Hekuran Murati, ministër në detyrë i Financave, ka komentuar votimin që Asambleja e Prishtinës ia bëri bartjes së të hyrave vetanake nga viti 2024 në 2025, edhe me votat e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ka thënë se ky votim zhbllokoi pagesat për shërbimet esenciale, teksa ka kritikuar Lidhjen Demokratike që sipas tij nuk zhbllokoi buxhetin në Kuvend të Republikës.
“Sot, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje e votuan bartjen e të hyrave vetanake në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Pra atë që nuk e bëri Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e bëri Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal, për të zhbllokuar pagesat për shërbimet esenciale publike. Sepse, siç është vërtetuar tash e sa herë, për Lëvizjen Vetëvendosje interesat e qytetarëve çdoherë kanë prioritet”, ka shkruar Murati në Facebook.
Murati në vazhdimësi ka akuzuar partitë që deri tash ishin në opozitë, për moskalim të Buxhetit 2026 në Kuvend të shtetit, por edhe atë të Prishtinës 2025.
Kuvendi Komunal i Prishtinës të enjten në një seancë të jashtëzakonshme ka votuar për bartjen e mjeteve vetanake nga viti 2024 në vitin 2025 që kapin vlerën e 28 milionë eurove. Për votuan 38 asamblistë e një abstenoi.
Kjo do t’u hapë rrugës pagesave të faturave të pashlyera të Komunës së Prishtinës dhe fundit të grevës nga Trafiku Urban. Transportuesit publikë kanë protestuar tash e sa ditë shkaku i borxheve nga komuna. E komuna fajësonte Ministrinë e Financave për bllokim.