Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Miratohet raporti i punës së SHSKUK-së për 2025, s’u kërkua llogari për mungesat dhe problemet e pacientëve

Spital - QKUK

Fofo: Arkiv

Bordi drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar e miratoi draft-raportin e punës për vitin 2025, por gjatë mbledhjes nuk u kërkua llogari për telashet me të cilat u përballën pacientët e institucioni gjatë vitit të shkuar. 

Përqindja e furnizimit me barna nga Lista Esenciale u raportua të ketë qenë 82 për qind, por anëtarët e bordit nuk i kërkuan llogari drejtorit të përgjithshëm për mungesën, jo të rrallë, të ilaçeve që janë të kontraktuara. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në raportin e prezantuar të mërkurën, krahas shërbimeve obstetrike, dializa u përmend si një prej atyre që u ofruan në numër më të madh. As ndërlidhur me këtë çështje, nuk u kërkua llogari mbi periudhën kur, në mungesë të materialit për hemodializë, pacientëve iu përgjysmuan seancat nga katër, në dy orë. E në disa spitale, edhe u ndërprenë. 

Bazuar në raport, shfrytëzimi mesatar i shtretërve në SHSKUK është 60 për qind. 

Për këtë pati vërejtje anëtari Dren Boshnjaku. 

“Në klinikat dhe spitalet e përgjithshme, ku shfrytëzueshmëria e shtretërve është e ulët, sidomos në klinikat dhe spitalet ku ka pasur investime, aty duhet të shikohet dhe shqyrtohet se pse këto investime nuk kanë ndikuar pozitivisht në ngritjen e shfrytëzueshmërinë e shtretërve të pacientëve”, ka deklaruar Boshnjaku.  

E kryesuesja e Bordit, Tetore Olloni, kërkoi sqarime lidhur me pastrimin e listave të pritjes së pacientëve.

“Në lista të pritjes qëndrojnë edhe pacientë që janë duke u përgatitur, p.sh., për rregullimin e sheqerit në gjak. Sa e keni adresuar këtë kërkesë të bordit të menaxhmentit që krahas angazhimit në zvogëlimin e listave të pritjes edhe revidimin e listave”, është shprehur Olloni. 

Olloni e Boshnjaku kërkuan edhe raport mujor me shkrim për performancën e anesteziologëve në salla kirurgjikale si dhe për arsyet e ngecjeve në programe operative. 

Për këtë, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Elviz Azizi, tha se është duke u monitoruar ndërkaq për listat e pritjes, ai pretendoi se numri total nuk është real. E tek foli për planifikim të operacioneve, ai i la fajtorë pacientët për mungesë informimi.

“Më vjen shumë keq me thanë, po shpeshherë pacientë edhe vetë nuk janë të informuar, shpeshherë qysh duhet dhe jemi duke punuar edhe në drejtim të asaj që t’i informojmë pacientët pak më mirë që kur vjen për ndërhyrje kirurgjike me e ditë çka e pret, me e ditë kur ka me iu nënshtru, me ditë çfarë janë ato kushtet që e përjashtojnë prej operacionit, d.m.th. edhe njohuria shëndetësore e pacientit nganjëherë le për të dëshiruar”, ka thënë Azizi. 

Ai theksoi se në muajt në vijim pritet që edhe spitalet rajonale të furnizohen me materiale të mjaftueshme për realizimin e operacioneve ortopedike. Në mbledhjen e së mërkurës raportoi edhe drejtori i Mjekësisë Sportive, që e përmendi si sfidë mungesën e disa aparaturave.