Artikull i përditësuar - Kuvendi Komunal i Prishtinës të enjten në një seancë të jashtëzakonshme ka votuar për bartjen e mjeteve vetanake nga viti 2024 në vitin 2025 që kapin vlerën e 28 milionë eurove.
Për votuan 38 asamblistë e një abstenoi.
Kjo do t’i hapë rrugës pagesave të faturave të pashlyera të Komunës së Prishtinës dhe fundit të grevës nga Trafiku Urban.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se këto fonde do të përdoren në shërbim të qytetarëve.
“Fondet që po i trajtojmë sot do të trajtohen për funksionalizimin e ndërmarrjeve publike, për mbrojtjen e vendeve të punës, për pagat e punëtorëve dhe për shërbimet bazike. Kërkoj publikisht që edhe fondet prej 35 milionë eurove, 25 të hyra vetanake dhe 10 mln grante qeveritare, që kërkojnë vetëm vullnetin e ministrit t’i jepen kryeqytetit. Ju falënderoj për përgjegjësinë për të qenë sot këtu”, ka thënë Rama.
E shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka thënë se kjo bartje do ta zgjidhë vetëm përkohësisht bllokadën që e ka shkaktuar Rama. Ai hodhi një mori akuzash ndaj kryetarit të Prishtinës.
Në rend dite ishte edhe votimi i buxhetit për vitin 2026. Por kjo nuk mori përkrahjen e mjaftueshme.
Lahu: Brenda VV-së u kërkua të bllokohej ‘Pastrimi’ që Prishtina të mbushej me bërllok
Asamblisti i pavarur në Komunën e Prishtinës, Berat Lahu – dikur pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje – ka hedhur akuza të rënda ndaj shefit të asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla, duke thënë se brenda grupit ishte diskutuar që të bllokohej pastrimi i qytetit për qëllime politike.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme, Lahu e quajti “hipokrizi të rrezikshme politike” qasjen e Sveçës, duke përmendur sipas tij marrëveshje të fshehta dhe veprime që kanë dëmtuar interesin e qytetarëve.
“Nëse diçka po i bën dëm këtij shteti është hipokrizia. Dëmi në mikrofon mund të ketë qenë 15 euro, por dëmi në këmbimin e pronave në Badovc ka qenë 50 milionë euro”, u shpreh Lahu.
Ai akuzoi Sveçlën se kishte vepruar tinëz ndaj grupit dhe subjektit të tij politik kur kaloi këmbimi i pronave në Badovc. Madje u shpreh se kur e sheh Sveçlën i vjen për të vjellë.
“Çfarë dëmi ke bërë ti para se me ardh në asamble, tinëza edhe grupit që i prin, tinëza edhe subjektit që i takon. Ky është dëmi për të cilin duhesh me fol. Kjo e mikrofonit tregon veç kulturën tënde familjare. Hipkrozia që boj marrëveshje me Rrahman Haradinin, për 50 mln euro dhe tani vi këtu kinse pe mbroj interesin e qytetarëve, më bon me vjell. Ti si person më bën me vjell kur ta di historinë dhe vjen shitesh në moralin politik që e ka pasur VV-ja dikur”, u shpreh Lahu.
Lahu ka thënë se këto lojëra prapa shpine e kanë tkurrur Vetëvendosjen në Prishtinë.
“Për katër vjet ia keni bërë argatin PDK-së për ta pru Uran Ismailin në balotazh. Keni arrit ta bëni LVV-në subjekt të tretë”, u shpreh ai.
Për çështjen e pastrimit të qytetit, Lahu ka thënë se brenda Vetëvendosjes është kërkuar ta pengojnë që Prishtina të dukej më keq, me qëllim politik.
“Brenda grupit u fol që: ‘hajde ta bllokojmë Pastrimin, të bëhet bërllok Prishtina e ta mposhtim Përparim Ramën’. S’mund të bëhem pjesë e kësaj. Është e turpshme, e ulët. Këtu rriten fëmijët e Kosovës”, deklaroi ai.
Sveçla akuzon Ramën se e ka sharë LDK-në: Kanë mjaftuar 10 minuta bisedë dhe ndonjë gotë
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka akuzuar kryetarin Përparim Rama për bllokadë. Ai thotë se qeveria në vazhdimësi i ka alokuar mjete, këtë vit 90 milionë euro por sipas Sveçlës, duhet pyetur Rama se ku kanë shkuar ato të holla.
Sveçla e ka akuzuar Ramën edhe për ndaljen e rrymës në çerdhen “Yllka”, për të cilën tha se nuk është paguar fatura që nga dhjetori i vitit të kaluar pavarësisht që komuna ka pasur mjete.
“Akuzon qeverinë, minstra, opozitën, veç LDK-në jo. Afër 90 milionë euro i janë alokuar komunës gjatë këtij viti nga qeveria. Vetëm në nëntor dy alokime. Njëra e parakohshme, me kërkesë të Komunës së Prishtinës. Për çfarë bllokade po flet Përparim? Çerdhet e fëmijëve janë lënë pa rrymë, jo pse s’ka pasur buxhet por sepse ato para Përparim i ke përdorur për pagesa të tjera, për njerëzit e tu, për pazaret e tua. Çerdhes “Yllka” që iu ndalua rryma para disa ditësh, pagesën e fundit e ke bërë në dhjetor të vitit të kaluar. Parat janë alokuar çdo muaj, ku i ke çuar Përparim? Ai nuk është veç menaxher i keq por edhe borxhli i keq. Iu ka borxh shumicës së ndërmarrjeve publike. Borxhe gjithandej”, deklaroi Sveçla në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Tutje Sveçla, e ka akuzuar Ramën se në të kaluarën e ka sharë LDK-në dhe sipas tij ka mjaftuar 10 minuta bisedë me të e shoqëruar me ndonjë gotë.
“Parimet dhe qëndrimet e tua i orienton interesi personal financiar. Ky orientim i yti është drejt LDK-së. Kur jemi te LDK-ja ti e din çka ke thënë për LDK-në e për Lumir Abdixhikun. Mjafton 10 minuta bisedë me ty, me pasë edhe ndonjë gotë me shoqëru dhe vazhdon rrëfimi yt i zakonshëm për LDK-në me një gjuhë jo aq akademike si partia dhe me shprehje të moshës madhore”, akuzoi Sveçla nga foltorja e Kuvendit Komunal të kryeqytetit.