Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Kosova në Raportin Final të Vermahtit më 1945

Kohë e lirë, gjermanët në Kosovë

Kohë e lirë, gjermanët në Kosovë

Nuk dihet se cili është autori i këtij materiali prej 50 faqesh, hartuar fill pas ikjes nga Shqipëria por ekziston mundësia që shkruesi të ketë qenë pjesë e të ashtuquajturit Grupi Administrativ i Vermahtit, i ngarkuar me detyra të ndryshme administrative dhe teknike gjatë kohës së pushtimit në hapësirën shqiptare. Nëpër rreshta shihet një lloj paragjykimi dhe ka pasaktësi të ndryshme, por disa herë edhe gjëra që duhen matur me kujdes prej gjuhës së përdorur, sepse janë nga ato shqetësime që ngrihen vazhdimisht. Ka përshkrime edhe për serbët në Kosovë, për mbiprodhimin për interesat e gjermanëve për mineralet e për paaftësinë e autoriteteve të qeverisë shqiptare ku “edhe në kohë paqeje zyrtarët ishin të korruptuar, dembelë dhe të paaftë”

Raporti, titulluar “Abschlußbericht der Deutschen Wehrmacht in Albanien“ (“Raporti përfundimtar i Vermahtit gjerman në Shqipëri”) dhe i hartuar në vitin 1945, u sekuestrua nga trupat amerikane në Gjermani në zgrip të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Ashtu siç merret me mend, Kosova dhe personazhet e lidhur me të janë të paraqitura në këtë dokument të integruar me pjesën tjetër të Shqipërisë. Para se të bëjmë një panoramë të tekstit, po tregojmë origjinën e këtij dokumenti. 

Pasi u mikrofilmua nga ushtria amerikane (në Alexandria, Virginia), dokumentet origjinale iu kthyen Arkivave Federale Gjermane (Bundesarchiv). Dokumenti ishte pjesë e koleksionit “Captured German Records (Record Group 242)” dhe gjendej\t në Arkivat Kombëtare të SHBA-së (NARA), të cilat aktualisht ruhen në degën e College Park, Maryland (pranë Uashingtonit). Më detajisht gjendet në serinë e mikrofilmave T501 [(Records of German Field Commands: Rear Areas, Occupied Territories and Others, bobina (roll) 258]. Nuk dihet se cili është autori i këtij materiali prej 50 faqesh, hartuar fill pas ikjes nga Shqipëria (ndoshta në shkurt 1945 pak para kapitullimit), por ekziston mundësia që shkruesi të ketë qenë pjesë e të ashtuquajturit Grupi Administrativ i Vermahtit, i ngarkuar me detyra të ndryshme administrative dhe teknike gjatë kohës së pushtimit në hapësirën shqiptare. Do të ishte interesant ta njihnim si emër por edhe të dinim metodologjinë e tij të kërkimit dhe mbledhjes së informacionit, përveç asaj që gjykojmë nga leximi, i cili e përshkruan Shqipërinë në disa rrafshe gjatë viteve 1943 – 1944. Nëpër rreshta shihet një lloj paragjykimi dhe ka pasaktësi të ndryshme, por disa herë edhe gjëra që duhen matur me kujdes prej gjuhës së përdorur, sepse janë nga ato shqetësime që ngrihen vazhdimisht.

Momentet e para të organizimit të divizionit “Skanderbeg”

Gjendja administrative e Shqipërisë dhe autoriteti gjerman

Menjëherë pas pushtimit të ish-Jugosllavisë (prill, 1941), një pjesë e viseve shqiptare të Kosovës, Maqedonisë së sotme të Veriut dhe Malit të Zi, iu bashkuan Shqipërisë. Kjo nënkuptonte se këtej e tutje edhe ndarja territoriale ishte e organizuar me modelin administrativ shqiptar, ku prefekturave aktuale i bashkëngjiteshin edhe prefekturat e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Dibrës. Këtu bënte përjashtim Ulqini që iu bashkua Shkodrës. Kosova kishte një strukturë pushteti që mund të quhet e dubluar, pasi atributet civile ishin nën autoritetin e Tiranës, kurse siguria dhe mbrojtja varej nga trupat e huaja (italiane dhe pastaj gjermane). Për këtë arsye, u krijua Ministria e “Tokave të Liruara”, e cila drejtohej nga Tahir Shtylla (1) kurse, pas tij, erdhi Iljaz Agushi (2). 

Tahir Shtylla, ministër u parë i “Tokave të Lirueme” 

Detyra dhe angazhimi i kësaj ministrie ishte që hapësira të përfshihej në sistemin ligjor, financiar dhe arsimor të Shqipërisë. E kësaj kohe, është nisma e Ministrisë së Arsimit, asokohe drejtuar nga Ernest Koliqi, i cili me iniciativën e tij personale përcolli një grup të madh mësuesish nga Shqipëria dhe ndihu hapjen e shkollave shqipe. Për ta bërë ekonominë më të integruar u përdor ngado: Frangu Shqiptar. Duhet të kihet parasysh se: Veriu i Kosovës nuk bënte pjesë në këtë strukturë, pasi Mitrovica, Podujeva dhe Vushtrria ishin nën pushtimin e drejtpërdrejt gjerman për shkak të rëndësisë strategjike të minierave të Trepçës. Bullgaria mbante të pushtuar në Lindje: Kaçanikun dhe Gjilanin. Autoriteti gjerman jo vetëm e ruajti këtë konfigurim, por i bashkoi edhe Mitrovicën. Ndërkohë që administrata, gjykatat dhe policia (xhandarmëria) drejtoheshin nga shqiptarët, Komanda e Vehrmahtit ruante autoritetin ushtarak, siguronte akset rrugore dhe merrej me shfrytëzimin e pasurive minerare (veçanërisht në Trepçë). Disa figura qytetarësh kosovarë do të lenë gjurmë nën qeverinë e Regjencës në Tiranë, ku posti më i lartë i takoi Rexhep Mitrovicës, i cili u bë Kryeministër i Shqipërisë; ndërsa Xhafer Deva mori postin e Ministrit të Brendshëm, duke pasur kontroll të drejtpërdrejt mbi rendin dhe administratën në Kosovë; kurse Adem Boletini, i biri i Isa Boletinit me gradën e nënkolonelit, do ishte Komandant i Xhandarmërisë në Shkodër në vitin 1943, kohë edhe kur u ekzekutua. Kurse Tafil Boletini (i nipi i Isa Boletinit) mbajti poste të rëndësishme administrative në Shqipëri gjatë viteve 1922–1944, duke shërbyer si kryetar komunash në Kukës, Konispol, Peqin, Lushnjë, Fier, Korçë, Elbasan e Vlorë, si dhe ishte Prefekt i Tetovës. Gjermanët ndihën që në shtator 1943 të themelohej Lidhja e Dytë e Prizrenit (e drejtuar fillimisht nga Rexhep Mitrovica dhe më pas nga Bedri Pejani). Ky organizëm ishte një lloj autoriteti politik dhe ushtarak vendas për të mbrojtur kufijtë etnikë nga forcat çetnike serbe dhe partizanët jugosllavë. 

Iljaz Agushi, ministër tjetër i “Tokave të Lirueme” 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, politika gjermane në Shqipëri (shtator 1943 – nëntor 1944) u bazua në pragmatizmin ushtarak dhe mëtonte njohjen formale të pavarësisë dhe neutralitetit të vendit. Ndryshe nga Italia fashiste që synoi aneksimin e Shqipërisë, Gjermania naziste e pa vendin kryesisht si një korridor strategjik për të mbrojtur krahun e saj ballkanik dhe për të siguruar tërheqjen e trupave nga Greqia. Ata mbajtën konfigurimin e “Shqipërisë Etnike” si italianët dhe bashkimin administrativ të Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare me Shqipërinë. Kjo politikë nënkuptonte të kishte besimin e shqiptarëve dhe të rekrutonte forca vullnetare (si divizioni SS “Skanderbeg”) kundër lëvizjeve komuniste në rajon. Të mos teprohet, sepse edhe pse formalisht e njohën Shqipërinë si neutrale, gjermanët detyruan qeverinë shqiptare të financojë shpenzimet e ushtrisë gjermane në vend. Gjithashtu, ata shfrytëzuan burimet natyrore, veçanërisht minierat e kromit, të cilat ishin jetike për industrinë e luftës të Rajhut. Me kursiv do të lihet përshkrimi i dokumentit origjinal.

Rekrutimi në divizionin “Skanderbeg”

Dokumenti gjerman

“Administrata italiane e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore u rrëzua në shtator të vitit 1943. Njësitë e Vermahtit gjerman zunë menjëherë vendin për të parandaluar një zbarkim të Forcave Aleate. Në Shqipëri s’kishte një administratë ushtarake aktuale gjermane. Zyrtarët e administratës ushtarake, të cilët punonin në Shqipëri, kishin detyra shumë më ndryshe nga ata të cilët punonin në Francë, Belgjikë apo Serbi”. Sa i përket Komandës territoriale: Në tetor 1943, mbërritën tre komandat territoriale (FC), Nos 1030, 1039 dhe 1040 nga Gjermania për të ekzekutuar autoritetin e tyre territorial sipas DGA, (3) në afat të mesëm ndaj stafit të shtabeve të përgjithshme në Tiranë, Prizren dhe Strugë. Kështu, Prizren FC administronte rajonin e Kosovës; Tirana FC kryesisht ishte e angazhuar për rajonin bregdetar të Shqipërisë së Vjetër, nga Vlora deri në kufirin malazez, duke përfshirë këtu edhe rajonin e Elbasanit (Shqipëria e Sotme); Struga FC ishte e ngarkuar për pjesën lindore të Shqipërisë, deri në kufi me Bullgarinë... Për rajonin Jugor u krijua një komandë e katërt territoriale, e formuar nga këto tre ekzistueset. Shtabi i përgjithshëm duhej të vendosej në Korçë. Subjekti u ngrit, por kurrë nuk u aktivizua në aspektin praktik, si pasojë e ngjarjeve të Vjeshtës...Në fillim të vitit 1944, DGA riktheu përsëri Administratën Ushtarake në Shqipëri. Ishin vetëm dy oficerë të niveleve të larta: Dr Westphal i lidhur me DGA dhe Schulze-Waltrup që punonte me Komandën Territoriale të Tiranës. Më pas, Heimer u atashua në Komandën Territoriale të Prizrenit dhe Von Carlowitz të Komandës në Strugë. Detyra që kishin ishte fillimisht për të vëzhguar situatën dhe nëse vihej re ndonjë mundësi e rënies së shtetit shqiptar, të vendosej menjëherë një organizatë zëvendësuese duke punësuar njerëz me përvojë lokale”. 

Në fillim të Tetorit 1944, SA-Oberführer Karl Gstöttenbauer (4). Pak më vonë bashkë me “Gruppenführer Fitzthum (5) dhe me ambasadorin Gjerman, komanda territoriale e gjitha u transferua në Komandën e përgjithshme të korpusit të 21 të Forcave Alpine. “Grupi Administrativ humbi varësinë e tij organizative, me gjithë shpërbërjen e katër komandave. Si një zgjidhje e përkohshme u vendos që kryetari i DGA dhe kryetari i Komandës Territoriale t’i shtoheshin stafit të Fitzthum. Kryetari i Komandës Territoriale për Prizrenin u vendos në varësi të komandave lokale në vend. Rrethet Administrative të Tiranës dhe Prizrenit mbetën të pandryshuara. Zona e Komandës njëherë dhe Komanda Territoriale në Strugë u zbraz ose u mor nga çetat e armatosura. Për këtë arsye, kryetari i Grupit të Administratës u transferua në Shkodër për të marrë përsipër administrimin e këtij qyteti të rëndësishëm. 

Tiranë, 1944 

Mellin (6) drejtoi Departamentin VII (Abteilung VII) të Korpusit të Forcave 21 Alpine dhe bëri evakuimin e bashkëpunëtorëve të njohur shqiptarë. Ai u emërua kryetar i Divizionit të 7-të të Trupave duke përcaktuar faktin që trupat në fund të fundit do të ishin autoriteti komandues i vetëm. Në kohën kur SS i Lartë dhe Kryetari i Policisë u larguan, Schultz-Waltrupp mori përsipër ID 297, për të siguruar Shqipërinë e Vjetër rreth 40 kilometra në jug të Durrësit, për aq hapësirë sa tashmë nuk ishte zbrazur. Heimer (7) u emërua në Kosovë në Divizionin SS “Skanderbeg”, por që pas kësaj ndarjeje ky divizion u shpërbë kështu që Shqipëria e Re duhej të braktisej; ai nuk e pranoi në të vërtetë këtë post”.

Në rreshtat e mëposhtëm, autori e pranon se vetë gjermanët bënë gabime ngaqë u mbështetën vetëm në kastën e pronarëve të pasur të tokave dhe bejlerëve, duke i neglizhuar forcat dhe rrymat e vërteta të krijuara në vend. E vërteta është se, shkruan duke u justifikuar autori i këtyre rreshtave se: pronarët e tokave ishin armiqtë natyralë të komunistëve, ndaj këta do t’ua shërbejnë menjëherë pas marrjes së pushtetit. 

“Një Qeverisje Shqiptare u themelua të merrte përsipër drejtimin e vendit. Qeveria ishte e ndihmuar nga Këshilli i Regjencës, projektuar si përfaqësuesja e Kryetarit të vendit dhe, nga parlamenti. Qeverisja demokratike u lejua, por më vonë do të vihet re që kjo vetëm e dëmtoi. Nga njëra anë, ishin luftërat konstante ndërmjet ndarjes së tri palëve që rrezikuan zhvillimet paqësore dhe nga ana tjetër, me gjithë presionin e ushtruar gjerman, nuk kishte asnjë autoritet nga ana shqiptare me dëshirën për të ndërmarrë përgjegjësinë e transformimit të çdo kërkese dhe dëshire gjermane në realitet”. 

Vlerësohen disa figura, por identifikohen vetëm pak syresh që “u dalluan nga mesatarja mediokre. Figurat më parësore ishin kryetari i Këshillit të Regjencës, Mehdi Frashëri dhe i biri i tij, Vehbiu. Deri në fund, Frashërllinjtë ditën të lundronin dhe të mbijetonin dhe në kohë me erë dhe, kjo pasi ata përshtateshin aq mirë duke qenë ndër politikanët më të suksesshëm në Shqipëri. Pavarësisht sjelljes së tyre pa të meta ndaj Gjermanisë, ata patën dhe sjellje me qëllime të dyfishta”. Vlerësohen disa nga mbështetësit e politikës gjermane, ku përmenden sipas autorit dy kosovarëve: Ministri Deva dhe Ministri Ago Agai (8). 

Rexhep Mitrovicës  nën qeverinë e Regjencës në Tiranë i takoi posti më lartë. Ai u bë Kryeministër i Shqipërisë 

“Ministri i Ekonomisë, Ago Agai ishte i pa të meta si person, por ishte tepër i indoktrinuar që të realizonte ndonjë punë në realitet. Ndërsa, Ministri i Brendshëm Deva “kishte pushtetin dhe energjinë e nevojshme për të qenë një instrument efektiv në politikat gjermane. Me vetëdijen se çdo qeveri pa pushtetin ekzekutiv nuk ishte qeveri dhe se një dorë e hekurt duhej gjithmonë që punët të bëheshin në Shqipëri, Deva krijoi trupat e veta personale. Këto trupa personale përbëheshin nga kosovarë, të cilët i solli në Tiranë”. Ka një përcaktim tejet të egër për këto forca, lidhur me brutalitetin e tyre por vlerësohet fakti se ata të paktën e morën situatën nën kontroll. “Mbase ishte e pakëshillueshme dhe, e kuptueshme që Administrata Gjermane shpesh të ankohej për sjelljet e këtij grupi të Kosovarëve në fillim të viteve 1944”. Kjo duket se ndikoi edhe tek ai vetë, sepse ai veç kësaj nuk njihej shumë në Shqipërinë e Vjetër. Një pjese të shqiptarëve që e përbuznin rendin dhe qeverisjen, nuk u pëlqenin mënyrat e tij të vrazhda, thuhet në material, që shton se gjatë pranverës dhe verës, kundërshtarët e Devës u rritën në pushtet, por “përpjekjet e Devës që të krijonte një lëvizje miqësore kombëtare në vendlindjen e tij, për interesa gjermane nuk dha asnjë efekt praktik”.

Paaftësia e autoriteteve të qeverisë shqiptare

Po shkruajmë me fjalët e tyre: “Dobësimi i ndikimit të qeverisë shqiptare favorizonte aktivitetin e bandave (lexo: rezistenca antifashiste). Nga shtatori e tutje, qeveria nuk kishte asnjë lloj ndikimi. Po aq e paaftë sa qeveria ishte edhe e gjithë Administrata. Edhe në kohë paqeje zyrtarët ishin të korruptuar, dembelë dhe të paaftë. Me përkeqësimin e situatës u fiksuan edhe më shumë këto karakteristika, aq sa në shtator vetëm 10% e Administratës shkonte në punë“. Më poshtë, vijon edhe vështrimi për Ekzekutivin në Shqipëri, të cilët gjatë kësaj krize u treguan edhe më të paaftë se zyrtarët e Administratës shqiptare. “Të gjitha përpjekjet për të konsoliduar xhandarmërinë shqiptare duhej të pezulloheshin në fund të korrikut pasi projekti ishte bërë i parealizueshëm. (këtu flitet për braktisjen e punëve dhe sesi armët gjermane u shpërdoruan nga policia e asokohshme duke ia dhënë armët partizaneve)”.

Shërbimi i punësimit në Rajhun gjerman 

“Gjendja në Kosovë ishte më ndryshe pasi përfaqësuesi i Komisionerit për Shërbimin e Punësimit ishte aktiv. Sidoqoftë paaftësia e tij për të punuar në mënyrë të saktë me shërbimet e tjera gjermane, e detyroi Grupin Administrues të ndërhynte disa herë për të zbutur situatën. Nuk ekzistojnë informacione për numrin e personave që punonin për Rajhun”. Sa u përket të huajve, evidentohet fakti që në Shqipëri ekzistonin dy grupe të mëdha të huajsh: 1. Serbët e Kosovës, dhe 2. Italianët, pjesa me e madhe e të cilëve ishte e vendosur në Tiranë. 

Xhafer Deva mori postin e Ministrit të Brendshëm

Për serbët në Kosovë

Është pak cinike dhe e ashpër ajo që flitet për serbët dhe marrëdhëniet me shqiptarët, por mbase ka qenë dhe kohë e pamjaftueshme e autorit për ta njohur siç duhet situatën: “Serbët në Kosovë përbënin, ekonomikisht, pjesën më të zhvilluar të popullsisë në Shqipërinë Veriore. Ato zotëronin ndërmarrje të mesme prodhimi: Mullinjtë më ujë, dyqanet e lëkurëpunuesve, punishtet e sharrimit si dhe ndërmarrjet që furnizonin popullatën. Fermerët serbë, që ishin të shumtë në numër, ishin shumë më të avancuar se fermerët primitivë shqiptarë. Ishte kryesisht falë kontributit të tyre ekonomik fakti që rajoni i Kosovës ishte në gjendje të vazhdonte ta ushqente Shqipërinë e Vjetër me mbiprodhimin e saj. Tendenca e përgjithshme e shqiptarëve për t’i parë serbët (që ishin superior nga ana ekonomike dhe që kishin imigruar në vend në vitin 1919) si armiq, ishte në mënyrë konstante burim sherresh. Për Administratën në Kosovë zgjidhja e këtyre sherreve ishte një nga detyrat më të rëndësishme dhe më të vështira. Ndërhyrja e Vermahtit gjerman ishte shpesh e domosdoshme sepse shqiptarët ishin të prirë t’i dëbonin serbët jashtë vendit, jo vetëm për shkak të armiqësisë që ndjenin kundrejt tyre por edhe për të shtënë në dorë pronat serbe”.

Gjendja e përgjithshme dhe shterpësia e ekonomisë shqiptare

Është një nga kapitujt më të vështirë në pasqyrimin tonë, pasi autori bën një vështrim antropologjik tejet të ashpër, por që është mirë të njihet. “Menaxhimi ose keqmenaxhimi i ekonomisë shqiptare mund të shpjegohet vetëm nëse kuptoni sjelljen e shqiptarëve ndaj aktiviteteve tregtare. Shqiptari i thjeshtë i kësaj kohe jetonte në kurriz të të tjerëve. Që pas Shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria funksiononte, në pjesën më të madhe të saj, vetëm me ndihmat e vendeve të huaja. Austriakët ishin të parët, që gjatë Luftës së Parë Botërore, u munduan të ndërtonin një ekonomi moderne në Shqipëri. Ata ndërtuan rrugë dhe ura, kushtet themelore për një ekonomi kombëtare. Se çfarë bënë shqiptarët me këto arritje mund të ilustrohet vetëm me një shembull: Hekurudha që ndërtuan austriakët përgjatë bregdetit (sistemi i dekovilit), do të grabitej deri në shinën e fundit në vitet në vazhdim. Më vonë ekonomia shqiptare do të jetonte vetëm nga subvencionet italiane që ishin dhënë për arsye politike. Shqiptari mesatar ishte po aq joproduktiv sa ekonomia shqiptare. Ai urren çdo lloj pune. Nga ana tjetër, shqiptari është tregtar oriental i lindur. Sigurisht që anekdota që tregohej më shpesh në atë kohë ’arsyeja që në Shqipëri ka shumë pak hebrenj, është sepse një shqiptar vlen sa shtatë hebrenj’ ka një farë të vërtetë në të”.

Ago Agaj, administrator dhe prefekt i Mitrovicës 

Rajoni i Kosovës dhe mbiprodhimi atje

“Kosova kufizohet në lindje me kufirin, rajonit të ri të Bullgarisë (me Sofjen); në veri me Serbinë; në perëndim me Kroacinë dhe Malin e Zi dhe në jug me Shqipërinë e Vjetër. Në qendër të saj shtrihet fusha shumë pjellore e Kosovës. Rajonet malore kanë potenciale të larta ekonomike sepse janë të pasura me krom, magnezit dhe linjit. Pjesa më e madhe e rajoneve malore është e mbuluar me pyje dhe si rrjedhojë Kosova prodhon sasi të konsiderueshme druri. Ndryshe nga klima e Shqipërisë së Vjetër, klima e Kosovës nuk është shumë mesdhetare. Në përgjithësi, Kosova ka një strukturë ekonomike me të ngjashme me pjesën tjetër të Ballkanit sesa me Shqipërinë e Vjetër, e cila është e izoluar nga malet e larta e të papenetrueshme përgjatë kufijve lindore. Ky faktor, si dhe lidhjet e vjetra politike me Serbinë janë arsyeja e kësaj ngjashmërie”.

Ndërkohë që bëhet një përshkrim i prodhimit në këtë hapësirë: “Jugu i Shqipërisë së Vjetër prodhonte vaj ulliri, duhan, verë, misër, grurë dhe disa lloje frutash. Veriu merrej me blegtori dhe, prodhonte edhe mish dhe yndyrë. Prodhimet e bujqësisë shqiptare që vareshin nga metodat primitive të prodhimit të fshatarëve, të cilët akoma nuk kishin mësuar sistemin e përdorimit të tri fushave dhe që akoma e lëronin tokën me një parmendë druri si në kohët antike, nuk mjaftonin as për të ushqyer popullin në mënyrën më minimale të mundshme. Për ketë arsye, përdorej mbiprodhimi i Kosovës për të ushqyer pjesën tjetër të vendit. Shqipëria e re nuk mund të ushqente as edhe trupat gjermane, jo me të prodhonte për Gjermaninë. Rajoni i Kosovës prodhonte grurë, misër, duhan, verë me kualitet të mirë, mish dhe yndyrë”.

Ndërkohë që një vështrim të kujdesshëm ka dhe për mineralet dhe theksohet se: “Grupi Administrues ia dërgoi këto raporte, si dhe të tjera që konsideroheshin si të besueshme WeWi-O (Shtabi Ekonomik për Lindjen) si dhe Komisionerit për Ekonomi dhe Financë, të cilët ia dërguan Profesor Zuberit (9). Profesori i refuzoi apriori “këto raporte për shkak të strukturës gjeologjike të vendit. Autori i këtij raporti nuk është në gjendje të gjykojë nëse mendimi i Profesorit Zuber është i besueshëm. Në këtë pikë duhet përmendur se Zuber ka kombësi polake dhe është rritur gjatë shërbimit italian dhe si i tillë nuk mund të jetë tërësisht i besueshëm për interesat e Gjermanisë”. Flitet se nuk janë të interesuar për rezervat e naftës, “pasi rezervat e Devollit i mbulonin nevojat e gjermanëve”. Gjëja që u intereson gjermanëve është Linjiti në Obiliq të Kosovës, pasi aty gjendet “i vetmi bazen qymyri që mund të furnizonte centralin e minierës së plumbit dhe zinkut të Trepča Mines Ltd., kompani kjo, që luante një rol të rëndësishëm në furnizimin e industrisë së rëndë gjermane me plumb dhe zink. Gjatë pushtimit gjerman të Shqipërisë, Obiliqi u vu nën administrim provizor dhe mbajti të njëjtin nivel prodhimi dhe centrali i Trepçës vazhdonte të furnizohej me një mesatare prej 6000 moto”. Duhet të kujtojmë se asokohe kompleksi i Trepçës furnizonte rreth 40% të nevojave të industrisë luftarake gjermane me plumb, duke përfshirë prodhimin e municioneve dhe baterive për nëndetëset gjermane. Për këtë arsye, forcat gjermane e mbajtën termocentralin dhe minierën në funksion të pandërprerë me qymyr deri në tërheqjen e tyre në fund të vitit 1944. Një mineral tjetër që u intereson në Kosovë është kromi dhe ky ishte “minerali më i rëndësishëm në Shqipëri për Vermahtin. Krom kishte si në Shqipërinë e Vjetër ashtu edhe në rajonin e Kosovës. Në Shqipëri kishte rezerva kromi në Kukës, Klos dhe Pogradec. Por, kur Gjermanët pushtuan rajonin e Kosovës, gjetën miniera që funksiononin në Gjakovë dhe në Letaj”. Menjëherë pas një inkursioni të forcave tankiste të Njësisë së Dytë, komisioneri i përgjithshëm [Generalbevollmächtigter für Metallerzbergbau Südost – GBM] i Südost Montan GmbH dërgoi një përfaqësues në Tiranë për të promovuar interesat e gjermanëve në nxjerrjen e mineraleve në Shqipëri. Me lejen e qeverisë së përkohshme shqiptare, ai arriti të merrte minierat e kromit nën drejtimin e Südost-Montan GmbH (që i përkiste Rajhut). Pas arritjes së marrëveshjes komisioneri (GBM) hapi zyrat përfaqësuese të Südost-Montan GmbH në Shqipëri dhe në Prizren. Zyrat në Klos dhe në Pogradec nuk u hapën nga rreziku që vinte nga bandat e armatosura (Lexo: rezistenca shqiptare). 

Oficeri gjerman, Josef Fitzhthum (1896 –1945) 

“Në mars të vitit 1944 filluan negociatat mes GBM dhe qeverisë shqiptare për të arritur një marrëveshje ndërkombëtare, e cila do të rregullonte të drejtat e gjermanëve në nxjerrjen dhe shfrytëzimin e mineraleve në Shqipëri. Administrimi dhe menaxhimi i të gjitha minierave të kromit bëhej nga zyra e Prizrenit. Menaxhimi teknik bëhej nga kompania e parë e T.B. “Bergbau“ mot 26. Numri i të punësuarve (shqiptarë, italianë dhe malazezë) shkoi nga 730 deri në rreth 1900)”.

Sa i përket transportit, u mendua “të ndërtohej linja hekurudhore nga Gjakova deri në stacionin e Pejës, por që nuk u ndërtua për arsye teknike. Transporti me kamionë ishte i vështirë jo vetëm për shkak të mungesës së kamionëve por edhe sepse rrugët ishin të këqija. Situata ndryshoi pas ardhjes së 140 kamionëve me kapacitete të ndryshme ngarkese” (10).

Kurse sa u përket shërbimeve publike thuhet se të vetmet shërbime publike në Shqipërinë e Vjetër ishin disa mullinj të mëdhenj që ishin ndërtuar nga italianët dhe që punonin me naftë. Në Kosovë haseshin disa mullinj që punonin me ujë. 

Pavarësisht problemeve dhe mënyrës sesi i shikon autori disa herë me shumë cinizëm, nuk është se konkludon që vendi kishte mbetur aq pas. “Nëse populli do të kishte vende të rregullta pune dhe nëse resurset natyrore të vendit do të shfrytëzoheshin në mënyrë më të kontrolluar, do të ishte e mundur të krijohej më shumë hapësirë e banueshme për një popullsi më të madhe (pasi vendi ka shumë hapësirë të pabanuar pavarësisht pjellorisë së madhe të tokave). Dokumenti është sjellë kohë më parë dhe përkthyer nga E&B Mulleti për median shqiptare.

Shënime

(1)          Tahir Shtylla (Korçë, 19 janar 1899 - Romë, 22 qershor 1942) ka qenë diplomat dhe ministër i shtetit shqiptar.

(2)          Iljaz Agushi (Prishtinë, 15 prill 1882 - Tiranë, 29 tetor 1943) ishte nëpunës, deputet në parlamentin jugosllav, deputet i shtetit shqiptar, ministër dhe zv/ministër

(3)          DGA është shkurtesa e termit gjerman Deutscher General in Albanien (ose Deutscher Bevollmächtigter General in Albanien), Gjenerali i Plotfuqishëm Gjerman në Shqipëri.

(4)          Karl Gstöttenbauer ishte zyrtar nazist austriak, i cili shërbeu si Komisioner për Çështjet Ekonomike në Shqipërinë e pushtuar nga gjermanët, midis fundit të vitit 1943 dhe tetorit të vitit 1944. 

(5)          Josef Fitzthum (1896–1945) ishte oficer austriak i SS-së me gradë të lartë, i cili shërbeu si Përfaqësues i Posaçëm i Heinrich Himmlerit në Shqipëri. Nga fundi i verës së vitit 1944, ai kishte përqendruar në duart e tij si kompetencat e SS-së, ashtu edhe ato ushtarake me fuqi të plota dhe ishte zyrtari gjerman më i fuqishëm në Shqipërinë e pushtuar.

(6)          Dr. Mellin ishte një zyrtar i lartë i administratës ushtarake gjermane (Kriegsverwaltungsrat ose gradë e ngjashme) në Grupin Administrativ të Wehrmacht (Verwaltungsgruppe) gjatë pushtimit gjerman të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore (1943–1944).

(7)          “Militärverwaltungsrat” (MVR) Heimer ishte një zyrtar i lartë i administratës ushtarake gjermane.

(8)          Ago Agaj (1897–1994) ishte agronom i shkolluar në Gjermani, por jo me origjinë nga Kosova. Ishte figurë e njohur nacionaliste nga Vlora. Ai punoi në administrimin e Kosovës pas vitit 1941 dhe në qeverinë shqiptare të Regjencës gjatë pushtimit gjerman. Veprimtaria e tij u përqendrua në forcimin e administratës shqiptare në trojet e bashkuara, si prefekt i Mitrovicës (1939–1943), ku kontribuoi për shkollat shqipe. Ai mbrojti popullsinë nga sulmet e çetnikëve serbë të Drazha Mihajloviqit dhe madje luftoi edhe vetë, kurse në bashkëpunim me Vehbi Frashërin, shpëtoi komunitetin rom të Mitrovicës nga persekutimi dhe deportimi nazist.

(9)          Profesor Stanisllav Zuber (Stanisław Zuber) ishte një gjeolog dhe inxhinier me famë botërore nga Polonia, i cili hodhi themelet e shkencës së gjeologjisë dhe industrisë së naftës në Shqipëri. Ai mbërriti në Shqipëri në vitin 1927 dhe punoi aty për 20 vjet me radhë, deri në vdekjen e tij tragjike në burgjet komuniste në vitin 1947.

(10)       Në fakt, kamionët që sollën dhe përdorën forcat gjermane të Vehrmahtit në Shqipëri gjatë pushtimit të viteve 1943–1944 kishin një kapacitet ngarkese që varionte kryesisht nga 1.5 deri në 4.5 tonë për automjet.