Një grua 80-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve që dyshohet se janë shkaktuar nga bashkëshorti i saj. Rasti ka ndodhur në Prizren, ndërsa burri 81-vjeçar është arrestuar.
Siç ka njoftuar Policia në Prizren, vdekjen e L.D. e kanë konstatuar autoritetet në vendngjarje – në shtëpinë e saj, në orët e para të së mërkurës.
Bashkëshorti është shoqëruar në polici dhe pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes ka lindur dyshimi për veprën penale “vrasje e rëndë”. Sipas njoftimit policor, “dyshohet se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës janë shkaktuar nga forca duarthatë, pa përdorim të ndonjë arme apo mjeti tjetër”.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. I dyshuari B.D. është ndaluar për 48 orë.
Policia ka njoftuar po ashtu se sipas evidencave zyrtare, “çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës të raportuara dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpinë e tyre”.
“Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të rastit”, përfundon njoftimi i Policisë.
Ndërkaq, në një njoftim për media, Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se do të kërkojë masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit. Aty është theksuar se dyshimet janë që gruaja ka vdekur si pasojë e dhunës fizike.
“Pas pranimit të informatës, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ekipet e krim-teknikës dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të procedurave hetimore në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në IML. Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari, B.D., dyshohet se ka privuar nga jeta gruan e tij, duke ushtruar dhunë fizike, dhe se rasti ka ndodhur brenda familjes”, thuhet në njoftim.
Haxhiu: Institucionet të ndërmarrin masa urgjente për parandalimin e dhunës ndaj grave
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje institucioneve në Kosovë që të marrin masa urgjente e konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e tyre.
Reagimi i Haxhiut erdhi pasi në Prizren një grua 80-vjeçare u vra, ndërsa i dyshuari është bashkëshorti i saj 81-vjeçar. Vrasja e gruas në Prizren erdhi vetëm dy ditë pasi një grua shtatzënë në Malishevë u vra, ndërsa edhe në atë rast i dyshuari është bashkëshorti.
“Më tronditi lajmi për vrasjen e një gruaje 80-vjeçare në Prizren. Vetëm dy ditë më parë, një tjetër grua u vra, ndaj këto nuk mund të trajtohen si raste të izoluara. Mjaft më me vrasjen dhe dhunën ndaj grave! Jeta dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të mbrohen me çdo mjet. Kërkoj nga organet e drejtësisë hetim të plotë dhe të shpejtë dhe që autorët, të marrin dënimin më të ashpër të paraparë me ligj. Çdo rast duhet të zbardhet deri në fund, por po aq e rëndësishme është që dhuna të njihet dhe të ndalet para se të përfundojë në vrasje. Institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin masa urgjente dhe konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e tyre. Familjes së të ndjerës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.