Arbëri

Drejtues të klinikave dhe udhëheqës të ShSKUK-së takohen në restorant

Prej orës 10:00 deri në orën 14:30 të së martës, disa drejtorë të klinikave të QKUK-së, drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së dhe anëtarët e Bordit janë takuar në një restorant në Gërmi. E pak nga ta kanë pranuar të flasin lidhur me takimin

Për rreth katër orë e gjysmë, drejtues të institucioneve shëndetësore, përfshirë menaxhmentin dhe strukturat drejtuese të klinikave, janë takuar të martën jashtë ambienteve të punës.

Nga ora 10:00 deri në orën 14:30, disa drejtorë të klinikave të QKUK-së, drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së dhe Bordit Drejtues kanë qëndruar në një restorant në Gërmi.

Salla e takimeve brenda restorantit ishte e rezervuar për ShSKUK-në, ndërsa brenda janë parë disa nga drejtorët.

Të parët që janë larguar nga takimi, pas rreth një orë e gjysmë, janë drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë, Mimoza Ukimeraj, dhe drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi.

Pacientët e kësaj klinike janë përballur disa herë gjatë vitit me mungesë të materialeve për hemodializë, por kjo çështje nuk është diskutuar në takim.

Në pyetjen drejtuar Ukimerajt nëse është diskutuar çështja e hemodializës, përkatësisht mungesa e materialit për të, ajo ka thënë: “Jo. Sot u diskutu vetëm për punën që është bërë gjatë vitit”.

Me mungesë barnash, lista të pritjes e probleme të tjera janë përballur pacientët e ShSKUK-së gjatë vitit, por nëse ato u adresuan në këtë takim, nuk ka treguar drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi.

“Ju lutem, e dini politikën e organizatës të cilën e udhëheq, e kontaktoni zyrën për media, i merrni informatat. E keni sekretarin e bordit aty, drejtohuni atij”, ka thënë ai.

Detaje nga takimi nuk ka dhënë as drejtoresha e Klinikës së Hematoonkologjisë, Afërdita Ukimeraj.

“Thjesht ka qenë një takim pune, si workshop, jo diçka e veçantë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci, është shprehur se ishte takim fundviti.

“Takim....shumë thjesht, planifikimi edhe me i pa mundësitë e përparimit të shërbimeve të reja dhe kushtet për punë në klinikë....takim për fundvit, planifikimi për përparimin e shërbimit”, ka deklaruar ai.
Shumë nga anëtarët e Bordit nuk kanë pranuar të deklarohen pas takimit.

Përderisa të gjithë të tjerët kanë shfrytëzuar hyrjen kryesore për t’u larguar nga restoranti, kryesuesja e Bordit Drejtues, Tetore Olloni së bashku me anëtaren Rrezarta Bajrami-Halili, kanë shfrytëzuar hyrjen tjetër të restorantit dhe janë larguar me veturë.

E, në një përgjigje me shkrim që ka ofruar SHSKUK-ja thuhet se Bordi, në baza vjetore, organizon punëtori ditore me qëllim analizimin e bilancit të punës, vlerësimin e realizimit të objektivave dhe diskutimin e pritshmërive në raport me të gjitha njësitë organizative të SHSKUK-së.

“Dëshirojmë të sqarojmë se në të tilla takime pune, drejtorët dhe menaxhmentet nuk janë pjesë e ndonjë procesi prezantimi formal përpara Bordit Drejtues. Raportet e punës së Klinikave përfshihen në raportin kumulativ dhe bëhen publike vetëm në Mbledhjet e Rregullta të Bordit Drejtues, praktikë kjo e ndjekur në mënyrë konsistente gjatë tre vjetëve të fundit, ku këto çështje diskutohen edhe në praninë e mediave e shoqërisë civile. Sa u takon temave (listat e pritjes, furnizimin me barna) për të cilat Bordi Drejtues kërkon raporte në Mbledhje te Rregullta ato edhe i shqyrton me transparencë, vetëm në mbledhje të rregullta”, thuhet në përgjigje.

Mbledhja e fundit e rregullt e Bordit Drejtues të SHSKUK-së është mbajtur më 4 dhjetor. Në atë mbledhje, Bordi ka kërkuar raport vjetor për listat e pritjes dhe për furnizimin me barna nga lista esenciale.