Shkalla e depresionit te amerikanët mbi moshën 12-vjeçare është rritur për gati 60 për qind brenda një dekade, nga 8.2 për qind sa ishte në periudhën 2013–2014, në 13.1 për qind gjatë viteve 2021–2023, sipas një raporti të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Psikiatri klinik Daniel Amen, themelues i klinikave Amen në Kaliforni, ka identifikuar gjashtë zakone që mund të përkeqësojnë simptomat e depresionit dhe që rekomandon të shmangen.
Konsumimi i alkoolit
Mund të sjellë lehtësim të përkohshëm, por kur efekti i tij kalon, gjendja emocionale mund të përkeqësohet.
Qëndrimi i gjatë në shtrat
Izolimi në shtrat dhe mungesa e aktivitetit mund të ndikojnë negativisht në gjendjen psikologjike. Eksperti rekomandon ngritjen dhe fillimin e ditës me aktivitete të zakonshme.
Besimi në mendimet negative
Mendimet automatike negative mund ta përkeqësojnë depresionin. Amen këshillon që ato të shkruhen dhe të analizohet nëse janë të vërteta, duke u përpjekur të shihen situatat edhe nga një këndvështrim tjetër.
Izolimi nga të tjerët
Largimi nga familja dhe miqtë mund t'i rëndojë simptomat. Një studim i vitit 2025 ka gjetur se vetmia lidhet me rrezik 77 për qind më të lartë për zhvillimin e depresionit.
Ushqimet shumë të përpunuara
Konsumimi i shpeshtë i ushqimeve të shpejta dhe produkteve shumë të përpunuara është lidhur me rrezik më të lartë të depresionit. Eksperti rekomandon një dietë të pasur me perime, proteina të shëndetshme dhe yndyra të mira, siç është dieta mesdhetare.
Përdorimi i barnave pa vlerësim të duhur mjekësor
Trajtimi duhet të përshtatet sipas gjendjes së secilit pacient. Para përdorimit të antidepresivëve nevojitet vlerësim profesional, ndërsa në disa raste mund të kërkohen edhe analiza për të përjashtuar probleme të tjera shëndetësore.
Përveç këtyre rekomandimeve, Amen thekson rëndësinë e aktivitetit fizik, veçanërisht ecjes së shpejtë. Ai sugjeron gjithashtu që personat që vazhdojnë të kenë simptoma, pavarësisht përpjekjeve dhe trajtimit, të kërkojnë vlerësim të mëtejshëm mjekësor.
Ekspertët rikujtojnë se trajtimi i depresionit është individual dhe mund të përfshijë psikoterapi, medikamente ose kombinimin e tyre. Ndryshimet në stilin e jetesës mund të ndihmojnë, por nuk e zëvendësojnë trajtimin profesional.