Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Murati: LDK-ja, adresa e bllokadës për buxhetin e Prishtinës

Hekuran Murati, ministër në detyrë i Financave, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është fajtore për mosmiratimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025.

Sipas tij, refuzimi i LDK-së por edhe i Partisë Demokratike që Kuvendi t’i formojë komisionet e veta, po nxit “krizë artificiale që vendi të vihet para një vështirësie financiare”.

Sa i përket buxhetit të Komunës së Prishtinës, që nga qeveria në detyrë u miratua të premten dhe u dërgua në Kuvend, Murati ka thënë se zyrtarët e komunës po përpiqen “përmes dezinformatave të mashtrojnë opinionin publik”.

“Dezinformata e parë është se kinse po diskriminohet gjoja nga Qeveria. Por janë tri komuna që s’e kanë miratuar buxhetin 2025. Dezinformata e dytë është se është bllokuar buxheti dhe nuk ka fare buxhet të alokuar. Po të mos kishte të alokuar s’do të mund të paguheshin as pagat. Qeveria i ka alokuar buxhetin sipas ligjit dhe ligji parasheh që komuna në këtë rast kur dështon duhet të operojë me buxhetin e vitit paraprak që i alokohet çdo muaj nga 1/12 e buxhetit që të mbulohen shpenzimet esenciale dhe të domosdoshme”, ka thënë Murati në emisionin 038 në KTV.

Murati ka thënë se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka përcjellë në Ministri buxhetin më 17 dhjetor 2024, tre muaj pas kërkesës ligjore. Sipas tij, po që se shkresa t’i përcillej para 22 nëntorit kur u miratua Buxheti i shtetit, atëherë do të mund të përfshihej kjo si amendament. Megjithatë, ai ka thënë se Prishtina e ka dërguar njoftimin me një muaj vonesë pas mbylljes së buxhetit të shtetit.

Edhe Prokuroria hedh poshtë kallëzimin penal të Komunës së Prishtinës për bllokim të buxhetit Arbëri Prokuroria hedh poshtë kallëzimin penal të Komunës së Prishtinës për bllokim të buxhetit

“Ne më pas e kemi dërguar te Kuvendi që të shqyrtohet buxheti i Prishtinës, por problemi ishte që Kuvendi seancën e fundit e ka mbajtur të rregullt më 5 dhjetor 2024”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kuvendi e ka pasur të pamundur të vazhdonte me këtë çështje për shkak të moskonstituimit. E ai ka thënë se as LDK-ja “s’ka shprehur interesim për seancë të jashtëzakonshme në janar”.

Duke komentuar dërgimin e vendimit të Qeverisë për buxhetin e Prishtinës për miratim në Kuvend të premten, Murati ka thënë se “LDK-ja akuzon Qeverinë, por vetë refuzon ta funksionalizojë komisionin për buxhet”.

“Kush është bllokuesi këtu?” ka pyetur ai.

Edhe Murati: Pa buxhet të miratuar, vështirësitë financiare do të përcillen edhe në 2026-n LAJMET E MBRËMJES Murati: Pa buxhet të miratuar, vështirësitë financiare do të përcillen edhe në 2026-n

“Duhet të ketë vullnet nga dy partitë në Kryesi të Kuvendit, PDK-ja dhe LDK-ja, e më së tepërmi nga vetë LDK-ja që do të duhej t’ia qante hallin, por nëse vetë ajo refuzon ta kalojë buxhetin e Prishtinës në Kuvend, është e qartë se ku është adresa e bllokadës”, ka thënë ai.

Një ditë më parë, pa epilog pozitiv u përmbyll mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Partitë politike nuk u pajtuan që të vënë në funksion trupat e legjislativit për të adresuar telashet, me të cilat mund të përballet vendi, si rezultat i mungesës së mosmiratimit të buxhetit. Opozita i konsideroi joligjore dhe jokushtetuese përpjekjet për formim të komisioneve, duke thënë se ende nuk dihet se kush është pozitë e kush është opozitë dhe se ai që ka sjellë buxhetin “është edhe ministër edhe deputet”.