Tri ditë para përfundimit të mandatit, Bordi Drejtues i ShSKUK-së ka mbajtur mbledhjen e fundit, ku ka konstatuar se ka furnizim të rregullt me ilaçet që duhet të sigurojë shteti dhe se nuk ka vend për shqetësime. Bordi nuk është marrë me ankesat e pacientëve që çdo ditë kanë raportuar se po detyrohen t’i blejnë vetë ilaçet që janë në Listë Esenciale, e që disa prej tyre kushtojnë mijëra euro
Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar ka përmbyllur mandatin me mbledhjen e mbajtur të enjten.
Edhe në të, çështja e furnizimit me barna të listës esenciale nuk është trajtuar si problem. Sipas Bordit, ka furnizim të mjaftueshëm dhe nuk ka vend për shqetësim, megjithëse pacientë të shumtë kanë raportuar çdo ditë se po detyrohen t’i blejnë vetë ilaçet që duhet t’i sigurojë shteti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë pjesën tjetër të mbledhjes është prezantuar numri i profesionistëve shëndetësorë që janë financuar nga ShSKUK-ja për edukim të vazhdueshëm profesional jashtë vendit. Është theksuar se nga 75 aplikime, 44 ishin nga mjekët specialistë, 20 nga stafi i mesëm, 7 nga punonjësit e administratës dhe 4 nga farmacistët.
“Vlera financiare e aplikimit ka qenë 259 mijë euro gjithsej, të aprovuara si kërkesa janë 202 mijë euro, ndërsa të refuzuara ose të kthyera për rishqyrtim janë në vlerë financiare 57 mijë euro. 88 për qind e lëndëve janë aprovuar, 12 për qind janë refuzuar ose janë kthyer për kompletim. Duhet ta cekim këtë, kjo është vetëm si aprovim i aplikacionit, ndërsa për trajnimet ka personel që e kanë përfituar aplikimin, por ende nuk e kanë përfunduar trajnimin. Këto mjete financiare ende nuk janë të shpenzuara totalisht”, ka thënë Liridon Gashi, udhëheqës në Divizionin për Mbikëqyrje dhe Zbatim të Cilësisë dhe Sigurisë së Shërbimeve Shëndetësore.
E drejtori i Departamentit për Shërbime Shëndetësore, Ardian Shefkiu, e ka vlerësuar të ulët interesimin e mjekëve për trajnim.
“Është përqindje e vogël, diku as 20 për qind e fondit, i cili është planifikuar, nuk është shfrytëzuar. Nuk është mungesë informimi, por ka qenë mungesë interesimi. Jemi duke punuar me këtë që të gjejmë mekanizma për me i nxitë dhe t’i informojmë më në detaje. Shumicën e herëve kemi pasur keqinformim. Ne ju kemi tregu se kjo nuk është për kongrese e konferenca, është për trajnime të prekshme, të cilat përkthehen në shërbime në të ardhmen”, ka thënë Shefkiu.
Por drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, fajin ia ka lënë edhe mungesës së informimit të mjaftueshëm.
Në formularin për trajnim profesional me pagesë nga institucioni, të publikuar nga vetë ShSKUK-ja, thuhet se kandidati që ka ndjekur trajnimin obligohet që aftësitë e fituara t’i përcjellë te kolegët brenda një afati prej tre muajsh dhe të njoftojë me shkrim strukturat menaxheriale për emrat e mjekëve të trajnuar.
Por për këtë, Bordi Drejtues nuk ka kërkuar sqarime apo llogaridhënie.
KOHA që nga dhjetori i vitit të kaluar ka kërkuar qasje në këto dokumente, por ShSKUK-ja nuk ia ka ofruar këtë.
Në mbledhje është prezantuar edhe një pasqyrë e përgjithshme e burimeve njerëzore, nga e cila rezulton se QKUK-së i duhen edhe 593 mjekë dhe 888 infermierë.
Aktualisht, 280 mjekë dhe 455 infermierë janë mbi moshën 60-vjeçare.
Më 2025 janë pensionuar 37 mjekë specialistë, ndërsa 43 të tjerë pritet të pensionohen këtë vit.