Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Paga të larta me pak trajnim: Punët në qendrat e të dhënave që pak njerëz i njohin

qendra

Nevoja e madhe për punëtorë është aq urgjente, saqë kompanitë e inteligjencës artificiale po i vendosin disa prej të diplomuarve më të mirë në vendet e punës që të nesërmen e marrjes së certifikatave

Dy ditë trajnimi përfundojnë me një ceremoni të ndarjes së diplomave. Kompanitë që mezi presin të punësojnë të diplomuarit e rinj, vijnë të gatshme për t’u ofruar vende pune me paga që mund të kalojnë 100 mijë dollarë në vit.

Mirë se vini në ekonominë e qendrave të të dhënave.

Në garën për të ndërtuar infrastrukturën e inteligjencës artificiale në Amerikë, kompanitë e teknologjisë po përballen me vështirësi për të gjetur teknikë me aftësitë e duhura për të instaluar sistemet e ftohjes, raftet e serverëve, pajisjet elektrike dhe kabllot me fibra optike, të nevojshme për t’iu përgjigjur kërkesës jashtëzakonisht të lartë për këtë teknologji revolucionare.

Edhe pse qëndrimet politike ndaj inteligjencës artificiale kanë ndryshuar, veçanërisht pas zgjedhjeve të fundit të mesmandatit, mungesa e fuqisë punëtore për ndërtimin e qendrave të të dhënave, projektet e të cilave vazhdojnë, pothuajse me siguri do të kishte ndikim më të madh sesa çdo ngadalësim i mundshëm i ndërtimeve.

Prandaj, industria po bën përpjekje të jashtëzakonshme për të trajnuar dhe punësuar njerëz që të plotësojë këto vende pune thelbësore. Disa organizata jofitimprurëse, kompani të mësimit online dhe të katër gjigantët e mëdhenj të inteligjencës artificiale – Amazon, Google, Meta dhe Microsoft, ofrojnë forma të ndryshme kursesh falas dhe të përshpejtuara për aftësitë teknike të nevojshme për ndërtimin e qendrave të të dhënave.

Disa nga këto pozita mund të paguhen me paga gjashtëshifrore në vit. E megjithatë, shumë amerikanë as që e dinë se këto vende pune ekzistojnë.

Diplomimi të premten, orientimi të hënën

Javonntae Hill kishte studiuar dizajnimin e video-lojërave. Ai ishte në fillim të të tridhjetave dhe po kërkonte një punë, por nuk e dinte saktësisht nga t’ia niste.

E dashura e tij pa një reklamë për Akademinë e Fuqisë Punëtore të Amerikës (America’s Workforce Academy), një program i ri trajnimi që Meta e nisi në gusht për të ndihmuar në plotësimin e mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar. Kompania ishte e gatshme ta paguante gjatë katër javëve të trajnimit dhe i garantonte një vend pune në një qendër të të dhënave pasi të merrte diplomën.

Hill mendoi se ia vlente ta provonte. Gjatë një muaji, në një klasë me 30 persona, ai ndoqi një kombinim ligjëratash dhe ushtrimesh praktike, duke mësuar se si vendosen dhe shtrihen kabllot me fibra optike dhe ato prej bakri, si dhe çfarë tregojnë ngjyrat e izolimit të secilit kabllo.

Ai ishte nervoz. Shpresonte se do të arrinte t’i mbante mend të gjitha ato informacione për vendin e ri të punës.

“U diplomova të premten”, tha Hill. “Të hënën fillova orientimin”, shtoi. 

Hill përfundoi programin e Metës për teknikë të fibrave optike, në bashkëpunim me kompaninë CBRE Group. Meta bashkëpunoi gjithashtu me Associated Builders and Contractors (ABC), një grup tregtar i industrisë së ndërtimit që prej dekadash merret me trajnimin e punëtorëve.

Ndryshe nga metodat tradicionale të trajnimit, përfshirë shkollat profesionale apo praktikat e punës, kurset e përshpejtuara të ABC-së nuk synojnë të ofrojnë një përgatitje gjithëpërfshirëse. Qëllimi i tyre është të fusin në punë sa më shumë njerëz në qendrat e të dhënave.

“Është si ushtria”, tha Joel Thames, drejtues i grupit të ABC-së për sigurinë dhe fuqinë punëtore. “A i përgatit trajnimi bazë ushtarak për çdo situatë të mundshme? Jo. Por u jep një bazë njohurish përpara se të kalojnë kohë në vendin e punës”.

Hill tha se shqetësimet e tij ishin të pabazuara: ai mbërriti në kantierin e punës në Ohajo më i përgatitur sesa duhej. Dhe mirënjohës.

“Këtë punë mund ta bëj gjatë gjithë jetës”, tha Hill. “Kam parë njoftime për vende të tjera pune, por ndiej shumë besnikëri ndaj Metës”, shtoi. 

Problemi

Pavarësisht kundërshtimit në rritje të publikut dhe një vale ligjvënësish të rinj që premtojnë të rregullojnë zgjerimin e tyre, ndërtimi i qendrave të të dhënave duket praktikisht i pandalshëm.

Sipas ekonomistit të Shkollës së Biznesit të Universitetit Columbia, Stijn Van Nieuwerburgh, shpenzimet për infrastrukturën e inteligjencës artificiale pritet t’i afrohen një trilion dollarëve në vit, çdo vit, për të ardhmen e parashikueshme.

Megjithatë, ndërtimi përballet me shumë pengesa logjistike, përfshirë lejet e ndërtimit, garancitë për furnizim me energji elektrike, materialet dhe financimin. Edhe kompanitë e inteligjencës artificiale me burimet më të mëdha financiare, të cilat arrijnë t’i kapërcejnë këto pengesa, po hasin vazhdimisht në një problem: SHBA-ja ka shumë pak njerëz të kualifikuar për të ndërtuar qendra të të dhënave, veçanërisht në disa prej zonave të largëta ose rurale ku po ndërtohen ato.

Sipas vlerësimeve të PwC-së (rrjet global i firmave të shërbimeve profesionale) Shteteve të Bashkuara u mungojnë një milion inxhinierë për të përmbushur nevojat e parashikuara për ndërtimin e qendrave të të dhënave. Shumë projekte që përndryshe janë gati për të nisur janë shtyrë për muaj të tërë, ndërsa kompanitë përpiqen të mbledhin ekipe të kualifikuara për ndërtimin e tyre.

Sipas Goldman Sachs, vetëm rreth gjysma e kapacitetit kompjuterik të inteligjencës artificiale që pritet të vihet në funksion nga tani deri në vitin 2028, parashikohet të përfundojë sipas afateve të përcaktuara.

Kjo pritje kushton shtrenjtë: për qendrat e mëdha të të dhënave të inteligjencës artificiale, një muaj vonesë mund të kushtojë nga dhjetëra miliona dollarë deri në shumë më tepër se 100 milionë dollarë, në varësi të vendndodhjes, madhësisë dhe kushteve të kontratës, tha Mona Dajani, bashkëdrejtuese e praktikës për infrastrukturën, energjinë dhe pasuritë e paluajtshme në firmën ligjore Cooley.

Për këtë arsye, kompanitë e inteligjencës artificiale po përpiqen ta zgjidhin problemin duke hequr dorë nga kërkesat për përfundimin e programeve shumëvjeçare në shkolla profesionale ose të praktikave të punës, në favor të kurseve intensive dhe të përshpejtuara, të krijuara posaçërisht për punët që lidhen me ndërtimin e qendrave të të dhënave.

Shumë prej tyre i ofrojnë këto kurse falas. Një numër gjithnjë e më i madh i kompanive madje u paguajnë pjesëmarrësve për kohën që kalojnë në trajnim. Në varësi të llojit të punës, kurset mund të zgjasin nga 15 javë deri në vetëm dy ditë.

Nevoja e madhe për punëtorë është aq urgjente, saqë kompanitë e inteligjencës artificiale po i vendosin disa prej të diplomuarve më të mirë në vendet e punës që të nesërmen e marrjes së certifikatave.

“Nuk kisha asgjë për të humbur”

Robert Burgess kishte punuar nëpër kantiere të ndryshme ndërtimi në Kanton të Misisipit dhe përreth tij. Ai dinte të kryente disa punë elektrike me tension të ulët dhe kishte dëgjuar se mund të fitonte shumë më tepër para duke prerë dhe bashkuar fibra optike për një kompani telekomunikacioni ose në një kantier të qendrave të të dhënave.

Burgess kërkoi në Google “trajnime për fibra optike të internetit në Misisipi” dhe gjeti një program katërjavor të Amazonit, të quajtur I2PA (Information Infrastructure Pre-Apprenticeship), në një kolegj lokal të komunitetit.

“Nuk kisha asgjë për të humbur”, tha Burgess. “E dhashë adresën time të emailit dhe u pranova”.

Gjatë trajnimit, Burgess mësoi se si prodhohet dhe shpërndahet energjia elektrike, si instalohen serverët dhe si integrohen ata në një qendër të të dhënave. Trajnerët e Amazonit ngritën një qendër të simuluar të të dhënave, në mënyrë që Burgess dhe pjesëmarrësit e tjerë të mund të ushtronin aftësitë e tyre në praktikë.

Në fund u organizua një panair punësimi. Burgess u punësua nga Yates Construction dhe Turner Construction, të cilat po bashkëpunonin në fazën përfundimtare të ndërtimit të një qendre të të dhënave në atë zonë.

Kjo ndodhi në vitin 2024. Sot, ai është ndihmës mbikëqyrës, përgjegjës për mbikëqyrjen e një tjetër kantieri të ndërtimit të një qendre të të dhënave, një mundësi për të cilën as që kishte ditur se ekzistonte.

“Pa kaluar nëpër atë program, nuk do të kisha arritur kurrë deri këtu”, tha Burgess.

Rruga e karrierës së Burgessit nxjerr në pah pengesën më të madhe në kapërcimin e mungesës së punëtorëve me aftësitë e duhura: mungesën e informacionit se ekzistojnë vende të tilla pune me paga të larta.

“Njerëzit bëhen operatorë të pirunëve ngritës sepse e dinë se çfarë është kjo punë”, tha Roger Wehner, nënkryetar i Amazonit për zhvillimin ekonomik. “Por ka vende pune me kërkesë jashtëzakonisht të lartë, për të cilat njerëzit thjesht nuk kanë dijeni.”

Nuk është shkollë profesionale

Sipas konceptit të tyre, këto programe intensive nuk synojnë të funksionojnë si shkollat profesionale.

“Ne nuk do t’i zgjidhim problemet e botës me nga 30 nxënës në një klasë”, tha Wehner. “Ne nuk e kopjojmë modelin e kolegjeve të komunitetit. Ne e njohim teknologjinë më të përparuar. Ne sjellim financimin. Kolegjet e komunitetit kanë pedagogët më të mirë.”

Megjithatë, disa kompani trajnimi besojnë se programet e tyre të përshpejtuara kanë përparësi ndaj metodave tradicionale të mësimdhënies në klasë.

Doug Donovan, drejtor ekzekutiv i kompanisë së trajnimeve online Interplay Learning, vuri re se ushtria, industria mjekësore dhe ajo e aviacionit përdorin mjete virtuale dhe të realitetit të shtuar, ndërsa punëtorët e profesioneve teknike nuk i shfrytëzonin ato. Prandaj, Donovan nisi të ndërthurë realitetin e shtuar (AR) dhe realitetin e përzier (MR) me metodat tradicionale të mësimdhënies në kurset e tij.

“U habitëm që profesionet teknike nuk po e shfrytëzonin këtë mundësi”, tha Donovan.

Programe të tjera, përfshirë trajnimin intensiv 15-javor të organizatës jofitimprurëse Per Scholas, përpiqen të zëvendësojnë trajnimin në vendin e punës me ushtrime praktike në klasë.

“Ne hartojmë trajnime gjithëpërfshirëse në bashkëpunim me punëdhënësit, të cilat përpiqen të riprodhojnë sa më shumë që të jetë e mundur mjediset ku njerëzit do të punojnë”, tha Caitlyn Brazill, presidente e Per Scholas.

Kjo qasje praktike e ndihmoi Janay Ramsey, një ish-parukiere nga Ridgecrest i Kalifornisë, e cila tani punon si teknike në një qendër të të dhënave të Google, jashtë Atlantës.

Kursi 15-javor i Per Scholas ishte intensiv, tha Ramsey.

“Aty nuk ta bëjnë punën të duket më e lehtë sesa është në të vërtetë”, kujtoi ajo. “Bën detyra me shkrim dhe trajnime, ushtrime praktike në laborator dhe mëson si anën fizike, ashtu edhe atë teknike të punës”.

Pavarësisht orarit të plotë, nga ora nëntë e mëngjesit deri në pesë pasdite, si dhe detyrave të shtëpisë, Ramsey tha se gjatë kohës që studionte vazhdoi të pranonte kliente për shërbime parukerie, në mënyrë që të paguante faturat. Kurset e Per Scholas ishin falas, por ajo nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për të siguruar të ardhura.

Të punosh ndërkohë që studion nuk është e këshillueshme, thotë Brazill, por rreth një e katërta e pjesëmarrësve të programit të saj punojnë gjatë natës dhe fundjavave për të përballuar shpenzimet gjatë trajnimit.

Organizata u ofron pjesëmarrësve këshillim financiar falas dhe kredi pa interes prej 3 mijë dollarësh, të financuara nga një investim prej 100 milionë dollarësh i Google.

Jo të gjitha trajnimet janë kaq të gjata ose intensive. Amazon ofron trajnime dyditore për punëtorët që bashkojnë fibrat optike, një pozicion që kompania e ka më të vështirin për ta plotësuar, tha Wehner.

Puna me fibra optike kërkon bashkimin e mijëra fijeve të holla të një kablloje me një pjesë tjetër të kabllos, duke gjetur përputhjen për secilën fije. Secila prej tyre duhet të pastrohet dhe të shkrihet, nga 12 fije njëherësh, të testohet, të izolohet sërish dhe të vendoset në mënyrë të saktë dhe të sigurt.

Në vetvete, kjo nuk është një punë e vështirë, por kërkon saktësi dhe përsëritje të vazhdueshme, ndaj nevojiten punëtorë me një prirje të veçantë mendore.

Megjithatë, pas vetëm dy ditësh, pjesëmarrësit janë gati të fillojnë punën. Të diplomuarit që i kryejnë ushtrimet praktike në mënyrë të përsosur punësohen menjëherë në pozitat më të paguara: në qendrat e të dhënave, ku punëtorët fillestarë fitojnë deri në 32 dollarë në orë, plus pagesa të konsiderueshme për orët jashtë orarit, duke arritur të ardhura vjetore rreth 100 mijë dollarë.

“Ne sjellim ekspertizën teknike, njerëzit përfitojnë vende pune më të mira”, tha Wehner. “Kjo është ëndrra”.