Në QKUK pacientët nuk përballen vetëm me mungesë barnash, por edhe të materialeve më bazike. Nga epruvetat për analiza në Klinikën e Pediatrisë, deri te fijet kirurgjikale në Klinikën Interne, familjarët thonë se po detyrohen t’i blejnë vetë këto mjete, shpeshherë edhe me udhëzime nga personeli se ku t’i gjejnë. Për këto mungesa SHSKUK-ja nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS që nga 4 gushti
Përveç barnave, pacientët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë detyruar të blejnë edhe materiale bazike, që duhej të siguroheshin nga buxheti i shtetit.
Në Klinikën e Pediatrisë prindër të fëmijëve thonë se u është dashur të blinin madje edhe epruveta për analizën e urinës.
Një prind nga Ferizaj tregon se vajzën e tij 4-vjeçare e kishte sjellë urgjentisht në Prishtinë dhe gjatë procedurave mjekësore u njoftua se epruvetat mungonin.
“Dihet saktë çka janë t’u ba: s’ka barna, s’ka sen. Plus na tregojnë edhe ku me shku, në cilën barnatore me i ble. Na thonë shko në atë barnatore, qaty e bleje”, është ankuar prindi i fëmijës që mori shërbime shëndetësore në Pediatri.
E, në Klinikën Interne një pacient që ishte operuar thotë se është dashur t’i blinte edhe fijet kirurgjikale për ndërhyrje.
“Damari i gjakut më ishte zgjeru. Edhe pejtë, edhe fashat vetë i kom ble, brenda 5 ditëve dy herë jam operuar”, ka treguar ky pacient.
Pos mungesës së barnave, Jeton Gjurofci ankohet se nuk i është kryer shërbimi për vajzën e tij, edhe pse i ishte rekomanduar bërja e ultrazërit.
“Ultrazanin ia kanë shkru e tash ia kanë çitë pikëpyetje. Po na endin poshtë e lart, nuk janë duke ia bërë”, është ankuar Gjurofci.
KOHA ka raportuar më parë se si në prill të këtij viti SHSKUK-ja e ka lidhur një kontratë për furnizim me materiale bazike në vlerë mbi 3 milionë euro me kompaninë “Medekos”, me afat furnizimi 45 ditë.
Vitin e kaluar kjo kompani kishte fituar edhe një kontratë trevjeçare me vlerë rreth 6.9 milionë euro për furnizim me materiale shpenzuese, përfshirë dorëza, flasterë, sete infuzioni, gjilpëra dhe shiringa.
KOHA ka dërguar pyetje në SHSKUK që nga 4 gushti, për të siguruar informata rreth mekanizmit të furnizimit nëpër klinika dhe për arsyet e mungesave, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje as nga menaxhmenti qendror e as nga klinikat.
E përderisa ka mungesë të barnave dhe produkteve të tjera bazike, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK) ka dhënë kontrata të reja milionëshe edhe për pesë kompani, të cilat nuk e kanë furnizuar me kohë këtë institucion me produkte të kontraktuara më herët.
Sipas dokumenteve zyrtare të publikuara nga SHSKUK-ja, gjatë vitit 2024 janë gjobitur gjithsej 16 operatorë ekonomikë për mosrespektim të kontratave, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të 2025-tës, 30 operatorë. Dokumentet tregojnë se shumica e gjobave janë shqiptuar për mosliferim apo vonesa në dorëzimin e produkteve të kontraktuara.
Pavarësisht këtij historiku, pesë kompani janë shpërblyer me kontrata të reja, që kanë vlera të mëdha.