Pacientë e familjarë të tyre kanë vazhduar të blejnë barna, ani që institucionet janë të obliguara t’i sigurojnë falas. Këtë të premte nuk është përmbushur as zotimi i menaxhmentit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i dhënë një javë më parë për ta publikuar në kohë reale gjendjen e produkteve medicinale që i ka në stok
Premtimi i menaxhmentit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) për transparencë rreth furnizimit me barna nuk është përmbushur. Javën e kaluar, drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, u zotua në mbledhje të bordit se për çdo të premte në ueb-faqen zyrtare të institucionit do të publikohet niveli i furnizimit me barna. Dhe, derisa SHSKUK-ja nuk publikoi informacionet mbi barnat që nuk i ka në stok, gjatë ditës pacientë dhe familjarë të tyre janë parë duke hyrë në klinika me barna të blera në barnatoret private.
“Një infuzion e kam ble edhe qeta 22 euro si ka pas spitali, i kena ble për pastrim që është... Edhe dy veshkat i ka çpu burri edhe ato në dy anët u dashtë me ble, 120 (euro) më duket janë kanë. Nuk e di qysh iu thonë...”, ka thënë një paciente.
Në Klinikën e Onkologjisë, një tjetër familjar pacienti tregoi në kushte anonimiteti për mungesë të glukozës 5%.
“Glukozë. Qe tri-katër herë që vijmë, nuk ka pasë”, ka treguar ai.
Në disa klinika të tjera, pacientët e hospitalizuar raportuan mungesë të antibiotikëve si Eritromicin e Amoxin.
E në Klinikën e Pediatrisë, prindërit e fëmijëve që morën shërbime, raportuan për mungesë të një tretësire për inhalim.
“Unë Altroventin kom me ble. Me kanë thanë me e ble... Qe ia qes në inhalim këto pikat”, ka thënë njëri prej prindërve.
Në mbledhjen e Bordit Drejtues të SHSKUK-së, të mbajtur më 4 dhjetor, kryesuesja Tetore Olloni kërkoi që informacionet mbi disponueshmërinë e barnave të listës esenciale të jenë publike dhe në kohë reale. E drejtori Elvir Azizi u zotua për këtë transparencë.
“Mundemi shumë lehtë me e bë, me ia shtru si kërkesë Barnatores Qendrore që me dërgu listën e stokut te Drejtoria, dhe zyra për media me e bë një link aty. Veç një problem e kam që mundet me qenë pak e rëndë me u kuptu. Ndoshta duhet me ju thanë me e ba një narrativë, shpjegim se çka është çka, se aty ka shumë material dhe shumë barna, por nuk ka kurrfarë problemi. Një herë në javë, çdo të premte. Nuk e shoh problem, nuk ka kurrfarë problemi. Ndoshta mundemi edhe prej kësaj të premte”, pati thënë Azizi.
Ky zotim figuron edhe në ueb-faqen e ShSKUK-së që nga data 4 dhjetor.
“Drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi, theksoi se lista e furnizimit me barna do të publikohet nga java e ardhshme, por për furnizim njësitë janë njoftuar me stokun çdo javë”, thuhet në ueb-faqen e SHSKUK-së.
Edhe pas një jave, në ueb-faqen e SHSKUK nuk ka asnjë informacion mbi listën e barnave esenciale dhe në këtë institucion nuk arsyetuan mosmbajtjen e zotimit.
“Në mbledhjen e mbajtur më 4 dhjetor 2025, Bordi Drejtues i SHSKUK-së kërkoi që brenda afatit dyjavor të përgatitet dhe të publikohet lista e furnizimit me barna dhe material shpenzues. Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së u zotua se kjo listë do të përditësohet çdo javë nga tani e tutje”, pati bërë të ditur Divizioni për Komunikim në SHSKUK.
Në SHSKUK nuk kanë ofruar përgjigje as për arsyen e mungesave të produkteve medicinale që i raportuan pacientët.