Në 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit ende kemi telashe me ë-në. Në linguistikë Ë-ja është schwa, tingulli kojshi me asgjënë. Në artin kosovar është simbol i shkrimit shqip. Në praktikë është njëfarë telasheje për ata/ato që shkruajnë. E faji nuk është i saji
“Turp per qeverin! Qudi, femijet tane nuk dine te lexojin 😠😡!”
Një prind i brengosur i kishte parë rezultatet e PISA-s kur dolën në shtator dhe kishte vendosur të reagonte në rrjetet sociale. “Qeverin” dhe “lexojin” të tij do të kisha pasur qejf t’i quaja margaritarë, por po të ishin margaritarë vërtet, Kosova do të bëhej shteti më i pasur në botë dhe më nuk do të kishim gajle a jemi të dijshëm apo jo. Kaq të shpeshtë janë shembujt si këta në shkrimet publike. Teksti i prindit nuk kishte asnjë ë dhe ç-ja e ngratë ka nisur të zëvendësohet herë me c e më shpesh me q. Ankesa për analfabetizmin ishte shkruar analfabetisht.
Kjo ç dhe kjo ë janë muhabet i vjetër, i para 118 vjetësh në Manastir, atëherë kryeqytet i Vilajetit të Manastirit në Shqipërinë nën Perandorinë Osmane. Shqiptarët dhe shqiptaret kishin luajtur një rol politik në krijimin e Qeverisë Xhonturke më 1908 dhe po e kërkonin hisen e tyre tani. Prova e parë ishte përmes kërkesës për alfabet. Ishin tri alfabete që konkurronin. Alfabeti i Stambollit i vitit 1879 kishte parimin një tingull – një shkronjë, por për tingujt që nuk përputheshin me ata të latinishtes ofronte shkronja greke ose të shpikura. Ishte alfabet prestigji, i trashëgimisë së frashërllinjve dhe i shkrimeve shqipe të Rilindjes Kombëtare. Alfabeti i dytë ishte i shoqërisë Agimi, kryesuar nga Ndre Mjeda që synonte që këta tinguj t’i shënonte me shenja diakritike, sipas modelit kroat. Në këtë model ç-ja do të shënohej me haçek – č. I treti ishte alfabeti i shoqërisë Bashkimi të abatit të Oroshit, Preng Doçi që propozonte dyshkronjësha për disa tinguj dhe që ishte më praktik për shtypshkronjat e kohës.
Kongresi me kryetar Mithat Frashërin caktoi një komision prej 11 vetash, të kryesuar nga Gjergj Fishta. Atë Fishta kishte thënë se askush nuk duhet të mbronte alfabetin e shoqatës së tij, por atë të kombit. Një hoxhë ishte mahnitur dhe ishte ngritur këmbë për ta përqafuar. Një hoxhë e një frat po përqafoheshin në kongresin që kishte bërë bashkë tri fetë. Sekretare e Kongresit ishte një grua, mësuesja Parashqevi Qiriazi.
Ndryshe nga sa shkruajnë mediumet rëndom, në atë Kongres nuk u mor vendim për një alfabet. Komisioni pranoi dy alfabete që do të garonin mes vete në kohë: alfabetin e Stambollit, prestigjiozin, dhe një alfabet të ri latin, të ndërtuar mbi logjikën e Bashkimit, me dyshkronjëshat dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh si dhe dy shkronja me shenja diakritike: ë dhe ç.
Vendimi për alfabetin nuk u mor asnjëherë në Manastir. Vendimin e mori praktika. Në fakt, e mori makina.
Alfabeti me dyshkronjësha latine brenda pak kohësh e mbyti alfabetin e Stambollit, jo me argumente, por me kufizimet teknologjike. Ky alfabet mund të shtypej më lehtë në tipografitë e Vjenës, të Sofjes, të Bukureshtit e të Selanikut. Teknologjia e vitit 1908 na i zgjodhi germat e alfabetit. Dy shkronjat e vetme të posaçme që Kongresi i mbrojti si minimum i panegocueshëm janë ë-ja dhe ç-ja; dy germat që po na i ha tani teknologjia e shekullit XXI.
Më pak se një vit më pas, në Kongresin e Dibrës, xhonturqit u përpoqën t’i impononin shkronjat arabe. Delegatët, shumica myslimanë, nuk pranuan. Ec e bjeri në fije si do ta shkruanim ë-në me elifbanë.
Sakaq Ë-ja është shndërruar në simbol të shqiptarisë. Veprat artistike të Xhevdet Xhafës në Galerinë Kombëtare e shprehin qartë. Për mua, linguistin, ë-ja është një schwa, shënjues i një tingulli afër asgjësë. Te Jehona Kicaj, shkrimtarja, është shkronja më e dallueshme e shqipes që shpesh nuk shqiptohet, që shënjon diçka që nuk është e pranishme. Vërtet, në të folmet e Kosovës nuk ekziston si fonemë. Aty ku përdoret është variant i e-së. Kicaj thotë, pak a shumë, se vjen nga mungesa e fjalëve. Pra, për të ë-ja është shqipja që e kemi e që i ka humbur zëri. Ajo desh fitoi Çmimin Gjerman të Librit 2025, ndërsa mori çmimin HANNA në Hanover. Ë-ja fiton çmime në botë. Ne e gjuajmë në pension. Zgjohemi një ditë prej ditësh dhe kemi alfabet me 36 shkronja dhe gjuhë digjitale me 34 sosh. Kështu e kemi zgjidhur problemin e alfabetit. Nuk kemi pse t’i heqim ë-në e ç-në. Veç nuk i përdorim.
Para Kongresit të Manastirit shqipja është shkruar me alfabetin latin, me alfabetin grek, me alfabetin arab e, pak, edhe me atë cirilik, varësisht nga ndikimet dhe shkollat e atyre që shkruanin. Shqipja është shkruar edhe në tetë alfabete origjinale, të shpikura nga vetë autorët, ndër të cilët ai i Todhrit ka pasur një shtrirje prej më se një shekulli e gjysmë.
Krejt kjo është çështje historie dhe na flet për të shkuarën. Testi i PISA-s na përkujton të ardhmen.
Testi PISA nuk mat ë-të e ç-të. Mat, krahas dijes për matematikë dhe shkenca të natyrës, aftësinë për të kuptuar, interpretuar, vlerësuar dhe përdorur tekste të shkruara. Aty Kosova ka dalë sërish më keq se të gjitha vendet e rajonit dhe, madje, ka pasur rënie të vocërr (-2). Rënie, ç’është e vërteta, kanë pasur edhe të tjerët: Serbia (-25 në lexim), Kroacia (-22), Bullgaria (-17), ndërsa Shqipëria ka pasur rritje, por me pikëpyetje, sepse PISA ka vendosur kufizim të posaçëm në raportim për mostër jo të duhur. Kosova s’kishte as ku të shkonte më poshtë. Në fakt, duket se gjithnjë kemi qenë aty diku.
Mbaj mend njëherë, kur, pak pas luftës, pati ardhur Rexhep Meidani, ish-presidenti dhe fizikanti, për të mbajtur një fjalim në Universitetin e Prishtinës. Pas një sërë frazash jo doemos koherente, fjalimi dikur, pak para se sallën ta zinte gjumi, përfundoi. Kolegu im që ishte afër meje më shikoi me seriozitet: “Kush e kupton, ky ishte një fjalim shumë i fortë!”
“Unë nuk e kuptova, përzo’. A më tregon se çka tha?”
“Ngom. Shumë i mirë ke… Kush e kupton.”
I njëjti dost më shkroi mesazh në telefon para disa ditësh, shumë e shumë vjet pas vizitës së Rexhep Meidanit.
“Qka po ben? A po dalim me pi kafe?”
Prindi që shkruante analfabetisht kishte të drejtë. Kemi arritur të jemi analfabetë e analfabete edhe kur i kemi mësuar të gjitha shkronjat, plus minus një a dy. 💪
Më 1908, luftonim për shkronjat. Më 2026, luftojmë për lexueset e tyre. Me ç e me ë.
Me fjalë të tjera: A bash cdo shkronjw duhet ta shwnojmw kwtw herw?
(Ja edhe do ë-ja e do ç-ja! Bëjuani vendin! ËËËËËËÇÇÇÇÇ)