhet në QKUK. Në atë laborator privat mikrobiologe është drejtoresha e parë e Shërbimit Mikrobiologjik të QKUK-së të themeluar në vitin 2021 dhe e cila është po ashtu bashkëshortja e Drejtorit të SHSKUK-së. 

Pyetje për këtë temë KOHA i ka dërguar SHSKUK-së, Klinikës së Pediatrisë, Klinikës Infektive, Shërbimit Mikrobiologjik, Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik si dhe mikrobiologes në fjalë e cila e ka udhëhequr këtë Shërbim 4 vjet. SHSKUK-ja në përgjigje ka folur për plane të përgjithshme dhe ka thënë se nuk kanë bërë kërkesë për reagensë sepse nuk ka aparatura, e në pyetjet pasuese nëse është bërë kërkesë për aparatura e infrastrukturë nuk ka marrë përgjigje. Çka është sqaruar nga të gjitha palët është se IKSHP-ja, e cila nuk është pjesë e strukturës së SHSKUK-së, e kryen këtë analizë kryesisht për rastet e hospitalizuara - siç kanë thënë në këtë Institut, “për të përkrahur kolegët në QKUK”. Drejtoreshat e Pediatrisë dhe Infektives përgjigjet në pyetje ia kanë dërguar SHSKUK-së dhe QKUK-së për t’ia përcjellë Kohës. Ato pyetje SHSKUK-ja i ka përcjellë pas tri javësh, vetëm pasi gazetarja e ka kuptuar që janë duke i mbajtur për vete. Ndërsa në përgjigjet e vetë SHSKUK-së dhe mikrobiloges në fjalë mungon përgjigja për çështjen konkrete: A i ka kërkuar Shërbimi i Mikrobiologjisë QKUK-së infrastrukturë për ta kryer analizën “Paneli Gastrointestinal” për të gjithë pacientët (të hospitalizuar apo jo), të QKUK-së në mënyrë që pacientët të mos shkojnë në laboratore private, si në rastin e raportuar. 

Pyetjet e para gazetarja e Kohës i ka dërguar para 34 ditësh dhe komunikimi ka vazhduar, ndërkohë që deri më tani nuk i është vënë në dispozicion asnjë informatë në pyetjet:

  • Cila është arsyeja që, për rreth pesë vjet nga themelimi i Shërbimit të Mikrobiologjisë Klinike, nuk është bërë kërkesë për sigurimin e teknologjisë, pajisjeve dhe reagentëve për realizimin e analizave molekulare me PCR?
  • A është vlerësuar gjatë kësaj periudhe nevoja për ofrimin e panelit PCR gastrointestinal për pacientët e QKUK-së? Nëse po, kur është bërë ky vlerësim dhe pse nuk është proceduar me sigurimin e kapaciteteve për këtë analizë?
  • Nëse këto analiza nuk kryhen në Shërbimin e Mikrobiologjisë Klinike në QKUK, a informohen klinikat dhe pacientët se analizat molekulare, përfshirë panelin PCR gastrointestinal, mund të kryhen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK)?
  • Duke qenë se në përgjigjen tuaj thuhet se implementimi i metodave molekulare është pjesë e planeve zhvillimore, a ekziston një afat konkret se kur pritet të funksionalizohet ky shërbim në QKUK?