Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mustafa: Qeveria të tregojë cilat kompani serbe kanë tregtuar energji me Kosovën

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa

Foto: Driton Paçarada

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës sqarime lidhur me vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, duke ngritur pikëpyetje për efektet reale të kësaj mase, kompanitë që do të preken dhe vlerën e energjisë së tregtuar deri më tani.

Ai ka thënë se duhet të dihet nëse masa e Qeverisë e ndalon realisht importin e energjisë së prodhuar në Serbi apo vetëm tregtimin me kompanitë serbe, duke theksuar se mbetet e paqartë nëse kompani nga vende të tjera mund të sjellin energji elektrike të prodhuar në Serbi në Kosovë.

“Dhe këtu janë dy pyetje të rëndësishme që duhet të shtrohen. E para është kjo masë a e ndalon me të vërtetë importin e energjisë nga Serbia apo jo? Për shkak se masa flet për ndalimin e tregtimit me kompani serbe, po do të thotë kjo që mund të ketë kompani jo serbe të cilat mund ta sjellin energjinë e Serbisë në Kosovë? Kjo është pyetje që kërkon përgjigje nga Qeveria. Dhe tjetra është që duhet ta dimë se cilat paskan qenë ato kompani serbe që paskan furnizuar Kosovën me energji deri më tani. Për shkak se nëse ndalon diçka duhet parë se çka po ndalohet. Dhe ne sot duhet ta dimë se cilave kompani që paskan qenë duke operuar deri tani në Kosovë po i ndalet operimi apo bashkëpunimi me to, dhe po ashtu sa ka qenë vlera e energjisë që është tregtuar deri më tani me këto kompani serbe të cilave tani po ju ndalojka operimi në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Deputeti i PDK-së ka kërkuar gjithashtu të bëhet e ditur se sa do të jetë ndikimi real i këtij vendimi ndaj Serbisë dhe nëse masa do të ketë karakter ndëshkues për shkak të bllokimit të kapaciteteve ndërkufitare me Kosovën.

“A ka ky vendim efekt real dhe a ka sa do të jetë ndëshkues kjo për Serbinë? Për shkak se nuk ka kuptim nëse paraqitet një masë si masë ndëshkuese për Serbinë, e në realitet nuk e ndëshkon. Pra ne duhet ta dimë sa me të vërtetë do të ndëshkohet Serbia për bllokimin e kapaciteteve ndërkufitare me Kosovën. Përndryshe, ne pajtohemi që duhet të ketë reciprocitet për shkak se Serbia ka bllokuar kapacitetet ndërkufitare me Kosovën dhe me këtë i ka shkaktuar kosto të mëdha Kosovës dhe qytetarëve të saj të cilat në fund janë pasqyruar në faturat e energjisë elektrike”, potencoi ai.

Deputeti nga Gjilani ka kritikuar Qeverinë për vonesën në reagimin ndaj bllokadës së Serbisë e cila sipas tij është në fuqi që nga viti 2020.

 “Hera e fundit është kur Komuniteti i Energjisë i ka dhënë afat deri në korrik të këtij viti Serbisë që t’i lirojë këto kapacitete, mirëpo masat e qeverisë së Kosovës nuk janë marrë edhe pesë muaj pas kalimit të këtij afati. Pra, duhet të kemi një qartësi më të madhe se pse Republika e Kosovës ja lejoi Serbisë t’ia imponojë këtë bllokadë Kosovës pa një përgjigje reciproke të Republikës së Kosovës ndaj Serbisë. Pse nuk u ndalua tregtimi me kompani serbe që nga viti 2020, por u lejua gjithë kjo periudhë, gjithë ky import i energjisë elektrike dhe me shuma të mëdha nga Serbia pa ndonjë masë reaguese ndaj vetë Serbisë?”, theksoi ai.

Sipas Mustafës, në rast se nuk do të ekzistonte kjo bllokadë, Kosova do të kishte mundësi të blinte energji në një treg më konkurrues dhe potencialisht me kosto më të ulët.

Deputeti i PDK-së ka përsëritur se Qeveria duhet të sqarojë nëse vendimi i saj mund të anashkalohet përmes kompanive të vendeve të tjera, duke përmendur si shembuj kompanitë greke dhe shqiptare.

“Ne nuk e dimë sa kompanive serbe paska me ju ndal tregtimi në Kosovë dhe sa ka qenë vlera e këtij tregtimi të cilin po e ndalka ky vendim i qeverisë. Dhe tjetra pyetje është: a do të ketë ende mundësi Serbia t’i shesë rrymë, energji elektrike Kosovës përmes kompanive jo serbe? Për shkak se vendimi flet në mënyrë specifike për kompani serbe. Pra a mundet një kompani greke, a mundet një kompani shqiptare t’i shesë Kosovës energji elektrike të prodhuar në Serbi? Këto janë pyetje që ende nuk kemi marrë përgjigje, por do të insistojmë në vazhdimësi që të sigurojmë përgjigjet për këto pyetje të rëndësishme për këtë temë”.

Në lidhje me gjendjen energjetike në vend, Mustafa ka vlerësuar se Kosova po përballet me një krizë të thellë të cilën sipas tij tashmë po e pranon edhe vetë Qeveria përmes paraqitjes së masave emergjente.

Mustafa ka ngritur shqetësimin edhe për mungesën e kapaciteteve vendore të prodhimit, duke theksuar se Kosova po hyn në dimër pa njërën nga njësitë e rëndësishme të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), bllokun B1.

Sipas tij, kjo njësi prodhon përafërsisht një të tretën e kapacitetit të përgjithshëm të KEK-ut, ndërsa kthimi i saj në prodhim, i paraparë për 9 dhjetor, nuk pritet të ndodhë në këtë datë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndalimin e plotë të tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet me origjinë nga Serbia në mbledhjen e mbajtur më 16 nëntor 2026.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, Serbia ka bllokuar linjat ndërkufitare të interkoneksionit që nga dhjetori i vitit 2020 dhe se kjo ka pamundësuar qarkullimin e lirë të energjisë nga shtetet e tjera drejt Kosovës duke shkaktuar kosto të larta financiare dhe duke shkelur edhe obligimin e Komunitetit të Energjisë për lirimin e linjave deri në korrik 2026.