Në QKUK nuk kryhet paneli PCR gastrointestinal për 24 patogjenë, një analizë që përdoret për të zbuluar shkaktarët e infeksioneve të zorrëve, përfshirë bakteret, viruset dhe parazitët. Për këtë analizë, pacientët po drejtohen në laboratorin privat, ku si mikrobiologe punon ish-drejtoresha e këtij shërbimi në QKUK. Kjo analizë bëhet edhe në IKSHPK, drejtuesit e së cilës kanë thënë se prioritet i kanë pacientët e hospitalizuar
Edhe dy muaj bëhen gjashtë vjet që kur nisi punën Shërbimi i Mikrobiologjisë Klinike në QKUK.
Por, që nga themelimi, në këtë shërbim nuk kryhet paneli PCR për 24 patogjenë gastrointestinalë, analizë që pacientët detyrohen ta kryejnë në laboratorë privatë.
Kjo analizë ndihmon në zbulimin e baktereve në zorrë.
Drejtoresha e shërbimit, Afërdita Alaj, thotë se QKUK-ja nuk ka kapacitete për këtë analizë dhe se asnjëherë nuk është bërë kërkesë për furnizim me materialët e nevojshme.
“Kjo analizë si dhe analizat e tjera molekulare, nuk janë kryer në Shërbimin e Mikrobiologjisë Klinike që nga themelimi i tij, pasi aktualisht ky shërbim nuk disponon teknologjinë dhe kapacitetet teknike për realizimin e këtyre analizave. Duke qenë se ky panel nuk është ofruar më parë në Shërbimin e Mikrobiologjisë Klinike, nuk është bërë kërkesë për furnizim me reagjentë specifikë për këtë panel”, ka thënë Alaj.
Edhe
Pacientët ankohen për mungesë të shërbimit të biopsisë, nga Hematologjia e mohojnë
Në vitin 2021, kur u themelua Shërbimi i Mikrobiologjisë Klinike, në krye të tij ishte Greta Lila-Azizi, bashkëshortja e drejtorit të SHSKUK-së, Elvir Azizi.
Lila-Azizi tashmë punon si mikrobiologe në QKUK dhe në një laborator privat që gjendet afër QKUK-së.
Në këtë laborator kryhet edhe paneli PCR gastrointestinal, ndërsa pacientë që i janë drejtuar KOHËS kanë deklaruar se për kryerjen e kësaj analize janë udhëzuar pikërisht në këtë laborator.
Për të verifikuar se ku ofrohet kjo analizë, KOHA ka kontaktuar disa laboratorë privatë.
Në laboratorin ku punon Lila-Azizi, paneli PCR gastrointestinal kushton 130 euro, njëjtë me shumën e paguar nga pacienti që i është drejtuar KOHËS.
Edhe
Kërkohet përgjegjësi institucionale për kushtet në Pediatri
Një laborator tjetër e ofron këtë analizë për 80 euro, ndërsa katër laboratorë të tjerë të kontaktuar nga KOHA kanë deklaruar se nuk e kryejnë këtë test.
KOHA e ka pyetur drejtoreshën e tanishme të shërbimit te mikrobiologjisë, Afërdita Lilaj, nëse ka ndonjë marrëveshje, bashkëpunim institucional apo formë tjetër bashkëpunimi me laboratorin privat ku punon Lila-Azizi, por ajo e ka mohuar se shërbimi që ajo drejton referon pacientë në laboratorë privatë.
“Lidhur me pretendimin se pacientët janë duke u referuar nga Shërbimi i Mikrobiologjisë Klinike në laboratorë privatë, ju sqarojmë se ky shërbim nuk punon drejtpërdrejt me pacientë dhe nuk kryen referime të tyre. Për këtë arsye, nuk mund të konfirmojmë një informacion të tillë”, ka thënë Alaj.
KOHA i ka dërguar pyetje edhe Greta Lila-Azizit, e cila është pyetur nëse ka bërë më herët kërkesë për krijimin e kapaciteteve për PCR.
Lila-Azizi nuk është përgjigjur në pyetjet dhe as në thirrjet telefonike të KOHËS.
Megjithatë, analiza PCR gastrointestinal për 24 patogjenë kryhet në Departamentin e Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës.
Edhe
Prokuroria nis hetimet pas dyshimit për helmim me ushqim të 70 qytetarëve
“Panelet komerciale me RT PCR për identifikimin e patogjenëve gastrointestinalë janë të dedikuara për pacientët e hospitalizuar dhe në disa raste për pacientët ambulantorë me simptome të rënda, diarre të zgjatura, pacientët me imunitet të dobësuar. Këto kritere përdoren për testime me panele RT PCR, për shkak se janë teste të kushtueshme dhe realisht jo secili rast me diarre nevojitet të testohet me këto panele. Përndryshe shërbimet mikrobiologjike për klinika të QKUK/SHSKUK-së, të referuara nga mjekët klinicistë kryhen në Shërbimin e Mikrobiologjisë klinike në kuadër të QKUK/SHSKUK-së”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.
KOHA ka raportuar ditë më parë se edhe Shërbimi i Stroke-ut, shtatë vjet pas themelimit, ende nuk është funksionalizuar plotësisht.