Pas tetë muajsh akuza e kundërakuza, Komuna e Prishtinës ka aplikuar dhe pritet të pajiset me leje për punimet në rrugën “Qamil Hoxha” të ndaluara nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Për ta zgjidhur këtë, Komunës së Prishtinës i është dashur një veprim krejt i thjeshtë dhe i detyrueshëm ligjërisht: dorëzimi i projektit për miratim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Në fund të javës së kaluar e ka bërë këtë dhe këtë javë do të marrë miratimin
Janë dashur tetë muaj që debate, deklarata, “stand-up-e” në rrjete sociale, kryesisht të zyrtarëve komunalë të Komunës së Prishtinës, për të marrë rrugën e duhur implementimi i projektit që ndërhyn në rrugën “Qamil Hoxha” në kryeqytet. Prej mesit të majit kjo rrugë, që lidhet me Bulevardin qendror të qytetit, është shndërruar në vendpunishte ku s’është punuar asgjë dhe duket hapësirë e shëmtuar në zemër të Prishtinës. E për ta zgjidhur këtë, Komunës së Prishtinës i është dashur një veprim krejt i thjeshtë dhe i detyrueshëm ligjërisht: dorëzimi i projektit për miratim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Në fund të javës së kaluar e ka bërë këtë dhe këtë javë do të marrë miratimin.
Në ditën e 20-të të majit të vitit të kaluar rruga “Qamil Hoxha” qe shndërruar në hapësirën e re ku policët shoqërojnë inspektorët e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore në ndalimin e punimeve. Është dashur gati një javë që Komuna të detyrohet të mos punojë pa qenë e pajisur me leje me shkrim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Rruga hyn në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës dhe po ashtu në afërsi gjendet një monument. Një javë më herët ishte shqiptuar masa e ndalimit të punimeve, por Komuna nuk e kishte respektuar atë.
Hapësira ka status të zonës nën mbrojte të Qendrës Historike të Prishtinës dhe po ashtu aty gjendet monumenti “Shtëpi banimi – Ismail Sahatçiu”. Inspektorati disa herë do ta kërkonte ndihmën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës. Por, tash Komuna duket se ka ndërruar mendjen.
“Të premten e javës së kaluar Komuna e ka sjellë projektin. Komisioni është mbledhur të hënën dhe ka ardhur në përfundim se projekti duhet të miratohet. Këtë javë do të marrin vendimin nëpërmjet të cilit miratohet projekti dhe mund të vazhdojnë punimet për implementimin e tij. Normalisht implementimi bëhet nën mbikëqyrjen e institucioneve të trashëgimisë kulturore”, i kanë thënë KOHËS në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Në maj reagimet e zyrtarëve komunalë ishin se puna u qe ndalur me ndërhyrje politike.
Sipas Sokol Havollit, drejtor i Drejtorisë së Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës, ndalimi i punimeve ishte bërë me urdhër politik.
“Sot inspektorët e Ministrisë së Kulturës e me urdhra politikë, pa asnjë bazë ligjore, bllokuan edhe një punishte në kryeqytet, në rrugën ‘Qamil Hoxha’. Kënaqësinë e jashtëzakonshme e përjetoi ky inspektori në realizimin e dëshirës së shefit të tij, i rrethuar me mbrojtje policore”, kishte shkruar ai në rrejte sociale, duke publikuar një video kur inspektori Xheladin Krasniqi, i shoqëruar nga Policia e Kosovës, vendoste shenjën e ndalimit të punimeve. Havolli kishte shkruar se me kujdes dhe në prezencë të zyrtarëve policorë i kishte kërkuar inspektorit që t’ia paraqiste disa dokumente.
KOHA të mërkurën ka kërkuar një qëndrim të drejtorit të Drejtorisë së Transformimit në Komunë, Gëzim Kastrati, sa u përket zhvillimeve të reja, por ai nuk ka kthyer përgjigje.
Qendra Historike e Prishtinës e po ashtu edhe “Shtëpia e banimit – Ismail Sahatçiu” janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.
Ligji për trashëgimi kulturore e obligon secilën palë që të pajiset me leje për intervenime në zona të tilla.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.
Punimet në rrugën “Qamil Hoxha” në kryeqytet kishin nisur në pjesën e parë të majit. Kontrata për implementimin e punimeve, ku përfshihet edhe rruga “Rexhep Luci”, peshon mbi 1.3 milionë euro.
“Është bërë gërryerja e asfaltit dhe po planifikohet ndërrimi i gypave të ujësjellësit, si dhe largimi i tarracave ekzistuese të lokaleve. Për këto punime nuk është parashtruar kërkesë për pëlqim në institucionet e trashëgimisë kulturore”, shkruhej në procesverbalin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.
Komuna e Prishtinës ngelet e pakonkurrencë si institucion me mësymjet për të punuar pa leje në zona të mbrojtura.
Tri tentime të Komunës së Prishtinës për të zhvilluar punimet pa leje në sheshin “Xhorxh Bush”, që për Ministrinë e Kulturës është zonë nën mbrojtje e Qendrës Historike të Prishtinës, ishin bërë lëndë e mjaftueshme për Policinë e Kosovës që ta hetojë këtë rast.
Zyrtarë të Inspektoratit dhe të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore ishin intervistuar për këtë rast. Komunës në këtë projekt i janë ndalur punimet tri herë. Punimet i ishin ndalur më 12 mars të vitit të kaluar. Më pas më 15 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. Herën e fundit edhe me ndërhyrje të Policisë së Kosovës, pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pengohej nga vetë kryetari i Komunës, Përparim Rama, dhe një pjesë e kabinetit të tij. Për këtë projekt Komuna ka nënshkruar kontratë 18.4 milionë eurosh. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë Komuna ka kërkuar leje, por Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka lëshuar rekomandime duke kërkuar plotësim të dosjes.
Këto ditë planifikohet të mbahet një takim midis zyrtarëve institucionalë për këtë çështje. Komuna për këtë i ishte drejtuar edhe Gjykatës, por s’ka mundur t’i rinisë punimet. Në vjeshtën e vitit 2024 Komunës i janë ndalur punimet edhe për projektin e “Ishullit Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”, me arsyetimin se një pjesë e projektit hyn në zonën e mbrojtur të QHP-së e po ashtu prek edhe Pallatin e Rinisë dhe Sportit, që është monument. Komuna ka kërkuar leje, por i është refuzuar. Kontrata për implementimin e këtij projekti peshon 6.5 milionë euro. E zyrtarët e trashëgimisë kulturore i kishin mbyllur sytë përballë punimeve në rrugën “Rexhep Luci” me arsyetimin se tashmë ka një vendim gjykate se aty s’mund bllokohet rruga, por që Komuna nuk e ka respektuar. Edhe ajo rrugë është në kuadër të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, e projekti tashmë është përfunduar.