Në katër vendpunishte në qendër të Prishtinës, e marta ka shënuar tabelën e katërt të kuqe për ndalim punimesh nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Inspektorati është dashur të koordinohet me Policinë që t’i ndalojë punimet te “Qamil Hoxha”. Një ditë më parë punimet u ndaluan edhe te “Agim Ramadani” kur gjatë shpimit të një kanali për kabllo, dolën në pah struktura arkeologjike
Vendimet e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore s’përbëjnë obligim për zyrtarët e Komunës së Prishtinës. Menaxhmenti i kryeqytetit tashmë numëron disa raste që nuk i përfill masat që i shqipton ky inspektorat.
Skenat kur Policia e Kosovës duhet të shoqërojë inspektorët për të ndalur punimet pa leje në zonat e mbrojtura tashmë janë bërë rutinë, ashtu sikurse edhe kallëzimet për menaxhmentin e kryeqytetit.
Rruga “Qamil Hoxha” të martën është shndërruar në hapësirën e re ku policët shoqërojnë inspektorët në ndalimin e punimeve. Është dashur gati një javë që Komuna të detyrohet të mos punojë pa qenë e pajisur me leje me shkrim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Të mërkurën e javës e kaluar inspektorët e Trashëgimisë Kulturore kanë shqiptuar masën e ndalimit të punimeve në rrugën që lidh bulevardin qendror të qytetit me rrugën “Agim Ramadani”. Hapësira ka status të zonës nën mbrojte të Qendrës Historike të Prishtinës dhe po ashtu aty gjendet monumenti “Shtëpi banimi – Ismail Sahatçiu”. Por Komuna as që e ka marrë parasysh shqiptimin e masës së ndalimit. I ka nisur e i ka vazhduar punimet pa lejen që e përcakton Ligji për trashëgimi kulturore. Inspektorati disa herë ka kërkuar ndihmë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës.
Të martën mjetet e rënda janë fikur dhe punonjësit kanë ndërprerë punën. Aty është vënë shenja e ndalimit të punimeve.
“Sot prapë jemi koordinuar me Prokurorinë dhe Policinë në mënyrë që të ndalim punimet e paautorizuara në rrugën ‘Qamil Hoxha’”, kanë bërë të ditur në Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore.
Por sipas Sokol Havollit, drejtor i Drejtorisë së Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës, ndalimi i punimeve është bërë me urdhër politik.
“Sot, inspektorët e Ministrisë së Kulturës, e me urdhra politikë, pa asnjë bazë ligjore, bllokuan edhe një punishte në kryeqytet, në rrugën ‘Qamil Hoxha’. Kënaqësinë e jashtëzakonshme e përjetoi ky inspektori në realizimin e dëshirës së shefit të tij, i rrethuar me mbrojtje policore”, ka shkruar ai në rrejte sociale duke publikuar një video kur inspektori Xheladin Krasniqi, i shoqëruar nga Policia e Kosovës, vendos shenjën e ndalimit të punimeve. Havolli ka shkruar se me kujdes dhe në prezencë të zyrtarëve policorë i ka kërkuar inspektorit që t’ia paraqesë disa dokumente.
“Vendimin e ministrit për asetet në mbrojtje (nuk ekziston fare vendimi, kontrolloni vetë uebfaqen e Ministrisë). Kërkova po ashtu përgjigje se pse asetet, sikur që e kërkon ligji, nuk janë të regjistruara në sistemet adekuate me të cilat funksionojnë Komunat dhe institucionet qendrore?”, ka shkruar ai. Havolli ka refuzuar për të tretën herë radhazi të përgjigjet për KOHËN sa i përket ndalimit të punimeve në këtë rrugë. Redaksia ka provuar të komunikojë me dy zëdhënës të Policisë në Rajonin e Prishtinës, por nuk kanë qenë të qasshëm.
Qendra Historike e Prishtinës e po ashtu edhe “Shtëpia e banimit – Ismail Sahatçiu” janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.
Ligji për trashëgimi kulturore e obligon secilën palë që të pajiset me leje për intervenime në zona të tilla.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.
Punimet në rrugën “Qamil Hoxha” në kryeqytet kanë nisur javën e kaluar. Kontrata për implementimin e punimeve, ku përfshihet edhe rruga “Rexhep Luci”, peshon mbi 1.3 milionë euro.
“Është bërë gërryerja e asfaltit dhe po planifikohet ndërrimi i gypave të ujësjellësit, si dhe largimi i tarracave ekzistuese të lokaleve. Për këto punime nuk është parashtruar kërkesë për pëlqim në institucionet e trashëgimisë kulturore”, shkruhet në procesverbalin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.
Komuna e Prishtinës është e pakonkurrencë si institucion me mësymjet për të punuar pa leje në zona të mbrojtura.
Tri tentime të Komunës së Prishtinës për të zhvilluar punimet pa leje në sheshin “Xhorxh Bush”, që për Ministrinë e Kulturës është zonë nën mbrojtje e Qendrës Historike të Prishtinës, tashmë janë bërë lëndë e mjaftueshme për Policinë e Kosovës që ta hetojë këtë rast. Zyrtarë të Inspektoratit dhe të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore janë intervistuar për këtë rast. Siç ka marrë vesh KOHA, bëhet fjalë për kallëzimin që Inspektorati ia ka bërë Komunës pasi ka ndalur punimet herën e dytë, në prill. Komunës në këtë projekt i janë ndalur punimet tri herë. Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 15 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. Herën e fundit edhe me ndërhyrje të Policisë së Kosovës, pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pengohej nga vetë kryetari i Komunës, Përparim Rama, dhe një pjesë e kabinetit të tij. Për këtë projekt Komuna ka nënshkruar kontratë 18.4 milionë eurosh. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë Komuna ka kërkuar leje, por Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka lëshuar rekomandime duke kërkuar plotësim të dosjes. Po ashtu është konstatuar se cenon monumentet. Më pas edhe Komuna ka kërkuar sqarime shtesë nga IKMM-ja. Vjet në vjeshtë Komunës i janë ndalur punimet edhe për projektin e “Ishullit Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”, me arsyetimin se një pjesë e projektit hyn në zonën e mbrojtur të QHP-së e po ashtu prek edhe Pallatin e Rinisë dhe Sportit, që është monument. Komuna ka kërkuar leje, por i është refuzuar. Kontrata për implementimin e këtij projekti peshon 6.5 milionë euro. Tash punimet vazhdojnë shkarazi matanë hekurudhës.
Të hënën e kësaj jave po me leje të Komunës për Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS), janë realizuar punime në rrugën “Agim Ramadani”, afër “Xhamisë së Çarshisë”, monument nën mbrojtje të përhershme. Shpimi nën trasenë e rrugës ka rezultuar në nxjerrjen në pah të strukturave arkitekturore arkeologjike. Punimet e realizuara për shtrirjen e një kablloje të energjisë elektrike janë bërë pa lejet e nevojshme nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Përderisa është punuar edhe ditën e diel, të hënën ky intervenim është ndaluar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Bëhet fjalë për hapësirë që gëzon mbrojtje të dyfishtë pasi hyn edhe brenda Qendrës Historike të Prishtinës. Se për çfarë strukturash bëhet fjalë, Instituti Arkeologjik i Kosovës nuk ka dhënë sqarime.