Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sinanaj për vonesat në rikthimin e Kosovës B1: Do të reflektohet në faturat e energjisë

Agon Sinanaj, redaktor në “Buletini Ekonomik”, ka thënë se dështimi që të rikthehet në funksion blloku B1 sipas planit, do të reflektohet në faturat e energjisë elektrike të qytetarëve.  

Blloku B1 ishte paraparë të rikthehej më 25 nëntor, por Sinanaj thotë se sipas parashikimeve pritet të rikthehet vetëm në mars të vitit të ardhshëm. 

“Po i bie që gjatë muajve më problematikë të dimrit s’do të jetë në funksion...Përgjegjësi duhet të mbajnë institucionet, përgjegjësia kryesore bie mbi Ministrinë e Ekonomisë. Nuk pamë sqarime ne. Pse duhet bërë sqarime të detajuara, është se këto dështime, mungesa e këtij blloku, do të reflektohet në faturat e energjisë të qytetarëve kur të vijë te shqyrtimi i kostos”, tha Sinanaj në “Interaktiv” të KTV-së. 

Ai ka thënë se me dështimin për ta futur në operim bllokun B1, Kosova do të ketë 260 megavat minus në gjenerim të energjisë. Kjo do të nënkuptojë më tepër importim të energjisë dhe me kosto më të lartë gjatë dimrit. 

Sinanaj ka thënë se Qeveria e Kosovës me vendosjen e masave emergjente për furnizim me energji, në një mënyrë ka paralajmëruar qytetarët se po i pret një dimër i vështirë. 

“Ajo po paralajmëron se ky dimër do të jetë i vështirë, e do të kemi reduktime të ashpra të energjisë elektrike”, tha Sinanaj. 

Edhe E vërteta për importin e energjisë nga Serbia – sonte në “Interaktiv” me Agon Sinanajn Arbëri E vërteta për importin e energjisë nga Serbia – sonte në “Interaktiv” me Agon Sinanajn

E sa i përket vendimit të Qeverisë për ta ndaluar tregtimin e energjisë me kompani me origjinë nga Serbia, Sinanaj ka thënë se vendimi ka pak edhe elementin politik. 

“Pse u mor tash vendimi? Ka pak edhe elementin politik, pasi Qeveria e Kosovës dy vjetët e fundit është përballur me sulme nga opozita se po blini energji elektrike nga Serbia. E ka elementit politik, pasi me këtë thotë qe dy vjet keni akuzuar se po tregtojmë energji nga Serbia e tash qe po e ndalojmë këtë”, tha Sinanaj.