Ka një muaj që nuk janë zhbllokuar punimet në rrugën “Qamil Hoxha”, por Komuna e Prishtinës ende pa marrë leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore, ka kontraktuar punimeve shtesë. Ka përzgjedhur konzorciumin e njëjtë – që po i zhvillon punimet në rrugën “Rexhep Luci” – që nëpërmjet negocimit t’i japë edhe 132 mijë e 993euro krahas kontratës bazë prej 1.3 milion eurosh
Një javë kishte zgjatur beteja për ndalimin e punimeve në rrugën “Qamil Hoxha” në kryeqytet.
Ishte dashur ndërhyrja e Policisë së Kosovës që të zbatohet vendimi i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për ndalim punimesh. Kjo masë ishte shqiptuar në rrugën që e lidh bulevardin qendror të qytetit me rrugën “Agim Ramadani”, pasi hapësira ka status të zonës nën mbrojte të Qendrës Historike të Prishtinës dhe, po ashtu, aty gjendet monumenti “Shtëpi banimi – Ismail Sahatçiu”. Por Komuna as që e kishte marrë parasysh shqiptimin e masës së ndalimit. I kishte nisur e i kishte vazhduar punimet pa lejen që e përcakton Ligji për trashëgimi kulturore. Inspektorati disa herë kishte kërkuar ndihmë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës.
Qendra Historike e Prishtinës e, po ashtu, edhe “Shtëpia e banimit – Ismail Sahatçiu” janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.
Ligji për trashëgimi kulturore e obligon secilën palë që të pajiset me leje për intervenime në zona të tilla.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.
Por, edhe pse janë ndalur punimet, Komuna s’ka aplikuar për leje.
“Të enjten i kishim shqyrtimet e kërkesave për qytetin e Prishtinës, por Komuna nuk ka kërkuar leje për rrugën ‘Qamil Hoxha’”, kanë konfirmuar në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Por, pavarësisht kësaj, Komuna është në proces të kontraktimit të punëve shtesë. Ka përzgjedhur konzorciumin dhe mungon veç nënshkrimi i kontratës.
“Rekonstruimi i rrugës ‘Rexhep Luci’ dhe ‘Qamil Hoxha’- Punë e paparaparë”, e mban titullin procedura e re. Pritet të bëhet demolimi i murit mbrojtës dhe shkallëve të betonit, pusetave nëntokësore. Pastaj hapja e kanalit për rregullimin e kanalizimit për ujëra fekale dhe atmosferike deri në tri metra thellësi e midis tjerash edhe mbushja e sipërfaqeve të pllakave me masë të llaçit adekuat special.
KOHA e ka pyetur Sokol Havollit, drejtor i Drejtorisë së Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës, se deri ku ka shkuar procedura e aplikimit për leje në IKMM, por ai nuk është përgjigjur.
Kur Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, i shoqëruar nga Policia e Kosovës më 20 maj, i kishte ndalur punimet në rrugën “Qamil Hoxha”, Havolli kishte reaguar në rrjete sociale.
“Sot, inspektorët e Ministrisë së Kulturës, e me urdhra politikë, pa asnjë bazë ligjore, bllokuan edhe një punishte në kryeqytet, në rrugën ‘Qamil Hoxha’. Kënaqësinë e jashtëzakonshme e përjetoi ky inspektori në realizimin e dëshirës së shefit të tij, i rrethuar me mbrojtje policore”, kishte shkruar ai në rrjete sociale, duke e publikuar një video kur inspektori Xheladin Krasniqi, i shoqëruar nga Policia e Kosovës, e vendos shenjën e ndalimit të punimeve.
Komuna e Prishtinës është e pakonkurrencë si institucion me mësymjet për të punuar pa leje në zona të mbrojtura.
Tri tentime të Komunës së Prishtinës për t’i zhvilluar punimet pa leje në sheshin “Xhorxh Bush”, që për Ministrinë e Kulturës është zonë nën mbrojtje e Qendrës Historike të Prishtinës, tashmë janë bërë lëndë e mjaftueshme për Policinë e Kosovës që ta hetojë këtë rast. Zyrtarë të Inspektoratit dhe të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore janë intervistuar për këtë rast. Siç ka marrë vesh KOHA, bëhet fjalë për kallëzimin që Inspektorati ia ka bërë Komunës pasi i ka ndalur punimet herën e dytë, në prill. Komunës në këtë projekt i janë ndalur punimet tri herë. Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 15 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. Herën e fundit edhe me ndërhyrje të Policisë së Kosovës, pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pengohej nga vetë kryetari i Komunës, Përparim Rama, dhe një pjesë e kabinetit të tij. Për këtë projekt Komuna ka nënshkruar kontratë prej 18.4 milionë eurosh. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë Komuna ka kërkuar leje, por Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka lëshuar rekomandime, duke kërkuar plotësim të dosjes. Po ashtu, është konstatuar se cenon monumentet. Më pas edhe Komuna ka kërkuar sqarime shtesë nga IKMM-ja. Ka bërë ankesë dhe i është kthyer si e pabazuar. Lëndën e ka dërguar në Gjykatë dhe midis tjerash ka kërkuar masë të përkohshme ndaj vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.
Vjet, në vjeshtë, Komunës i janë ndalur punimet edhe për projektin e “Ishullit Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”, me arsyetimin se një pjesë e projektit hyn në zonën e mbrojtur të QHP-së e, po ashtu, prek edhe Pallatin e Rinisë dhe Sportit, që është monument. Komuna ka kërkuar leje, por i është refuzuar. Kontrata për implementimin e këtij projekti peshon 6.5 milionë euro. Tash punimet vazhdojnë matanë hekurudhës e ditëve të fundit është rritur intensiteti. E këtë javë disa shtylla janë vendosur në anën tjetër.
Në fund të majit me leje të Komunës për Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS), janë realizuar punime në rrugën “Agim Ramadani”, afër “Xhamisë së Çarshisë”, monument nën mbrojtje të përhershme. Shpimi nën trasenë e rrugës ka rezultuar në nxjerrjen në pah të strukturave arkitekturore arkeologjike të periudhës osmane. Punimet e realizuara për shtrirjen e një kablloje të energjisë elektrike janë bërë pa lejet e nevojshme nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Bëhet fjalë për hapësirë që gëzon mbrojtje të dyfishtë, pasi hyn edhe brenda Qendrës Historike të Prishtinës.