Policia e Kosovës ka njoftuar se është vrarë një grua në Vitomiricë të Pejës në mbrëmjen e të dielës, ndërsa i dyshuar është kunati i viktimës. I dyshuari ndodhet në arrati, ndërsa viktima dyshohet se është vrarë pas goditjeve me një mjet të fortë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se fillimisht në orën 19:00 në Stacionin Policor në Pejë ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje që kishte ndodhur në Vitomiricë. Viktima ishte shoqëruar në stacionin policor dhe ishte intervistuar, ndërsa është arrestuar dhe intervistuar bashkëshorti i saj, i cili u ndalua për 48 orë.
“Viktima, me vullnetin e saj, është dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë”, ka njoftuar Policia.
Policia ka njoftuar se rreth orës 21:10 ka marrë informatë se e njëjta është gjetur pa shenja jete.
“Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë. Personi i dyshuar për rastin e dytë (i cili dyshohet se është kunati i saj) ndodhet në arrati. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, që po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes. Aktualisht janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe lokalizimin e arrestimin e personit të dyshuar”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Edhe
Policia heton tri raste të vdekjeve në Shtime, Prizren dhe Kamenicë
Avokatja Adelina Hoxha ka shkruar në Facebook për rastin. Ajo ka akuzuar shtetin për vrasjen e gruas në Vitomiricë.
“Një grua që mu përgjërua të bëjë gjithçka se nuk i duhet jeta pa djalin e saj...sonte u vra nga kunati me sëpatë...Por, jo ARLINDËN E VRAU SHTETI. Nesër për ju të gjitha dëshmitë”, ka shkruar Hoxha në Facebook.