Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ia dha zyrtarisht të dielën në mbrëmje politikanit opozitar Gadi Eisenkot, mandatin për formimin e qeverisë së ardhshme, raporton agjencia "AP".
Negociatat e ndërlikuara për krijimin e një koalicioni ende mbeten përpara, por ky ishte një hap i rëndësishëm në përpjekjen e ish-shefit të ushtrisë për ta larguar nga pushteti Benjamin Netanyahun, kryeministrin që ka qëndruar më së gjati në këtë post në historinë e Izraelit. Zgjedhjet u mbajtën në një vend thellësisht të përçarë, i cili ende mban plagët e sulmeve të 7 tetorit 2023, të udhëhequra nga Hamasi, dhe luftërave në disa fronte që pasuan.
“Shpresoj me gjithë zemër që cilado qeveri që formohet, të sjellë unitet, afrimitet dhe shërim mes të gjitha shtresave të popullit tonë – sepse ekzistenca jonë varet nga kjo dhe ne kemi vetëm një shtet”, tha Herzog gjatë ceremonisë në rezidencën presidenciale në Jerusalem.
Megjithatë, ky njoftim nuk garanton që Eisenkot, ish-shef i ushtrisë, do të bëhet kryeministri i ardhshëm. Ai ka deri në gjashtë javë kohë për të formuar një qeveri koalicioni përmes sigurimit të aleancave, një sfidë e vështirë, pasi zgjedhjet e 27 tetorit nuk i dhanë as bllokut të tij dhe as atij të Netanyahut shumicën e qartë në parlament.
Herzog tha se gjatë konsultimeve me partitë, shumica e anëtarëve të parlamentit, të njohur si Knesset, e mbështetën caktimin e Eisenkotit për këtë detyrë.
Edhe
Pushteti i Netanyahut drejt fundit, Eisenkot merr mandatin për formimin e qeverisë
Gjatë ceremonisë së së dielës, Eisenkot premtoi se do t'i ofrojë vendit një udhëheqje të cilës qytetarët mund t'i besojnë, e cila do të veprojë në interes të publikut dhe do të përfaqësojë të gjitha shtresat e shoqërisë.
“Shumica absolute e anëtarëve të Knessetit, që përfaqësojnë publikun izraelit, e mbështesin ndryshimin”, tha ai. “Kam ndërmend ta menaxhoj këtë situatë me durim, përulësi, qetësi dhe përkushtim të thellë ndaj një Izraeli hebraik, të barabartë, liberal dhe të sigurt”.