Arbëri

Jotransparenca e SHSKUK-së, Bordi s’lejon xhirimin e mbledhjes

Pas tre muajsh, Bordi drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës rifilloi mbledhjet për të mbikëqyrur menaxhimin e institucionit. Megjithatë, mungesa e transparencës ndaj publikut dhe problemet e furnizimit me barna mbeten shqetësime kryesore, që u theksuan nga monitoruesit. Në mbledhje nuk u kërkua llogari as për mungesën e barnave të kontraktuara

Pas mungesës tremujore të mbikëqyrjes, të martën anëtarët e Bordit drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar janë mbledhur për të shqyrtuar punën e menaxhmentit të institucionit.

As kësaj here, bordi nuk ka lejuar xhirimin e plotë të mbledhjes e as praninë e kamerës në sallën e takimeve.

Një javë më parë, Bordi ka mbajtur mbledhje vetëm për zgjedhjen e kryesuesit. Jashtë praktikave të zakonshme, në të nuk janë ftuar mediat dhe shoqëria civile për ta ndjekur procesin. 

Zgjedhja e Tetore OIlonit si kryesuese u bë e ditur vetëm përmes një komunikate për media.

E në mbledhjen e së martës, drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi, gjatë raportimit ka pranuar se ka rënie në nivelin e furnizimit me barna, dhe për këtë ka fajësuar ligjin për nivelimin e çmimit të barnave.

“Furnizimi me barna është pak më i dobët sesa vitin e kaluar për arsye të bojkotit që kanë bërë operatorët ekonomikë në kohën kur ka filluar implementimi i ligjit për çmimet e barnave. Kemi pasur një numër shumë të madh të procedurave, ku kompanitë ose nuk kanë ofertuar, ose kur kanë ofertuar kanë ofertuar me çmime më të mëdha sesa kanë qenë në listën zyrtare për çmimet e barnave. Kjo na ka shkaktuar një vështirësi”, ka thënë Azizi.

Asnjë nga anëtarët e Bordit nuk e ka pyetur Azizin për mungesat e produkteve të kontraktuara, e për të cilat vazhdimisht ka raportuar KOHA.

ShSKUK-ja prej muajit maj i mban të fshehta listat e pritjes në spitale e në disa klinika.

Por në mbledhjen e Bordit, drejtori Azizi është përgëzuar nga Bordi për realizimin e, siç kanë thënë, raportimit dyjavor nga klinikat për gjendjen e infrastrukturës, shërbimeve dhe furnizimit.

ShSKUK-ja ka krijuar praktikë mosdhënien e përgjigjeve me javë të tëra në pyetjet e adresuara për çështje të ndryshme.

Deklaratë për mediat nuk ka pranuar të japë pas mbledhjes as drejtori Azizi.

Mbledhja është monitoruar edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe nga federata sindikale e shëndetësisë. 

“Nuk u ngritën çështjet kryesore që janë ngritur gjatë tre muajve që bordi ka qenë në pauzë. Shëndetësia vepron me indikator dhe unë nuk pashë që po ngrihen dhe që argumentimi po bëhet mbi indikatorë të matshëm.. Për mua ke goxha e çuditshme qysh menaxhmenti e pati mundësinë me i ikë përgjegjësisë për çështje kryesore si p.sh. për furnizim me barna”, ka thënë Saranda Ramaj, hulumtuese e politikave shëndetësore.

Në mbledhjen e mbajtur më 18 qershor, Bordi ka kërkuar auditim të brendshëm për procesin e prokurimit për blerjen e 4 mijë e 250 pajisjeve për persona me paralizë, e që kanë kushtuar dyfish më shtrenjtë sesa parasheh Udhëzimi Administrativ. 

Raporti nuk është diskutuat të martën.