Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Partitë arabe mund të kenë rol kyç në Izrael

Izrael zgjedhjet

Foto: Associated Press

Teksa rezultatet e zgjedhjeve në Izrael po publikohen gradualisht, duket se kryeministri veteran i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dalë më mirë nga sa parashikohej, pasi partia e tij Likud po del si partia më e madhe e vetme.

Blloku i tij aktual, i përbërë nga partitë ultranacionaliste dhe ultraortodokse hebraike, duket se është paksa larg shumicës prej 61 mandatesh në parlamentin me 120 vende. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se kjo mund të ndryshojë.

Një bllokim i thellë politik ishte parashikuar gjerësisht, ndërsa izraelitët iu drejtuan masivisht kutive të votimit, ndërkohë që pjesëmarrja ka arritur në më shumë se 77 për qind.

Në sistemin politik të fragmentuar të Izraelit, shenjat tregojnë se rivali kryesor i Netanyahut, ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, do ta kishte të vështirë të siguronte shumicën parlamentare pa partitë e udhëhequra nga pakica arabe e Izraelit. Sipas rezultateve të pjesshme, këto parti kanë arritur të barazojnë ose të tejkalojnë numrin rekord të mëparshëm të mandateve. 

Gjatë fushatës zgjedhore, shumica e partive hebraike të opozitës u zotuan se nuk do të bashkëpunonin me listat e dominuara nga arabët, duke përmendur mungesën e vlerave të përbashkëta.

Megjithatë, partitë e udhëhequra nga arabët e Izraelit mund të bëhen vendimtare për formimin e qeverisë, nëse partitë e tjera do të ishin të gatshme të bashkonin forcat me to. Në këto zgjedhje, izraelitët arabë, të cilët shpesh identifikohen si qytetarë palestinezë të Izraelit dhe përbëjnë një të pestën e popullsisë, duket se kanë votuar në numër të paprecedentë.

Sondazhet pas mbylljes së qendrave të votimit në Izrael nuk tregojnë një fitues të qartë, ndërsa blloku i Eisenkotit është kokë më kokë me atë të Netanyahut.

Shumëkush i konsideroi këto zgjedhje si një mundësi vendimtare për të rrëzuar qeverinë më të djathtë në historinë e Izraelit, të cilën e akuzojnë për nxitje të racizmit dhe urrejtjes.

Një rezervë e madhe në të gjitha analizat e deritanishme është numri i lartë i votave me postë që ende nuk janë numëruar, shumica e të cilave përfaqësojnë votat e ushtarëve izraelitë. Për këtë arsye, nuk pritet të ketë një pamje të qartë të rezultatit përfundimtar edhe për një ose dy ditë. 

Gjatë natës, si Netanyahu, ashtu edhe Eisenkot u janë drejtuar mbështetësve të tyre, duke u zotuar se do të formojnë qeverinë e ardhshme.    

“Blloku i së djathtës ka një shumicë të qartë dhe vendimtare në mesin e publikut sionist, publikut hebre dhe të gjithë atyre që mbështesin shtetin hebre. Kjo është ajo që është bërë e qartë. Një shumicë vendimtare”, u ka thënë kryeministri mbështetësve të tij që po festonin, megjithëse nuk shkoi deri aty sa të shpallte fitoren. 

“Duhet të formojmë një qeveri të fortë, kombëtare dhe të djathtë. Kjo është ajo që duhet të bëjmë”, shtoi ai.

“Publiku ka zgjedhur ndryshimin”, ka deklaruar Eisenkot para partisë së tij Yashar, pasi u publikuan sondazhet pas mbylljes së qendrave të votimit, shumica e të cilave fillimisht ishin më të favorshme për opozitën.

“Koalicioni i dështimit e ka humbur besimin e popullit. Publiku izraelit votoi kundër vazhdimit të Benjamin Netanyahut në postin e kryeministrit", ka shtuar ai.

Në shoqërinë izraelite ekzistojnë ndarje të thella, të cilat janë vënë në pah nga këto dhe zgjedhjet e mëparshme. Ato kanë shërbyer jo vetëm si referendume për udhëheqjen e Netanyahut, i cili po përballet me një gjyq për korrupsion lidhur me akuza që ai i mohon, por edhe si votime për të përcaktuar se çfarë lloj vendi duhet të jetë Izraeli.

Gjatë katër vjetëve të fundit, kryeministri dhe partnerët e tij aktualë të koalicionit e kanë orientuar vendin drejt një kursi të ashpër fetar dhe nacionalist. Para sulmeve të paprecedenta të udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023, të cilat shkaktuan një seri luftërash në Gazë, Liban dhe Iran, pati protesta masive kundër planit të tyre për një reformë të thellë të sistemit gjyqësor.

Shumë izraelitë dëshirojnë që vendi i tyre të mbështetet më fort në vlerat liberale dhe laike. Çuditërisht, katër vjetët e fundit, të mbushura me trazira, nuk duket se i kanë ndryshuar ndjeshëm modelet e votimit.

Që gjatë natës, partitë kryesore izraelite kanë nisur negociatat intensive politike për të tentuar formimin e një qeverie të re koalicioni.

Udhëheqësit e partive më të mëdha zakonisht përpiqen të bindin partitë më të vogla që t'u bashkohen, duke u premtuar poste ministrore, fonde buxhetore ose zbatimin e politikave të caktuara.

Tani, çështja kryesore është të shihet nëse partitë e bllokut kryesor opozitar, të ashtuquajturit “blloku i ndryshimit”, janë të gatshme të thyejnë një tabu duke arritur një marrëveshje politike me partitë arabe.

Gjatë fushatës zgjedhore, njëri prej udhëheqësve të këtij blloku, politikani i djathtë Avigdor Lieberman, shkoi deri aty sa deklaroi se nuk do të merrte pjesë në një qeveri të pakicës që do të varej nga mbështetja e tyre.

Kjo ishte një shenjë e rritjes së mosbesimit dhe armiqësisë ndaj qytetarëve arabë që prej sulmit të 7 tetorit.

Lexo përditësimet tjera
Benjamin Netanyahu & Gadi Eisenkot

Zgjedhjet në Izrael, kush po fiton?