Kulturë

Komuna shpërfill ndalesën e Inspektoratit, punon te “Qamil Hoxha”

punimet ne rrugen "Qamil Hoxha"

Punimet në rrugën “Qamil Hoxha” në kryeqytet kanë nisur këtë javë. Kontrata për implementimin e punimeve, ku përfshihet edhe rruga “Rexhep Luci”, peshon mbi 1.3 milionë euro. Komuna i ka nisur punimet pa leje këtë javë dhe po i vazhdon, pavarësisht ndalesës dhe kërkesës që ka bërë për leje të enjten

Me gjithë faktin që Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka urdhëruar ndalim punimesh te rruga “Qamil Hoxha”, Komuna e Prishtinës i ka vazhduar ato të enjten përderisa për situata si kjo ka dy kute: njëri është ai kur u drejtohet organeve të trashëgimisë kulturore duke kërkuar leje, e tjetri në rrjete sociale me video që tregon se nuk i ndal punimet dhe shpërfill e konteston vendimet

Komuna e Prishtinës e ka shpërfillur masën e ndalimit të punimeve që ia ka shqiptuar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Pavarësisht se të mërkurën i janë ndalur punimet në rrugën “Qamil Hoxha”, pasi e njëjta është në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës e po ashtu ka afër monumentin “Shtëpi banimi – Ismail Sahatçiu”, institucioni lokal i ka vazhduar punimet. 

Që të dyja këto asete janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në krye të mosrespektimit të masës së ndalimit të punimeve është drejtori i Drejtorisë së Investimeve Kapitale, Sokol Havolli. Të martën ka refuzuar ta pranojë procesverbalin e ndaljes së punimeve. E, të mërkurën ai ka realizuar një video promovuese për të treguar se punimet po vazhdojnë. Të mërkurën Komuna po ashtu ka dorëzuar projektin në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore për të kërkuar leje.

Punimet në këtë rrugë, që lidh bulevardin qendror të kryeqytetit dhe rrugën “Agim Ramadani”, kanë nisur pa leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Ligji për trashëgimi kulturore e obligon secilën palë që të pajiset me leje për intervenime në zona të tilla. 

“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9. Por Komuna konteston edhe statusin ligjor të krejt monumenteve që janë në qendër të Prishtinës. 

I pyetur për veprimet që do të ndërmerren pasi Komuna e Prishtinës nuk është duke e respektuar masën e ndalimit të punimeve, drejtori i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Imer Hakaj, ka thënë se janë në detyrë. 

“Për gjithçka informoheni nesër (e premte) dhe tutje”, ka thënë ai. 

Drejtori i Drejtorisë së Investimeve Kapitale, Sokol Havolli, edhe të enjten ka refuzuar të përgjigjet për KOHËN. Ka realizuar një video në rrjete sociale. Nëpërmjet saj edhe është marrë me ujërat e zeza të Ministrisë së Kulturës.  

“Sa herë kemi kaluar në këtë pjesë ka pasur një kundërmim të jashtëzakonshëm. Rrjeti i kanalizimit nga objekti këtu, që me gjasë kryesisht shfrytëzohet nga Ministria e Kulturës, është hedhur në rrjetin e ujërave atmosferike, gjë që nuk duhet të ndodhë në asnjë vend dhe është e ndaluar  me ligj. Megjithatë edhe këtë jemi duke e rregulluar”, ka thënë Havolli. 

Punimet në rrugën “Qamil Hoxha” në kryeqytet kanë nisur këtë javë. Kontrata për implementimin e punimeve, ku përfshihet edhe rruga “Rexhep Luci”, peshon mbi 1.3 milionë euro. Komuna i ka nisur punimet pa leje këtë javë dhe po i vazhdon, pavarësisht ndalesës dhe kërkesës që ka bërë për leje të enjten. 

“Është bërë gërryerja e asfaltit dhe po planifikohet ndërrimi i gypave të ujësjellësit, si dhe largimi i tarracave ekzistuese të lokaleve. Për këto punime nuk është parashtruar kërkesë për pëlqim në institucionet e trashëgimisë kulturore”, shkruhet në procesverbalin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. 

Për projektet e mëhershme të Komunës, ku po ashtu janë ndalur punimet, zyrtarët komunalë kanë kontestuar kufijtë e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike. 

Tri tentime të Komunës së Prishtinës për të zhvilluar punimet pa leje në sheshin “Xhorxh Bush”, që për Ministrinë e Kulturës është zonë nën mbrojtje e Qendrës Historike të Prishtinës, tashmë janë bërë lëndë e mjaftueshme për Policinë e Kosovës që ta hetojë këtë rast. Zyrtarët e institucioneve të trashëgimisë kulturore kanë dhënë sqarime në Policinë e Kosovës sa u përket masave të ndalimit që ka shqiptuar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore duke ndalur punimet e Komunës së Prishtinës. Zyrtarë të Inspektoratit dhe të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore janë intervistuar për këtë rast. Siç ka marrë vesh KOHA, bëhet fjalë për kallëzimin që Inspektorati ia ka bërë Komunës pasi ka ndalur punimet herën e dytë, në prill. Komunës në këtë projekt i janë ndalur punimet tri herë. Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 15 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. 

Herën e fundit edhe me ndërhyrje të Policisë së Kosovës, pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pengohej nga vetë kryetari i Komunës, Përparim Rama, dhe një pjesë e kabinetit të tij. Për këtë projekt Komuna ka nënshkruar kontratë 18.4 milionë eurosh. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë Komuna ka kërkuar leje, por Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka lëshuar rekomandime duke kërkuar plotësim të dosjes. Po ashtu është konstatuar se cenon monumentet. Më pas edhe Komuna ka kërkuar sqarime shtesë nga IKMM-ja. Vjet në vjeshtë Komunës i janë ndalur punimet edhe për projektin e “Ishullit Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”, me arsyetimin se një pjesë e projektit hyn në zonën e mbrojtur të QHP-së e po ashtu prek edhe Pallatin e Rinisë dhe Sportit, që është monument. Komuna ka kërkuar leje, por i është refuzuar. Kontrata për implementimin e këtij projekti peshon 6.5 milionë euro.  Tash punimet vazhdojnë shkarazi matanë hekurudhës.