Monumenti “Shtëpi banimi – Musli Hoxha” në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë është shtëpi e pabanuar, gjysmë e shembur shkaku i statikës së dobët dhe po ashtu objekt me rrezikshmëri. Për disa vjet qëndron në shtylla dhe është rrethuar që të mos i afrohen qytetarët. Tash Ministria e Kulturës kërkon restaurimin e ndërtesës me një vlerë të llogaritur deri në 120 mijë euro. Nëpërmjet tenderimit, thirrja është hapur të martën. Institucioni i është kthyer “lojës” së vjetër
Me katër thirrje të dështuara, Ministria e Kulturës i është kthyer tentimit, të pestit kësaj radhe, për restaurimin e monumentit në qendër të kryeqytetit. “Shtëpi banimi – Musli Hoxha” në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë është shtëpi e pabanuar, gjysmë e shembur shkaku i statikës së dobët dhe po ashtu objekt me rrezikshmëri. Për disa vjet qëndron në shtylla dhe është rrethuar që të mos i afrohen qytetarët. Tash Ministria e Kulturës kërkon restaurimin e ndërtesës me një vlerë të llogaritur deri në 120 mijë euro. Nëpërmjet tenderimit, thirrja është hapur të martën. Institucioni i është kthyer “lojës” së vjetër.
Pas dështimit të trefishtë që nëpërmjet thirrjes publike për rreth 120 mijë euro të restaurohet ndërtesa dykatëshe në rrugën “Luan Haradinaj”, Ministria në mars të këtij viti e kishte ndërruar “taktikën”. E kishte përfshirë monumentin në një tender tjetër bashkë me disa asete të tjera të trashëgimisë kulturore duke e rritur vlerën monetare të punëve që do të kryhen.
Ky monument është nën mbrojtje të përhershme si aset i trashëgimisë kulturore. Në mars thirrja publike mbante titullin “Restaurimi dhe konservimi i shtëpisë së banimit Musli Hoxha në Prishtinë, Mulliri i Zotnisë në Smrekonicë të Vushtrrisë dhe Kulla e Astrit Kryeziut – Tosun Beut në Gjakovë” si vlerë monetare qe parashikuar 260 mijë euro, por sikurse kur thirrja ishte vetëm për këtë monument as në grup s’kishte kompani të interesuar që të merrej me këtë monument. Asokohe menaxhmenti i Ministrisë së Kulturës i kishte thënë KOHËS se vlera me 120 mijë euro qe e vogël që të ketë kompani të interesuara. Por tash prapë po provojnë me atë vlerë.
“Është monument nën mbrojte të përhershme dhe duhet të provojmë vazhdimisht që ta restaurojmë. I ka specifikat e veta por shpresojmë t’ia dalim”, i kanë thënë KOHËS në Ministrinë e Kulturës.
Menaxhmenti paraprak, bashkë me një pjesë të menaxhmentit të tanishëm janë në dijeni se për atë zonë është projektuar një shumëkatëshe. Për këtë KOHA ka raportuar qysh në verën e vjetme.
Qysh në qershor të vitit 2016, bashkë me 12 asete të tjera të trashëgimisë kulturore në kryeqytet ishte futur në Listën e objekteve me rrezikshmëri të lartë. E, në ditën e parë të shkurtit të vitit 2017, Komuna e Prishtinës e rrethoi me shirit duke bllokuar ecjen në afërsi të saj. Më pas ishte rrethuar edhe me llamarinë. Tash ndërtesa ka veç shtylla që e mbajnë në këmbë. Shiritat i janë hequr. Telashet me këtë monument janë të vjetra.
Familja Hoxha vazhdimisht kishte insistuar që shteti të bënte një zgjidhje sa i përket çështjes së banimit të tyre. Shtëpia e ndërtuar më 1927 nuk ofron kushte e siguri për ta, pasi muret e saj janë çarë dhe pjesa ballore ka anuar në drejtim të rrugës.
Edhe
Shteti në tentimin e katërt për restaurimin e monumentit midis Prishtinës
KOHA ka marrë vesh se ekziston edhe një telash sa i përket pronësisë së ndërtesës. Njëra prej trashëgimtarëve të shtëpisë, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, më 2019 i kishte thënë gazetës se nuk dëshiron t’i përmendet emri dhe nuk do të flasë për gjendjen pa u zgjidhur çështja në gjykatë. Kishte thënë se nëse shteti ka interes për atë shtëpi, duhet të bëhet një zgjidhje për familjarët.
“Tash presim që gjykata të na e bëjë një zgjidhje”, kishte thënë ajo. Për këtë bazohej në Ligjin për trashëgimi kulturore. Asokohe ndërtesa kishte vetëm mbrojtje të përkohshme.
“Objektet e përfshira në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme duhet të jenë nën mbrojtje të përkohshme për një vit. E drejta për kompensim për ndonjë humbje financiare bartet në gjykatë nëse objekti nuk është nën mbrojtje të përhershme pas një viti. Kompensimi i tillë vlerësohet nga një komision i pavarur që themelohet nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore”, shkruhet në pikën 6 të nenit 3 të Ligjit për trashëgimi kulturore.
Pikërisht bazuar në këtë nen, familja e kishte dërguar çështjen në gjykatë. Një rivlerësim të shtëpisë familja e kishte kërkuar nga MKRS-ja në vitin 2017.
“Familja ka bërë kërkesë në Ministrinë e Kulturës në majin e këtij viti që të bëhet një rivlerësim i shtëpisë. Në momentin që bëhet rivlerësimi, familjes duhet t’i dorëzohen raporti dhe vendimi. Ajo është duke mbetur e listuar çdo vit dhe ne po mbesim peng. Duhet të dihet statusi i shtëpisë dhe të tregohet se çfarë do të mbërrijë Ministria e Kulturës”, kishte thënë përfaqësuesja e familjes Hoxha.
Sipas saj, nëse MKRS-ja do që shtëpia të jetë monument duhet të negociohet me familjen për një zgjidhje.
“Ne jemi jashtë shtëpisë dhe nuk mund të paguajmë qira e shtëpia të jetë e listuar çdo vit. Le të na e tregojnë çmimin dhe ne e shohim mundësinë për ta shitur, pasi ne jemi duke paguar qira”, kishte thënë ajo. Kishte kërkuar që të kontaktohej në lidhje me këtë çështje.
Edhe
Dështimi i trefishtë për restaurimin e monumentit të rrezikshëm midis Prishtinës
Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, në qershor të vitit të kaluar i kishte thënë KOHËS se është lajm i mirë që do të ndërhyhet në këtë ndërtesë pasi Komuna është e privuar në raste të tilla kur bëhet fjalë për asete të trashëgimisë kulturore.
“Së paku një prej shumë ndërtesave që janë nën mbrojtje dhe paraqesin rrezik është në procedurë të restaurimit. Shpresojmë që të vazhdohet edhe me monumente të tjera, si për shembull Shkolla e Parë Shqipe”, kishte thënë Fushtica. Sipas tij, monumenti “Shtëpi banimi – Musli Hoxha”, ka edhe probleme pronësore dhe është në kontest gjyqësor. “Edhe ky aspekt ka paraqitur problem”, kishte thënë ai. Monumenti që tash është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme është i vetmi në atë zonë me këtë status. Ata që merren me trashëgimi kulturore janë të ndarë sa u përket vlerave të ndërtesës.